Serbia përgatit përforcim financiar për serbët që braktisën institucionet e Kosovës
Serbët që braktisën institucionet e Kosovës, më 5 nëntor, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “do të kenë përkujdesje”.
Më 6 nëntor, në një prononcim në Tv Pink, ai deklaroi se kjo do t’i kushtojë shtetit 50 deri në 60 milionë euro, por nuk ka specifikuar se për çfarë “kujdesi” bëhet fjalë.
Kjo pikë nga deklarata e tij, nuk është përfshirë në rebalancin e buxhetit, për të cilin po diskutohet nga deputetët e Kuvendit të Serbisë.
Megjithatë, ajo që parashikohet në këtë rebalanc është ndarja e mjeteve financiare më të mëdha për Zyrën për Kosovën në Qeverinë serbe.
Siç shihet në draftin për këtë rebalancim në faqen e internetit të Kuvendit të Serbisë, për këtë institucion janë planifikuar edhe 15.5 milionë euro shtesë.
Pra, në vitin 2022, buxheti i përgjithshëm i Zyrës për Kosovën arrin në 84.4 milionë euro.
Pjesa më e madhe e rritjes i referohet mbështetjes për funksionimin e institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës, ndërkaq një pjesë më e vogël për mbështetjen e përmirësimit të cilësisë së jetesës së popullatës serbe dhe joshqiptare.
Siç thuhet në draftin për rebalancim të buxhetit, këto mjete do të shpërndahen dhe shfrytëzohen në bazë të një akti të veçantë që do të miratohet nga Qeveria e Serbisë.
Beogradi refuzon të njohë Kosovën si shtet që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Që atëherë Kosova ka institucionet e veta.
Megjithatë, Serbia i financon institucionet paralele në veri të Kosovës.
Fondet për Kosovën ndahen, jo vetëm përmes Zyrës për Kosovën, por edhe përmes ministrive.
Deputetët e pushtetit pa deklarata, opozita kërkon detaje
Radio Evropa e Lirë (REL) u përpoq të merrte përgjigje lidhur me financimin e mundshëm të atyre që u larguan nga institucionet e Kosovës nga deputetët e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, si dhe nga ata të opozitës.
Millovan Drecun, kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën dhe Millenko Jovanov, anëtar i Komisionit parlamentar për çështje buxhetore, nga radhët e SNS-së, nuk ishin të gatshëm t’u përgjigjen pyetjeve.
Deputetët nga radhët e opozitës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, në parim e mbështesin idenë që qytetarët që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, të kenë mbështetjen e shtetit, por theksojnë se kjo përfshin disa çështje.
Radomir Llazoviq, anëtar i lëvizjes opozitare “Të mos e mbysim Beogradin” (Ne davimo Beograd), thotë se për momentin nuk është folur për mbështetje financiare për qytetarët që kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Ai konsideron se një masë e tillë duhet të prezantohet para deputetëve.
“Për çfarë bëhet fjalë këtu? A bëhet fjalë për ndonjë masë të përkohshme, sa do të zgjasë, si do të ndihmohen, kjo është e gjitha në domenin e imagjinatës së presidentit dhe mendoj se kjo është keq. Presidenti nuk ka kompetenca të merret me këtë”, thotë Llazoviq.
Qëndrimi kësaj lëvizjeje është se Kosova është një “shtet brenda shtetit”, si çështje që nuk është zgjidhur, se opinioni është në errësirë për këtë çështje dhe se për këtë arsye është e nevojshme që opozita të marrë pjesë në të gjitha bisedimet për Kosovën.
Tamara Millenkoviq-Kerkoviq, deputete nga subjekti opozitar i djathtë, Lëvizja Dveri, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja angazhohet për subvencionet dhe mbështetjen për serbët që jetojnë në Kosovë.
Dveri mohon fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet për ndërprerjen e integrimit evropian të Serbisë.
Tamara Millenkoviq-Kerkoviq, megjithatë, shtron pyetjen:
“Çfarë kanë bërë deri tani ata njerëz në institucione, a kanë marrë paga të dyfishta. Duhet të shihet se kujt do t’i jepet ajo ndihmë, sa do të jetë dhe në çfarë mënyre do të verifikohet se kujt i takon”.
Në prill të vitit 2014, Komisioni anketues për mënyrën e shpenzimit të mjeteve nga buxheti i Serbisë në territorin e Kosovës në periudhën prej vitit 2000 deri në vitin 2012, ka konstatuar se ekziston një numër i madh i të punësuarve që marrin paga të dyfishta – nga buxheti i Kosovës dhe buxhetin e Serbisë.
Sanda Rashkoviq-Iviq, deputete nga Partia Popullore opozitare, thotë për REL-in se shteti duhet “të qëndrojë pranë atyre njerëzve”.
“Pesëdhjetë milionë euro - kjo nuk është as sa një e treta [e investimeve] në stadiumin kombëtar të futbollit. Nuk është shumë, fondet mund të ridestinohen. Po shpenzohen shuma të mëdha parash për diçka që është e panevojshme dhe mendoj se është e nevojshme të ndihmohen njerëzit në këtë moment”, thotë Rashkoviq-Iviq.
Partia Popullore e konsideron Kosovën “pjesë të patjetërsueshme të Serbisë” dhe kundërshton fuqishëm njohjen e pavarësisë.
Rebalanci është miratuar nga Qeveria e Serbisë më 3 nëntor. Pritet që ai të miratohet në Kuvend, ku SNS-ja, së bashku me partnerët e koalicionit, ka shumicën.
Ministri i Financave, duke paraqitur rebalancin para deputetëve në Kuvend, deklaroi se arsyet për këtë janë të hyrat më të larta të thesarit të shtetit, pagesa e pensioneve më të larta dhe ndihma për të rinjtë dhe familjet, si dhe sigurimi i burimeve të energjisë.
Ministri nuk ka dhënë deklarata për gazetarët në Kuvend.
Me këtë rast, REL-i i është drejtuar me shkrim kësaj ministrie, me pyetjet se mbi cilën bazën do Serbia t’ua paguajë kompensimin përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, si do të sigurohen këto para dhe nëse qytetarët që marrin kompensim do të kenë ndonjë detyrim në aspektin e angazhimit në punë.
Deri në përfundimin e tekstit, Ministria e Financave të Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it. Përgjigjet nuk kanë ardhur as nga Zyra e Qeverisë serbe për Kosovën.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve kanë dorëzuar dorëheqjet në vetëqeverisjet lokale në veri të Kosovës, në gjyqësi, polici dhe në Qeveri e Kuvend.
Braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët ndodhi pasi shkarkimit nga detyra të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë për riregjistrimin e automjeteve.
Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve të lëshuar nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës. Plani është që ato të konvertohen në targa RKS (Republika e Kosovës).
Masa e re, jashtë rebalancimit dhe pa vlerësimin e Këshillit Fiskal
Këshilli Fiskal, organ i pavarur shtetëror, detyra e të cilit, ndër të tjera, është të monitorojë dhe analizojë buxhetin, në përgjigjen e tij për REL-in, thotë se masa nuk është përfshirë në rebalancimin e buxhetit.
Në përgjigje shtohet se Këshilli Fiskal “në përputhje me praktikën e mirë ndërkombëtare” i shmanget “vlerësimit dhe komentimit zyrtar të politikave të reja të Qeverisë, të cilat kanë si bazë të vetme deklaratat në media”.
“Mbështetja financiare për qytetarët që janë larguar nga institucionet e Kosovës, e paralajmëruar publikisht, me sa duket është një masë e re e Qeverisë që është hartuar pas rebalancimit të buxhetit dhe ne, me këtë rast, nuk e kemi vlerësuar si të tillët”, thonë nga ky institucion.
‘Mungesa e transparencës’
Nemanja Nenadiq, drejtor programi i organizatës joqeveritare Transparenca Serbia, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se kur bëhet fjalë për alokimet për Kosovën, mungesa e transparencës ka qenë e pranishme për dekada.
Ai thotë se, në rastin konkret, mund të pritet që tarifat të paguhen nga rezerva buxhetore.
