Vështrime
Politika europiane, e paaftë dhe në agoni
I ndezur ndoshta prej fejesës me një grua 49 vjet më të re se vetja, Silvio Berluskoni ka shpallur rikthimin në politikë. Do të drejtojë të djathtën e qendrës, Popolo della Liberta në zgjedhjet e pranverës. Pasardhësi i tij, i pavotuari Mario Monti, është, sipas Berluskonit, duke e shtyrë vendin drejt recesionit me programin e rreptë dhe nuk gëzon më mbështetjen e PDL. Si përgjigje, Mario Monti dha menjëherë dorëheqjen.
Shkruan: Tim Parks;
Liderët europianë u tronditën nga frika. Nervozizmi mbizotëroi tregjet dhe normat e interesit mbi bondet e qeverisë italiane u rritën. Elementë të rëndësishëm e shtynë partinë e Berluskonit të rebelohet e të bëjë presion, por nëse Monti do të qëndronte si kandidat i një koalicioni të qendrës, ata do të bashkoheshin rreth tij. Ndërkohë, opozita e majtë, Partia Demokratike, është në pritje. Sondazhet u japin atyre epërsi e zgjedhjet duken “në thesin” e tyre.
Por çfarë bën Berluskoni? Thotë se, nëse Monti do të hyjë në zgjedhje, ai do të tërheqë mbrapsht kandidaturën dhe do ta mbështesë. E çuditshme?! Ai shton më tej se, nëse do jetë ai që do të zgjidhet, akti i parë do të jetë shfuqizimi i një takse të urryer mbi pronën, me të cilën Monti po godet të gjithë pronarët. Më së pari, PDL po përballet me rrezikun e përçarjes. Nëse Monti hyn në garë, rebelët e PDL-së do të jenë të gatshëm ta mbështesin atë. Nëse jo, atëherë ata nuk do të kenë një lider për t’i lënë në dorë partinë.
Pra, projektorët janë mbi Montin: ky njeri i dashur dhe i civilizuar duhet të vendosë nëse është gati për sharjet dhe keqinformimin e një fushate të vërtetë elektorale. Mos e bëj – ulërijnë senatorët e së majtës. Në mënyrë alarmante, manovrimi i Berluskonit ka hedhur hije dyshimi mbi fitoren e tyre. Me thirrjet në rritje që Monti të mos kandidojë, të majtët duken gjithnjë e më shumë të cenueshëm.
A ka kjo ndonjë rëndësi për lexuesit britanikë? A thotë ndonjë gjë të re veç konfirmimit se skena politike italiane është kaotike dhe e pakuptueshme, edhe për ata si ne që kanë jetuar në këtë vend për 30 vjet? Unë them se po.
Së pari, Berluskoni nuk është një bufon. Është e vërtetë që ai ndodhet në një proces gjyqësor për nxitjen e një minoreneje për prostitucion. Po aq sa edhe proceset e pafundme për ryshfete dhe korrupsion. Është e vërtetë që ai nuk dështon asnjëherë në prodhimin e gafave të sikletshme në samite ndërkombëtare. Por në politikë, konteksti është gjithçka. Berluskoni zotëron një pjesë të madhe të medias italiane dhe kjo i bën të tjerët të maten mirë, teksa e sulmojnë. Ai është shumë i pasur dhe proporcionalisht i rrezikshëm.
Kriticizmi i tij mbi politikën monetare të Montit është njësoj si kriticizmi i Ed Miliband ndaj Cameronit. Pozicioni mbi euron, që është e paqëndrueshme dhe përgjegjëse për rënien ekonomike në Itali, është e krahasueshme me ortodoksinë mbizotëruese në Britaninë e Madhe. Berluskoni është i vetmi politikan senior që ka kurajën të thotë të tilla gjëra, ndonëse e ha fjalën, ende pa e lëshuar nga goja. Në përgjithësi, ai mundohet të bindë këdo që pëlqen sharmin e tij, si njeri që thotë çfarë mendon. Sa më i çmendur të duket ky burrë, aq më shumë bind se ka një përpjekje sistematike për sakatimin e tij.
Por shenja më e thellë e rikthimit të Berluskonit është shpagimi për krizën e lidershipit, vështirë e izoluar vetëm në Itali. Në një përpjekje për reklamuar liderët e partive, italianët përvetësuan zakonin amerikan të primareve. Nuk funksionoi. E majta sapo ka rizgjedhur Pier Luigi Bersanin, një zyrtar i gatshëm, por edhe i mërzitshëm partie. Që prej momentit kur e majta filloi të përkulej përballë nevojës ekonomike, duke mbështetur shkurtimin e pensioneve dhe rritjen e taksave, humbi linjën ideologjike dhe tashmë nuk ngazëllen kurrkënd.
