Rrënohet shtëpia e djegur e familjes Musliu (foto)
Me ndihmën e ekskavatorit dhe makinerisë tjetër ndihmëse kanë filluar punimet për pastrimin e mbetjeve të shtëpisë së djegur të familjes Musliu nga Bujanoci.Tashmë tre ditë punimet në mënyrë vullnetare kanë vazhduar në pronën e kryefamiljarit Jakup Musliu, për të rrënuar dhe më pas bartur mbetjet e shtëpisë së djegur nga zjarri, që e pat shkrumbuar në mëngjesin e 17 korrikut, raporton Titulli.
Shtatë anëtarët e kësaj familje përkohësisht janë zhvendosur tek një bashkëqytetar në Bujanoc, ndërsa Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë ka theksuar se për një afat dymujor do t’i ndërtojë shtëpinë e re kësaj familje që ka pësuar këtë tragjedi.
Familjes Musliu ditëve të fundit në ndihmë i kanë dalë shumë qytetarë me mjete të ndryshme, si dhe bashkatdhetarët që tashmë po qëndrojnë për pushime në vendlindje.
Një ndihmë, në mbledhjen e fundit i ka ndarë edhe Këshilli Komunal i komunës së Bujanocit me një shumë prej 200 mijë dinarë (1.725 euro)./Titulli.com/