“Dhe këtu është problemi për shkak se ato vendime nga rezerva buxhetore publikohen vetëm në Gazetën Zyrtare dhe nuk janë në faqen e Qeverisë. Zakonisht shpjegimet janë shumë të shkurtra”, thotë Nenadiq.
Ai thekson se transparenca më e madhe do të parandalonte keqpërdorimet.
“Do të ishte mirë që Qeveria të vepronte ndryshe dhe të jepte disa shpjegime më të detajuara për numrin e personave që do të financohen nga ato masa të jashtëzakonshme, në mënyrë që të parandalohen dyshimet për ndonjë lloj keqpërdorimi dhe që paratë nuk po shpërndahen në mënyrën më korrekte”, përfundon Nenadiq.
Pagat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe
Sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, zyrtarë të lartë të Listës Serbe, të cilët më 5 nëntor kanë vendosur të japin dorëheqje nga institucionet në veri të Kosovës, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi, nuk do të mbeten pa paga mujore, sepse paralelisht me atë të Kosovës, kanë të paktën edhe nga një pagë tjetër nga buxheti i Serbisë.
Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe që atëherë merr pjesë në të gjitha institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal.
Zyrtarët e kësaj partie kanë raportuar të hyrat nga Serbia në Agjencinë kosovare Kundër Korrupsionit.
Për shembull, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka raportuar të ardhurat e tij totale mujore në shumën prej 1.927 eurosh.
Prej tyre, 1.150 euro i ka marrë nga buxheti i Kosovës, si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Pjesën tjetër e merr nga buxheti i Serbisë ,sepse është i punësuar edhe në institucionet paralele që i financohen nga qytetarët e Serbisë – si drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut dhe si ligjërues në Shkollën e lartë të ekonomisë dhe studimeve profesionale.
Nga zyrtarët e Listës Serbe, të ardhurat më të larta, në shumën prej 3.300 euro, i fiton Verica Çeraniq. Ajo, si deputete në Kuvendin e Kosovës, merrte 1.900 eurosh pagë në muaj. Njëkohësisht ajo është e punësuar në Shërbimin kombëtar të punësimit të Serbisë, për të cilën merr pagë mujore prej 1.400 euro nga buxheti i Serbisë.
Por, kjo nuk ndodh me qytetarët serbë në Kosovë, që nuk janë zyrtarë.
Siç i tha REL-it një punonjëse e gjyqësorit, me kushtin e anonimitetit, Beogradi zyrtar u ka ofruar atyre një pagë të përkohshme në shumën prej 20.000 dinarë, që është rreth 160 euro.
“Ju thjesht nuk mund të jetoni nga kjo, as nuk mund të mbijetoni. Unë kam kredi mbi 6.000 euro dhe nuk e di se si do ta kthej tani. Është vërtet e tmerrshme”, tha ajo.
Paga mesatare e këtyre punëtorëve, brenda sistemit të Kosovës, është rreth 500 euro.
Keqpërdorim i parave të destinuara për Kosovën
Si shpenzohen fondet nga buxheti i Serbisë për Kosovën, ishte tema e Komisionit hetimor të Kuvendit, i cili u formua në maj të vitit 2013. Hetimi kishte të bënte me periudhën e viteve 2000-2012.
Pas hetimeve, ai komision miratoi një raport, në prill të vitit 2014, në të cilin thuhej se keqpërdorime të parave dhe shpenzime të papërshtatshme janë gjetur pothuajse në të gjitha fushat – shëndetësi, arsim, ndërtim të objekteve infrastrukturore.
Procedura kërkonte që raporti t’u paraqitej deputetëve në Kuvend, por asnjëherë nuk u vendos në rend dite.
Raporti i Komisionit hetimor nuk ka asnjë efekt derisa të miratohet nga deputetët në Kuvend. Vetëm atëherë ai bëhet obligues për institucionet kompetente.
Nga 41 propozimet për formimin e komisioneve hetimore, që aktualisht janë në procedurë parlamentare, asnjëri prej tyre nuk i referohet hetimit se si dhe në çfarë mënyre shpenzohen paratë e ndara për Kosovën.