Vështrime
Sherri i Preshevës n’derë t’Stambollit!
Nuk kanë thënë kot “Sherri i Preshevës n’derë të Stambollit”. “Lugina e vogël, por sherrin e madh”, do të thoshin këta politikanët tanë që, të ngatërruar në problemet e veta me Daçiqin e serbët e tij në Kosovë, nuk po gjejnë kohë as të mendojnë e lëre më të bëjnë diçka konkrete për ata shqiptarë që kanë mbetur matanë kufirit.
Shkruan: Ali Cenaj
Tamam kur kishin shpresuar se po shkon në harresë, Presheva kthehet sërish, si për inat, me problemet që assesi të futen nën rrogoz. Kësaj radhe tragjikisht.
Reshat Bajrami, i arrestuar një muaj më parë, u kthye dje në arkivol nga burgu i Vranjës. Familjarët morën kumtin e zi nga burgi i Vranjës, por jo edhe shpjegimin se në ç’rrethana ai ka humbur jetën një natë më parë, në njërën nga qelitë e burgut serb.
Kur një shqiptar vdes në burgjet serbe është fare legjitime të dyshohet se është mbytur nga torturat që shqiptarët i kanë provuar brez pas brezi në burgjet serbe. Sidomos pasi ai ishte dëshmitar i një rasti të rëndë të ndodhur muajin e kaluar në Tërnoc, kur polici serb i Brigadës Intervenuese, Gorana Gjorgjeviq, u shkel për vdekje nga makina në të cilën Bajrami ishte bashkudhëtar.
Dyshimet nuk do t’i heqin as zërat që erdhën nga burgu i Qarkut në Vranjë, të cilat vdekjen e tij e paraqesin të natyrshme, nga një sulm në zemër, të cilit nuk kishte mundur t’i përballojë para se të arrinte ndihma mjekësore. Ndoshta as autopsia që po i bëhet kufomës, pak metra më tej burgut, në spitalin e Vranjës pasi mosbesimi është tepër i madh.
I riu që nuk dihet të ketë pasur probleme shëndetësore, i kthehet familjes në arkivol. Si dikur që nga ushtria apo burgjet serbe kufomat e shqiptarëve ktheheshin në arkivole të metalta pasi zakonisht bënin “vetëvrasje” me tre plumba në shpinë.
Enigma do të mbetet gjatë, pasi arrestimi i tij lidhet me rastin që ka mbetur i pazbardhur. Sipas versionit të policisë, natën kritike, me dyshimin se në automjet po bartej drogë, ka tentuar ta ndalë, por është përplasur për vdekje nga vetura që u gjend më vonë, pak më tej, në dalje të fshatit.
Të nesërmen vetë drejtori i Policisë Serbe paralajmëroi “veprime të ashpra”. Rastin do ta zgjidhim, me çdo çmim, kishte thënë ai duke kërcënuar gjithë banorët e Tërnocit se nuk po bashkëpunojnë për gjetjen e shoferit që drejtonte automjetin, emri i të cilit u tha se është i njohur.
Prej atëherë, çuditërisht, nuk ndodhi arrestimi i paralajmëruar dhe rasti mbeti enigmë. Derisa dje, u gjend i vdekur vetë dëshmitari, ai që ishte në automjet e i cili mund të ketë ditur dhe mund të ketë “kënduar” më shumë se që duhet. Shoferi apo të tjerë që mund jenë gjetur në prapavijë të këtij “biznesi” mund të jenë gjetur në vendin dhe kohën e gabuar. Ashtu si edhe polici. Mbase edhe Bajrami, dëshmitari i vetëm që merr me vete shumë enigma.
Enigmë nuk duhet të mbetet as qëndrimi qartë i Prishtinës dhe Tiranës ndaj Luginës dhe shqiptarëve atje. Së paku të përsërisin atë që e tha ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhelm, se shqiptarët janë të diskriminuar dhe se këtë fakt duhet marrë seriozisht.
Retorika e dy kryeministrave që, kur ua do interesi personal, nuk përtojnë të deklarohen gardianë të shqiptarëve në rajon, ka nevojë për mbulesë. Për vepra konkrete. Nëse Serbia ndan qindra milionë euro për strukturat serbe në Kosovë çka ka bërë Kosova apo Shqipëria për shqiptarët atje.
Përndryshe, sherri i Preshevës, vërtet mund të shkojë sërish “n’derë t’Stambollit”! Ose gjërat do të shkojnë në rrugën e nisur. Që pas sa vitesh Luginën e Preshevës ta këndojmë “n’bisht t’çiftelisë”. Si dikur Mollën e Kuqe!
(Opinioni i autorit është publikuar në portalin "Zeri.info")
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/11/burgu.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!