Qeni njeri, apo njeriu qen, ose qeni qen dhe njeriu njeri?
“Fëmijët tanë të vegjël shpesh i quajmë edhe si këlysh të babait, ndërsa kur të rriten po i quajte si qenër të babait, papandehur do të urrejnë, edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën krijesë drejtuar të njëjtës krijesë”!
Shkruan: Iljasa Salihu
Nuk mund ta vlerësoj për njeri të keq atë që miqësisht e mirësisht sillet edhe me qenin. Si njerëz që jemi, si krijesë e ngritur e me përgjegjësi të shumta, duhet të sillemi mirë edhe ndaj kafshëve. Megjithatë, është e natyrshme se nuk mund të sillesh me kafshën njësoj, ashtu siç sillesh e vepron me njeriun, ngase edhe njëri edhe tjetri i kanë kushtet dhe veçantitë e tyre. Për qenin është krim futja në shtëpi të njerëzve dhe bashkëjetesa me njerëzit, ngjashëm siç është tmerr për njeriun të bashkëjetojë në shtëpizat dhe në kaçubat e qenve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendin dhe strehën e të jetuarit. Këtu futet edhe mënyra e të ushqyerit, shpenzimet për mirëmbajtjen dhe dobia nga ruajtja e atij qeni. Nuk të duhet qeni për ta zbukuruar dhomën ku frymojnë njerëzit. Ajo është e bukur vetëm me njerëz të cilët flasin dhe e këshillojnë njëri tjetrin për vepra të mira. Qeni në shtëpi duke jetuar së bashku me anëtarët e familjes, lirshëm mund të vihet në analogji me njeriun e ndërfutur në tufën e deleve e në prani të bariut njeri, duke nuhatur nëse është afruar ujku, mbase duke qëndruar edhe shpesh përskaj asaj tufe. Lehja e qenit në dhomë është e ngjashme me fjalët e njeriut drejtuar qenve në mesin e pllajës së hapur ku kënaqen së pushuari e së ngrëni qentë. Natyrshmëria e qenit është të jetojë në mesin e qenve, ashtu siç është natyrshmëria e njeriut të jetojë në mesin e njerëzve. Edhe njëri edhe tjetri si krijesa të buta që janë, kanë nevojë të shihen ndonjëherë, për të parandaluar kështu mundësinë e çartjes dhe armiqësisë së skajshme ndërmjet tyre (qen – njeri), por jo edhe të bashkëjetojnë duke i ndarë kushtet dhe nevojat e njëjta për njërin dhe për tjetrin. Kam lexuar se psikologët këshillojnë se në rast se vërehet ndonjë shenjë e çartjes së qenve, është mirë që qeni të largohet tërësisht prej njerëzve dhe të dërgohet në vende tërësisht me qenër. Aty qeni mund të gjejë prehjen, qetësinë dhe padyshim veten. Ai ka nevojë të qëndrojë ndonjëherë krejtësisht larg njerëzve, ngase edhe ata kanë gjuhën e tyre me të cilën bashkëbisedojnë. Sikur ata që kuptohen ndërmjet vete, asnjëra prej krijesave tjera nuk mund t’i ofrohet me gjuhë tjetër për të bashkëbiseduar. Disa njerëz duke lehur si qenër, mendojnë se dinë të flasin qenisht, edhe pse atë gjuhë fare nuk e kuptojnë qentë e tërë botës, paçka se hedhja e pasthirrmave të duket e ngjashme me gjuhën e tyre. Kjo përsiatje për qentë dhe njerëzit, më lindi teksa e lexova një shkrim në portalin “tetovasot.com” me titull, “Mënyra e qenit Haski dhe “ligjeratat” e deputetit Zeqiri”! Në një fotografi që kishte ofruar ky portal për lexuesit, shihet edhe një fotografi e deputetit të lumtur me qenin e tij të bardhë në një mjedis ose shtëpi për njerëzit. Edhe qeni Haski duket i lumtur. Megjithëkëtë, lumturia e tij më duket si e atyre që përmes buzëqeshjeve në fotografi duan ta mbulojnë katrahurën e vërtetë jashtë syrit të fotografit. Edhe pse njoftimet që i jep ky portal, dalin të jenë arsye e fortë që qeni të jetë i ngazëllyer edhe jashtë fotografisë. Ndonëse ai është vetëm qen dhe si rrjedhojë e kësaj, ai nuk mund të lumturohet me gjëkafshë që natyrshëm njeriun e bëjnë të lumtur. Aty shohim se shpenzimet mujore të qenit Haski mbërrijnë gati 300 euro. Nëse është e vërtetë kjo, mbase edhe nëse z. Izeti e ushqen këtë qen me parat e tij të fituara me djersë, ai në kushtet e sotme të shoqërisë së tij, del të jetë një egoist i thuktë, përderisa e mban këtë qen me kushte që sot do ta lumturonin deri në eter një të diplomuar, apo një familje skamnore, që për fatin jo të mirë, një mal familjesh me kushte të tilla sot ka shoqëria jonë shqiptare. Ai me të drejtë mund të thotë, nëse unë qenin tim e trajtojë njerëzisht, nuk do të thotë kjo se unë njerëzit i trajtojë qenisht. Unë kujdesem edhe për qenin, mbase nuk i harrojë edhe njerëzit varfanjak. Ashtu edhe mund te jetë, por assesi nuk mund ta pranojmë faktin se si një ekonomist dhe një përfaqësues i popullit, popull ky që përbëhet prej njerëzve, lejon që qeni të futet në dyshemen e njeriut dhe shpenzon për qenin aq sa një i shkërmoqur sot paguhet për punën e dërmuar përgjatë një muaji. Përndryshe nuk i mohohen aftësitë në fushën e ekonomisë z. Izeti Zeqirit, mbase as kontributi që e ka dhënë në kuvendin e Maqedonisë, duke qenë zilja më e gjallë kundrejt atyre që deri orët e vona të natës luajnë “xhokera” dhe përgjatë punëve në kuvend duan të flejnë, ngase të gjorët, vërtetë mbërthen prej pagjumësisë! (Qendrimet e shprehura ne kete shkrim jane personale)copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/04/qeni-njeriu.jpg): failed to open stream: No such file or directory