Rama, hapi dyert për shqiptarët e Luginës (video)
Në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti sot një fjalim duke u zotuar se Shqipëria s'do ta harrojë asnjë shqiptar kudo që jeton, që ai të jetojë i lirë, i barabartë me të tjerët dhe me vizionin e arritshëm.Shqiptarëve të Luginës u premtoi shkollim në universitet e Shqipërisë – dyfishim kuotash në Fakultetin e Mjekësisë dhe kuota pa limit në degët e tjera.
Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, duke i dëshiruar mirëseardhjen kryeministrit Edi Rama, e quajti vizitën e tij historike, që vinte e para 102 vjet pas pavarësisë së Shqipërisë. E quajti atë lider të Ballkanit dhe e përgëzoi për qëndrimin stoik e të dinjitetshëm në Beograd e në konferencën e shtypit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Iu falënderua edhe për qëndrimin e mbajtur atje karshi aspiratave e të problemeve të shqiptarëve të Luginës.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i përkëdhelur nga thirrjet dhe brohoritjet nga të pranishmit, tha, jo pa emocione, se ndihej i privilegjuar që “në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë të them “Mirë se ju gjeta!”.
Rama që në fillim premtoi se ai dhe Qeveria e Shqipërisë nuk do të reshtë së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe shpresat e besimin e çdo shqiptari kudo që jeton, raporton Koha.net.
Rama falënderoi shqiptarët e Luginës për “pritjen dhe organizimin kaq dinjitoz” që iu bë, dhe se do të jetë i përkushtuar që ndodhet pranë tyre, që “secili prej jush – vajzë e djalë, të kenë rrugë të hapur për të realizuar ambiciet tuaja” dhe të kenë derë të hapur në Shqipëri “për të kryer studimet e tyre dhe që me diplomën e tyre të mund të punojnë edhe këtu”.
“Atë që dëshirova të njoftoj këtu është se pas një diskutimi intensiv me kryeministrin serb, Vuçiq, dhe ekipin e tij, në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve dhe për njohjen reciproke të diplomave”, u tha preshevarëve kryeministri Rama, duke shtuar se kështu kemi hapur rrugën që me diplomën e Shqipërisë këtu të mund ushtrojnë profesionin në vendin e tyre. “Diploma do të jetë e barasvlershme me diplomën e marrë në Serbi”, sqaroi ai, transmeton Titulli.
Kryeministri Rama u shpreh optimist se, pavarësisht vështirësive të këtushme dhe mosdakortësive, “unë jam besimplotë se kemi hapur një faqe të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Serbisë”.
“Jam besimplotë se do të marrim përgjegjësitë që na takojnë, që gjenerata e re e shqiptarëve dhe e serbëve, traumat e trashëguara nga konfliktet jashtëzakonisht të gjata të kaluarës t’i kthejmë në miqësi e bashkëjetesë”, tha Rama.
“Jemi të bindur se na është dhënë një mundësi historike, e munguar me dekada e shekuj, kur jemi identifikuar me urrejtje e me luftëra... Sot Ballkani dhe të gjithë ne kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë moment në paqe, sikurse edhe shpërbërjen dramatike të ish-Jugosllavisë. Në këtë funksion është edhe Marrëveshja midis Kosovës e Serbisë, e arritur në Bruksel”, u shpreh Rama.
Shqiptarët, tha ai, duhet të ndjehen të barabartë kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni a Luginë e Mal të Zi. “Ballkanit i ka ardhur koha të bashkohet me Evropën. Ne kemi nevojë për Evropën, e Evropa për ne”, përsëriti sloganin Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha se ne shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, në të dy shtetet, që janë garantuese të paqes së rajonit, jemi krenarë për mënyrën se si i respektojmë të drejtat e minoriteteve.
“Në Shqipëri e Kosovë kemi modele të admirueshme të barazisë dhe të të drejtave të minoriteteve”, tha Rama, i cili në vazhdim përmendi të drejtat e grekëve e të maqedonasve në Shqipëri, të cilët tha se me asgjë nuk dallohen nga shqiptarët.
Por, Rama s’e la pa përmendur dallimet në shkallën e zhvillimit të zonës ku banojnë shqiptarët në Serbi, në fushën ekonomike, të arsimit, të shëndetësisë e të kulturës. “Të gjitha këto ia kam bërë me dije kryeministrit të Serbisë, Vuçiq”, tha kryeministri Rama.
Ai rikujtoi detyrimet që ka Serbia ndaj trajtimit të minoriteteve kundruall aspiratave evropiane.
“Pakicat nuk duhet të jenë më faktorë ndasie, por afrimi, askush të mos ndihet i mallkuar nga Zoti, por me fat, kudo që jetojnë. Të jemi evropianë duhet të japim mundësinë që secili të flasë me gjuhën e vet, të shkollohet në gjuhën e vet...”, tha Rama.
Siç u shpreh Rama, shqiptarët e Luginës nuk bën të kenë më pak të drejta se serbët në veriun e Kosovës.
Duke e mbyllur fjalën para të pranishmëve në Shtëpinë e Kulturës së Preshevës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ka ardhur koha që rruga e armiqësive në Ballkan të kthehet në miqësi. /Titulli.com/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/554150_edi-rama-presheve.jpg): failed to open stream: No such file or directory