Rrëfimi i rrobaqepësit të uniformave të UÇPMB-së (Video)
Në ish-ndërmarrjen shoqërore “Kosovka” të Kamenicës u qepën 2 mijë e 500 uniforma të UÇPMB-së gjatë rezistencës së armatosur të kësaj guerileje kundër forcave serbe në vitet 1999-2001. Xhelal Hasani ish-drejtori i kësaj ndërmarrjeje rrëfen vështirësitë e prodhimit dhe dërgimit të uniformave në zonat e luftës në Luginë të Preshevës.
Aty ku në vitet 1999-2001 qepeshin uniforma ushtarake për UÇPMB-në, sot ndodhet një restorant i ushqimeve tradicionale.
Makinat qepëse të ish-ndërmarrjes shoqërore “Kosovka” të Kamenicës, në objektin e së cilës punon restoranti, janë zhvendosur në katin e dytë, të harruara dhe të mbuluara nga pluhuri dhe glasat e pëllumbave.
Vetëm një njeri, Xhelal Hasani, ish-drejtori i “Kosovkës”, ende interesohet për këto makina.
“Këto janë makinat me të cilat kemi qepur teshat e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Këtu kemi punuar një kohë të gjatë me to, mirëpo po e shihni edhe vetë në çfarë gjendje janë”, thotë Hasani.
Restoranti që ia zuri vendin repartit të makinave qepëse, i paguan qira komunës për shfrytëzimin e objektit publik.
Edhe Xhelal Hasani ka ndërruar punë. Tash punon në arkivin e Gjykatës së Kamenicës.
Ai tregon se ndërmarrja e drejtuar prej tij qepi 2 mijë e 500 uniforma ushtarake të UÇPMB-së. Shumica ishin të gjelbra kamuflazhi, por kishte edhe të zeza për Njësinë Speciale të guerilëve që luftonin në Luginën e Preshevës.
Porositës uniformash ishte edhe Ridvan Qazimi- Komandant Lleshi. Xhelal Hasani ende e ruan një urdhëresë me nënshkrimin e tij.
“Ju që keni marrë detyrën e caktuar të kryeni, është shumë urgjente dhe kjo detyrë është e obliguar të kryhet me datën 13.01.2001” thuhet në urdhëresën e komandant Lleshit.
Katër muaj pas lëshuarjes së kësaj urdhërese, më 24 maj 2001, Ridvan Qazimi u vra në rrethana ende të panjohura të vendi i quajtur “Gurët e Buajve”.
Arkivisti i Gjykatës së Kamenicës kujton se gjatë qepjes së uniformave dhe transportit të tyre u përballën me pengesa të ndryshme, pa e ndalur punën.
Ai është i bindur se dikush nga njerëzit që kishte parë prodhimin e uniformave kishte lajmëruar KFOR-in rus që atëherë vepronte në Kosovë, bashkë me ushtarët tjerë të NATO-s.
“Kemi pasur problem me ushtarët rusë, sepse kanë lajmëru se po qep për terrorista, edhe atë na kanë lajmëruar shqiptarët” thotë Hasani.
Ai tregon se këta ushtarë vinin në ish-ndërmarrjen e Kamenicës edhe nga katër herë në ditë, duke u munduar t’i zënë duke qepur uniforma, për t’ua ndaluar pastaj këtë punë.
Hasani bën me dije se përdorën një dredhi për t’i hequr qafe ushtarët rusë. U thanë atyre se po prodhonin uniforma për fëmijë që të vegjlit t’i përdornin ato për shfaqje dhe programe në teatër.
“Edhe rusët kur kanë ardhë, i kemi lënë ne në tavolinë, i kemi radhitë teshat e fëmijëve. Kur më kanë pyetur çka janë këto, u kam thënë se ne punojmë dhe për fëmijë për ndonjë shfaqje në teatër”, shpjegon Hasani.
Ai lavdëron edhe materialin e uniformave që thotë se e merrte në Austri. Për ta dëshmuar këtë thotë se edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it e kanë pyetur për këto uniforma, ngase u janë dukur cilësore.
Edhe dërgimi i uniformave nga Kamenica drejt zonave të luftës ishte një sfidë.
“Deri te luftëtarët materialin në Muhoc e kam dërguar vetë. Problem s’ka pasë në Muhovc –Zonën Operative të Çarrit, kurse ka qenë problem në Tërnoc për preshevarët. Dikund deri në katër kerre i kemi ndërruar deri në “Kristal”(hotel në Gjilan), e nga aty i kanë bartë me një kombi” thotë Hasani.
Ai, tash kur makinat e qepjes janë harruar ashtu si edhe betejat e guerilëve, mban për kujtim njërën nga uniformat e prodhuara në “Kosovka”.
“Këto i kam lënë për vete për me i ruajt dhe s’ka kush që i kompenson. Ka ardh një shok m'i ka dhënë 200 euro. I kam thënë jo, nuk ka kush që i blen këto, dua me i ruajt dhe me ditë për vete çka kam punuar, atë punë që e kam bërë mos me harru dhe ka mbet si kujtim” thotë Hasani.
Megjithatë, ndërmarrja kryesisht u pagua për uniformat e qepura, edhe pse ish-drejtori i saj thotë se luftëtarët i mbetën borxh.
“Preshevarët i kanë pagu me kohë dhe para kohe (uniformat). Këta (të tjerët) më kanë mbet pak borxh. Lufta u kry e askush nuk e mori atë përgjegjësi me kry atë obligim ndaj ndërmarrjes sonë”, përfundon Hasani.
Tash ai arkivon lëndë në Gjykatën e Kamenicës, një punë që ia kujton historinë. /KALLXO.com/