Në të djathtë, PDL ishte gati të mbante primaret, por ndërhyri Berluskoni. “Nuk ka asnjë kandidat të përshtatshëm”,-tha ai. Në këto kushte, ai ishte thjesht i detyruar të kthehej vetë. Mund të duket megalomani, por ka një perceptim të gjerë se ai kishte të drejtë. Asnjë prej grupit laraman të “yes-men”-ëve që bënë një hap para për primaret nuk kishte shans të frymëzonte publikut. Përtej liderëve kryesorë janë ndërkohë komediani Beppe Grillo dhe ekonomisti Mario Monti. Grillo, një mjekërosh i harlisur e me fizik të ashpër, karizma brutale e së cilit përshfaqet kryesisht në territorin e fyerjes, ka formuar një lëvizje popullore, e cila ia atribuon gjithë sëmundjet e vendit klasës së keqe politike. Vetë ofron ndershmëri dhe integritet, si të vetmen politikë. Sondazhet i japin Grillos rreth 17% të votave. Monti nga ana tjetër heziton të pozicionohet. Ai nuk është një politikan. Nuk ka asnjë vizion për të ardhmen, përveç rregullimit të sistemit fiskal italian dhe lumturimit të partnerëve europianë apo investitorëve të huaj. Në të vërtetë, profili i tij mund të shihet si një arritje: fakti që nuk është politikani që përpiqet të kënaqë njerëzit, ngazëllen pa masë bankierët.
Mungesa e vizionit politik pa asnjë dyshim është e lidhur me faktin se, edhe nëse zgjidhet, fuqitë e liderit janë minimale. Nëse askush nuk ka “stomak” për të braktisur euron, atëherë mbetet fare pak për t’u bërë, përtej linjës së ashpër të kursimeve. Sa kohë Europa është e udhëhequr prej Berlinit dhe Parisit, nuk ka një rrugë se si Italia mund të ushtrojë më shumë ndikim. Gazetat italiane ankohen prej kohësh mbi faktin se vendi po kthehet në një koloni europiane. Në këtë ndjesi të rëni në kurthin e makinës së kohës, e vetmja gjë që një lider mund të bëjë është lufta për disa sheqerka në ndonjë samit, e më pas ndarja e tyre në shtëpi. Panorama e madhe është përtej fuqive të liderit. Pa fuqi, nuk ka rëndësi nëse ke vizion. Mendoje në të kundërt: njerëzit me vizion nuk do ta shijonin momentin e tyre, në rolet kur nuk kanë asnjë pushtet.
Krizat shërbejnë për të nxitur ndryshime terapeutike. Ama kjo s’mund të ndodhë, nëse, gjithçka ndien një lider se mund të bëjë, është mbajtja e një kombi në agoni me shpresën se një ilaç magjik mund të zbulohet. Kjo është pika ku ndodhet politika europiane. Një ndër masat e fundit që qeveria Monti miratoi ishte dekreti që shpëton ILVA-n, fabrikën e stërmadhe të çelikut nga falimenti. Ndotja nga ILVA fajësohet për rritjen e rasteve me kancer në zonë, edhe pse avokatët e firmës mohojnë të ketë ndonjë lidhje. Por mijëra vende pune dhe shëndeti i banorëve janë në peshore. Dekreti i Montit rihapi fabrikën, duke premtuar proces industrial më të pastër. Pak besojnë se kjo do të realizohet. Gazetat raportojnë me vështirësi protestat lokale: masakra në një shkollë në Konektikat ofron një subjekt më të thjeshtë. Askush nuk përmend faktin e një bote më të rrezikshme nga nevoja e të prodhuarit çelik. Mesazhi i nënkuptuar është ai i vjetri: se janë tregtia botërore apo ngrohja globale problemet, shumë të mëdha këto për t’u zgjidhur. Ndjesia e paaftësisë mbizotëron tashmë përmes Europës. Në mes të gjithë kësaj, flakëruesi Berluskoni, i cili përdor energjitë e tij në rënie për të mbajtur të pacenuar perandorinë e tij të biznesit, sa i përket të mirës kolektive, është tashmë mrekullisht simboli se ku mbështetet kultura jonë.copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/12/tims-parks.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!