Reportazhet e gazetarit Valon Gashi i kërkon TV "AA Vizion" në New York
Akoma pa përfunduar të gjitha reportazhet për fshatrat e komunës së Bujanocit në kuadër të emisionit “Panoramë në fshatrat e Bujanocit” nga gazetari Valon Gashi, ato kanë nxitur kureshtjen edhe matanë Oqeanit Atlantik, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në adresë të gazetarit Gashi ka ardhur kërkesa e veçantë. Qazim Doda nga New Yorku, drejtor i televizionit shqiptaro–amerikan, AA Vision, ka kërkuar nga gazetari i komunës së Bujanocit që reportazhet, autor i së cilave është Valon Gashi, të transmetohen dhe në këtë televizion i cili shikohet në gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe në Kanada.
Në një intervistë të shkurtër për të konfirmuar kërkesën, Doda i tha portalit informativ Titulli se AA Vision është i interesuar që reportazhet e gazetarit nga Lugina të transmetohen edhe në Amerikë.
“Me këto dokumentare gazetari ka bërë punë të shkëlqyeshme. Këtu në SHBA shqiptarët dinë pak, për të mos thënë asgjë rreth këtyre trevave, dhe ne duhet t’i bindim se atje ka shqiptar dhe janë të organizuar. Unë e shikova njërin nga reportazhet e z.Gashi që ishte për fshatin Nesalcë dhe u befasova për të mirë se sa punë kishte bërë. Këtu nuk dinë askush për ato troje dhe dua që t'i edukoj shqiptarët e këtushëm se atje kemi trojet tona që kanë mbetur mbas dore”, u shpreh Doda.
Nga ana tjetër gazetari Valon Gashi në prononcim për Titullin, duke u shpreh i lumtur thotë se kjo veç tjerash ishte një eksperiencë e radhës në fushën e gazetarisë, para së gjithash takim me qytetarët për së afërmi, e sidomos ata të Malësisë së Bujanocit që i kanë bërë një pritje të mrekullueshme.
Ai falënderon edhe drejtorin e AA Vision, Qazim Dodën për gatishmërinë që emisionet e në fjalë të transmetohen edhe në SHBA.
“Jam i lumtur që emisionet e mia janë shikuar jo vetëm në Bujanoc por edhe më gjerë, si nga shqiptarët në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë e para se gjithash dhe nga shqiptarët e Amerikës, çka dëshmon dhe fakti që më janë kërkuar për transmetim dhe nga z.Qazim Doda. Unë jam në përfundim të këtij sezoni mbi emisionet dhe me fshatin Tërnoc i përmbylli të gjitha reportazhet pa lënë anash asnjë fshatë të komunës së Bujanocit dhe për këtë jam shumë i lumtur, pa harruar ndihmën dhe përkrahjen e drejtorit të RTB-së, Hajredin Ademit, punën e pa lodhur te kameramanit Valdet Xhelilit, dhe montazhin e bërë nga Blerim Iseni”, shprehet Gashi.
Gazetari nga Turia e komunës së Bujanocit thekson se pas përfundimit të reportazheve do të konsultohet me drejtorin e RTB-së në lidhje me kërkesën e z.Doda për transmetimin e reportazheve në Amerikë.
“Edhe njëherë e falënderoj Qazim Dodën për interesimin që përmes valëve të televizionit të tij, shikuesve në Amerikë t’i mundësohet njohja e situatës në fshatrat e komunës së Bujanocit”, përfundoi gazetari deklaratën e tij për portalin informativ Titulli./Titulli.com/