Pse Kosova po insiston në ndalimin e dinarit?
Rajoni dhe Politika

Pse Kosova po insiston në ndalimin e dinarit?

02.Feb.2024 08:34
0

Ndër temat më të diskutuara të kësaj jave në Kosovë është hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që pamundëson përdorimin e dinarit serb. Më poshtë, ju shpjegojmë më shumë për të.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Nëse hyni në dyqane apo kafene në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, çmimet do t’i shihni kryesisht në dinarë të Serbisë. Po nuk patët dinarë për të paguar, ju pranohen edhe eurot. Disa shitës, më pas, mund t’ju pyesin: A e doni kusurin në dinarë apo në euro?

Në disa zona të banuara me serbë në jug të Ibrit, çmimet janë të ekspozuara edhe në dinarë, edhe në euro.

Kjo praktikë, qysh prej pasluftës, as që është diskutuar në Kosovë deri në 17 janarin e sivjetmë. Atë ditë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), prezantoi një rregullore që përcakton se valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë është euroja.

Vendimi i BQK-së ka nisur së zbatuari prej 1 shkurtit 2024, pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar për shtyrjen e tij. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002. Sipas Nenit 11 të Kushtetutës së Kosovës, “si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”.

Si ilustrim: Qytetarët e Kosovës pranojnë rreth 1.22 miliard euro remitenca prej vendeve me valuta të ndryshme, mirëpo të gjithë ata që janë klientë të bankave komerciale në Kosovë, paratë i marrin në euro – nëse kanë llogari vetëm në këtë valutë.
Dinarë dhe euro në një kuletë.
Dinarë dhe euro në një kuletë.

Pse tërë kjo zhurmë për dinarin?

Serbët lokalë, dhe autoritetet në Beograd, pretendojnë se vendimi i BQK-së e rrezikon jetën e komunitetit serb në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës kanë përsëritur se kushdo që ka vepruar deri më tani në kundërshtim me rregulloren e BQK-së e ka shkelur ligjin.

Përmes sistemit paralel, Serbia ua paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale me dinarë.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

Disa ia kanë vënë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.

Pse u miratua rregullorja pikërisht tani?

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores për valutën e vetme, teksa ka folur në kanalin e dytë të Radiotelevizionit të Kosovës.

Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”.

Profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj, përmend edhe rrezikun e parave të pista, dhe mundësinë e prodhimit të parave nga Serbia pa mbulesë, për t’i futur në Kosovë.

Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.

Dinari serb.
Dinari serb.

A është vendimi politik?

Profesori Ramosaj vlerëson se jo.

Por, ka zëra se miratimi i rregullores e ka përzier atë me politikën, pasi që, në parim, nuk ka nevojë të miratohet rregullore e re për një ligj që veçse ekziston.

Sa para ndan Beogradi për serbët në Kosovë?

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.

Shteti serb i ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.

Disa ekspertë besojnë se investimet e Serbisë në Kosovë kanë qenë jotransparente ndër vite dhe se është e pamundur të përcaktohet shuma e përgjithshme.

Vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë ditë më parë se as nuk guxon të tregojë se sa para shpenzon Serbia për “nevojat” e veta në Kosovë.

Një postë në Graçanicë, në bankomatet e së cilës serbët kanë mundur të marrin pagat, pensionet dhe ndihmat tjera prej Serbisë, në dinarë.
Një postë në Graçanicë, në bankomatet e së cilës serbët kanë mundur të marrin pagat, pensionet dhe ndihmat tjera prej Serbisë, në dinarë.

Çfarë duhet të bëjnë serbët tani?

Fillimisht, pritet që BQK-ja dhe Banka Popullore e Serbisë të gjejnë një mekanizëm që mundëson transferim transparent të parave.

Në këtë mënyrë, serbëve të Kosovës do t'u mundësohet marrja e mjeteve prej Serbisë në bankat e licencuara komerciale.

Rrjedhimisht, qytetarët serbë do të duhet të hapin llogari në ato institucione. Banka Raiffeisen, për shembull, ka degë edhe në veri, ku janë aktive edhe mbi 10 institucione mikrofinanciare.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë)./REL/


copy(/home/titulli/public_html/images/image/inari-.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Gjermani: Punoni katër ditë, paguheni për pesë
Kurti dhe Vitia mirëpresin specializantët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja e (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration