Vështrime
Prizren: Urime Pavarësia Luginë
Katër qytetarë Ekrem Avdija – Gjilan, Dilaver Musliu – Preshevë, Gani Shaqiri – Bujanoc, Nazim Ajdini – Medvegjë, janë nisur të shtunën në këmbë nga Gjilani për në Vlorë. Ata dje kanë arrit në Prizren prej nga kanë dërguar një letër të gjithë kombit përfshi edhe shqiptarët që jetojnë në Luginë.
Këta qytetarë zgjodhën udhëtimin në këmbë për në Vlorë, për të shënuar kështu një nga format e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të përcjellë mesazhin e tyre, jemi një.
Përshëndetje vëllezër dhe motra,
Fillimisht, si bartës i këtij aksioni për dërgimin e mesazhit të mirë të urimit në Vlorë, më takon t’ia uroj vetes sime këtë festë të pavarësisë, e më pas gjithë kombit tim.
Ne, e morëm këtë rrugë Gjilan-Vlorë duke e pas parasysh se asnjëherë nuk duhet të harrojmë se edhe shumë popuj në botë kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyre. Andaj, duhet të falënderojmë paraardhësit tanë për sakrificat e mëdha dhe të madhin Zot, që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël”, por të madhe në shpirt, ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd, për të ardhur këtu në Prizren ku u dha besa për Shqipërinë e Bashkuar.
E thashë në mënyrë simbolike “shtëpizën tonë të vogël”,sepse ne mund ta kishim shtëpinë tonë të vërtetë,por gërshërët e fqinjëve ishin të mprehta,ia prenë shqiponjës krahët. Në këtë rast nuk mund të mos e ceki rolin e dy trevave martire,ku fronti i parë i betejave ishin Kosova dhe Çamëria, ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot. U sakrifikuan trojet më të begata e më strategjike, e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.
Pas rrebesheve, qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur.
Pyetja shtrohet se si do t’ia dalim të rikthejmë atë që ky 100 vjeçar na e rrëmbeu prej duarve, e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës. Shpresën e parë duket se na e dhuron koha, ajo na ndau nga ky shekull, duke na përcjellë tek pasuesi i tij, që kurrsesi nuk do i ngjasoj pararendësit.
Ndodhur në realitete krejt të ndryshme, ku bota nuk i ka hasur më pare, në kriza monetare, ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado, korridoret ku kombi ynë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojnë një rol predominant në rajon, pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë Arkontët (Zotërit) e korridoreve lindje-perëndim.
Dikush, ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama jonë nuk mund të jetë e vetmja, qoftë brenda kombit shqiptarë, qoftë edhe në kombe të tjerë, e të ndihemi kaq të lënduar! Sigurisht, nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen, ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve, Sllavëve, Venedikasve, Otomanëve, etj. pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbshme kjo robëri nga ato të mëparshmet?!
S’do shumë mend të dashur miq, në pushtime ka vrasje, masakra, ka edhe grabitje e dhunime, por ama, askush më parë nuk mundi ta zbrazte Kosovën e Çamërinë nga popullsia e saj autoktone, askush nuk mundi për ta zhbë fisnikërinë, askush nuk mundi t`i zhduk kultet, askush nuk mundi ta ndalojë të flitej gjuha shqipe, askush nuk arriti të pengonte kulturën, vallet dhe etnografinë tonë kombëtare shqiptare.
Shqiptarët duke qenë qytetarë të kësaj bote, normalisht janë anëtarë të familjes së madhe njerëzore, e ndarë në fise e fara, popuj e kombe, edhe ne na takon të kemi pozicionin tonë historik,por vallë, deri në ç’masë po e shfrytëzojmë këtë të drejtë!
Shekulli që po përcjellim,pra jo ai kalendarik, por shekulli historik i joni, duket se i atribuohen shumë fatkeqësi,dhimbje,përpjekje e mundime, pse jo edhe arritje, evenimente e ngjarje historike,ku vlen të veçojmë Pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë por jo edhe Kosovën Lindore,në Toplicë,Sanxhak e Çamëri. Edhe pse jemi në jubileun e “100-vjetorit” të pavarësisë,ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqiptar. Pikërisht nga ky vend, Prizreni historik, kulmon ëndrra e kahershme, sakrifica e burrave dhe grave të shqiptarisë për të arritur ditën madhështore, pra “100 vjet shtet”.
Në fund të fundit edhe ne, detyrat duhen ndarë, e më pas bashkëveprojmë të bashkë koordinuar.
Shqiptarët jashtë Shqipërisë festojnë këtë pavarësi të atdheut të tyre në dy realitete, njëri sy i shndrin i qeshur nga gëzimi, teksa tjetri vajton. Nuk jam emocional, por deri tani kjo hise na ka rënë për fat të keq. Ky vit po na largohet, ndoshta i merr me vete brengat tona, ku dimrat e acarta kthehen në pranvera, ku tokat tona marrë peng nga uzurpatorët kthehen tek të zotët e saj, të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërinë e miopinë e atyre që “drejtësi vendosin”.
Ky vit jubile na bënë disi më të fortë, Shqipëria është anëtarësuar në “NATO”, kandidat për në “BE”,por prapë se prapë, po luftojmë ende me komplekset e së kaluarës, gjakmarrjes e kështu me radhë po kalojmë tranzicionin e dhimbshëm e të gjatë.
Shqiptarët duhet rizgjuar. Fëmija nëse nuk qan, nëna nuk e merr, bota nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin, të drejtat nëse nuk kërkohen, nuk realizohen, dhe për pasojë vdesin kauzat e bashkë me to edhe zotërit e tyre.
Punët gjykohen nga qëllimi që ke në to, të gjykojmë qëllimet është pak e vështirë, duhet pak kohë, ne nuk posedojmë të fshehtat e zemrave tona, andaj koha është gjykuesi më i drejtë. Në këtë rast nuk mund ta lë pa rikujtua fjalimin e Presidentit Regan, mbajtur më 12 Qershor 1987 drejtuar banorëve të Berlinit Perëndimor dhe gjithë botës. Fjalim me të cilin sfidoi botën komuniste dhe udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Mihail Gorbaçov duke iu drejtuar me fjalët: “Zoti Gorbaçov, në qoftë se kërkon paqe, në qoftë se dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, në qoftë se kërkon liberalizim, etj. tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë. Zoti Gorbaçov, shembe këtë mur.’’ Edhe Evropa, nëse e donë paqen, begatinë, liberalizimin e bashkimin e BE-së, duhet ta rishikojë të kaluarën e saj jo të drejtë në kurriz të Shqipërisë dhe t`i eliminojë kufijtë që i ndajnë shqiptarët padrejtësisht!
Nëse për një çast meditojmë pak më thellë, do të shohim që rrugës na kanë ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar, e nëse nuk i bëjmë ato, atëherë brezat pas nesh do hakmerren, ndoshta do të na harrojnë, ndoshta mallkim i madh do bjerë mbi ne!Që të mos na mallkojë e ardhmja, si e kaluara ne duhet të bashkohemi.
Në mbyllje i uroj edhe njëherë kombit shqiptarë këtë 100-vjetor, jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë!
Me respekt për gjithë kombin, Ekrem Avdija
Prizren:13 nëntor 2012 copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/11/gjilan-vlore_101112.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!