Shqiptarët në Luginën e Preshevës, të diskriminuar
Derisa serbët e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat, fëmijët e Luginës duhet ta mësojnë serbishten dhe historinë serbe që nga cikli i ulët i shkollës fillore.
Shkruan: Ali Aliu
Lufta që përfundoi me Marrëveshjen e Konçulit në Luginë të Preshevës te shqiptarët kot ngjalli shpresa se do të zgjidhet çështja e të drejtave të tyre. Edhe këtu, si gjithkund te shqiptarët, elita politike po jeton dhe po pasurohet në kurriz të popullit të varfër, të pa punë e me njëmijë telashe dhe nuk angazhohet sa duhet, bile për kthimin e të drejtave që i kishin. Ata, për përfitime të vogla personale dhe partiake, e kanë harruar vullnetin e popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992 për Autonomi politike-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, amanetin e dëshmorëve dhe ushtarëve të UÇPMB-së si dhe Marrëveshjen e Konçulit, duke e trajtuar këtë vetëm si Marrëveshje apo Dokument për çmobilizim! Asnjë marrëveshje për Luginën Dikur, kur populli ishte i pa arsimuar dhe nuk përfillej nga askush, disa nga politikanët tanë shumë pak te arsimuar, ishin shumë më të përgjegjshëm. Thuhet se në kohën kur përcaktoheshin kufijtë e Serbisë me Maqedoninë dhe me Kosovën, Abdulla Krashnica (Presheva) ishte shumë i shqetësuar, sepse e dinte se Presheva, Bujanoci e Medvegja do të mbeten me Serbi, si vend gjeostrategjik, por edhe për ta zvogëluar numrin e shqiptarëve në Kosovë, kurse Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku do t’i epen Kosovës, për ta rritur përqindjen e serbëve në Kosovë. Ditën kur u hap shkolla e pare shqipe në Preshevë, më 7 shkurt 1945 në objektin “Villa Letafet”, për çudi, ai ishte shumë i gëzuar. Me atë rast, i kthyer kah nxënësit kishte deklaruar: këta një ditë do ta zgjidhin këtë çështje. Abdulla Presheva nuk ishte si politikanët tanë të sotëm, i zënë “me punë”, me udhëtime zyrtare, dreka e darka, tenderë…Ai mendonte se edhe të tjerët pas tij, do të jenë të përgjegjshëm, siç ishte vetë, ose si i ndjeri Mehmet Jusufi, ish kryetar i KK të Preshevës, apo kryetari i tanishëm i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, që u dëshmua me bujarinë e tij në mbrëmjen Gala për Luginën. Mund të thuhet se Marrëveshja për Veriun e Kosovës shumë shpejt do të nënshkruhet. Për Luginë s’ka asgjë, sepse këtu “çdo gjë është në rregull”, po të krahasohet me veriun e Kosovës. Atje valon flamuri kombëtar serb, s’ke si kalon prej parullave dhe barrikadave, nuk mungojnë as shpërthimet e bombave, sulmet ndaj shqiptarëve etj., kurse në Luginë situata është e qetë. Automjetet luftarake serbe defilojnë sa herë të duan nëpër qytete dhe vendbanime shqiptare, madje edhe me mitraloza mbi ta. Daçiqi sa herë dëshiron të demonstrojë forcën e Serbisë i bastis shtëpitë shqiptare, keqtrajton dhe arreston shqiptarë të pafajshëm... Populli i atjeshëm, kudo që ndodhet, është i hutuar. Vazhdon presioni serb U bënë dy decenie e gjysmë me këtë gjendje presioni. Fshatrat e zonës kufitare me Kosovën janë zbrazur për shkak të terrorit të vazhdueshëm të policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe. Popullata e lodhur me premtime boshe të politikanëve, se do të bëhet mirë, nuk gjetën zgjidhje më të mirë se: kah sytë, këmbët. Në shtëpitë gërmadha, ara e livadhe, ferrat janë rritur 4 – 5 metra. Pas disa vitesh shumë lehtë mund të ndodh kolonizimi serb, sepse nuk do të dihet se ka jetuar kush atje. Shqiptarët atje ende jetojnë pa të drejtat që i kishin dikur, në kohën e komunizmit, siç janë: punësimi: sidomos në institucionet shtetërore: doganë, hekurudhë, polici, shëndetësi etj., në përpjesëtim me përqindjen e popullatës p.sh në vendkalimin kufitar në Tabanoc, sa shqiptarë janë të punësuar?! (Përfytyroni sikur në vendkalimet Bërnjak ose Jarinje, ku nuk ka popullatë shqiptare, të punojnë mbi 90% shqiptarë!); gjyqësia: cili serb në Kosovë pranon të gjykohet prej shqiptarëve në Gjykatën e Prishtinës, Pejës etj.?! Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjykohen në Vranjë ose Leskoc; për një certifikatë që s’është i dënuar ata duhet të shkojnë në Vranjë, gjegjësisht në Leskoc etj. lëvizja e lirë: serbët mund të lëvizin gjithkund në zonat ndërkufitare me vendet fqinje, p.sh. me Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë etj., kurse shqiptarëve të Luginës kjo e drejtë iu ndalohet, b.f. zona ndërkufitare me Maqedoninë Miratoc – Llojan, në vend të 2 dy km. rrugë, banorët duhet t’i bëjnë rreth 100 km (vajtje ardhje) ose Ranatoc – Llovcë, me Kosovën etj. Përveç shpenzimeve, ata duhet ta humbin një ditë për të shkuar te njeri tjetri, sepse nuk ka familje që s’e ka dikë të afërm në anën tjetër të kufirit; planet dhe programet mësimore, përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre. Serbët në Kosovë sot realizojnë të drejta si askush në botë. Sot secili serb merr rrogë ose pension; ku janë dy-tri fshatra kanë ambulancë ose spital; arsim falas për të gjitha nivelet; transporti falas për nxënësit, studentët dhe për personelin arsimor; edhe pse financohen nga buxheti i Kosovës, ata nuk pranojnë të punojnë me plane e programe të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës etj. Fëmijët tanë duhet ta mësojnë serbishten dhe historinë serbe që nga cikli i ultë i shkollës fillore. Gratë tona shtatzëna dhe pacientët tjerë të Luginës detyrohen të shtrihen në spitalet serbe në Vranjë, Surdulicë, Nish etj., ku s’e kanë asnjë mjek, motër ose teknik medicinal shqiptar, kurse serbët në Kosovë i kanë spitalet e veta dhe kur kanë ndonjë rast të rëndë, pacientin e dërgojnë në spitalin e Mitrovicës Veriore etj. Nuk zbatohet marrëveshja e Konçulit Evropa përditë nuk do të merret me Ballkanin, pra as me ne. Si do të arsyetohemi nesër se Evropa na mori në qafë, kur ne për vete nuk po bëjmë asgjë? Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat e udhëheqësve tanë, se nuk po zbatohet Marrëveshja e Konçulit, se… se... Pas Marrëveshjes së Shen Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Perandoria Turke kishte pas planifikuar ta ndërtojë një kazermë dhe spital ushtarak në fund të qytezës së Preshevës (të cilat i përmend edhe Sami Frashëri). I madh e i vogël kishin dalur në protestë kundër uniformave. Qytetarët e penguan ndërtimin këtyre objekteve afër qytetit, ku ishin planifikuar, prandaj u ndërtuan në Bilaç (mes Preshevës dhe Bujanocit). Sot Lugina e Preshevës ende është e mbushur plot uniforma serbe: polici, xhandarmëri dhe ushtri. Kur nuk kryhen punët me deklarime politike, duhet vepruar ngjashëm si serbet e Veriut të Kosovës. Tani edhe fëmijët e dinë se Marrëveshjet tona me Serbinë pa garancinë e Amerikës dhe të Evropës nuk bëjnë as për tualet. Pleqtë nuk thonë kot: fëmija pa qajtë, nana s’e merr. Zezaku afro-amerikan Martin Luther Kingu, pak para se të vritej kishte thënë: "Heshtja e frikshme e njerëzve të ndershëm është më e rëndë se zhurma shurdhuese e njerëzve të dhunshëm".copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/01/protesta.png): failed to open stream: No such file or directory