Poeti Sabit Rrustemi, vlerësohet në "Takimet e Karadakut 2015" (Video)
Lokale

Poeti Sabit Rrustemi, vlerësohet në "Takimet e Karadakut 2015" (Video)

12.Mar.2015 21:53
0
Më 11 dhe 12 mars në Kumanovë u mbajt edicioni i 23-të me radhë i manifestimit tradicional kulturor-letrar "Takimet Poetike të Karadakut". Manifestimi filloi me orën e madhe letrare, me pjesëmarrjen e 30 poetëve nga të gjitha trojet shqiptare përfshirë edhe Luginën e Preshevës

Në hapje të manifestimit, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut”, Sevdail Demiri, tha se 11 Marsi është një simbolikë e fuqishme për historinë e shqiptarëve të këtyre trojeve. “11 Marsi është datë që përkujton protestat studentore të vitit 1981 në Prishtinë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por është datë e rëndësishme që lidhet edhe me historikun e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Likovë e Karadak në vitin 2001. Andaj, pikërisht në këtë datë, tradicionalisht mblidhen poetë e shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, për të përkujtuar të kaluarën e ndritshme, por edhe shumë të rëndësishme të brezave tanë, në luftën për liri e pavarësi kombëtare. Pikërisht duke e pasur parasysh këto dimensione, ky manifestim tejkalon kornizat e një takimi të thjeshtë letrar”, tha Demiri, raporton "Lajmpress"

Ora e madhe letrare filloi me shkrimtarin, publicistin, veprimtarin e dalluar në fushën e kulturës dhe letërsisë, poetin nga Prishtina, z.Rushit Ramabaja. Më pastaj me poezitë e tyre u prezantuan poetët: Rozeta Kreste, Avni Dehari, Sabit Rrustemi, Nehas Sopaj, Nebih Bunjaku, Drita Nikoliqi-Binaj, Demush Berisha, Rexhep Abazi, Nazmi Beqiri, Sarë Gjergji, Zejnepe Alili-Rexhepi, Rahim Ganiu, Bilall Maliqi, Ismail Bilalli, Burhanedin Xhemaili, Ermira Selami, Arsim Halili, Arbër Saliu, Arben Rashkaj, Ismail Ganiu, Adriatik Zeqiri, Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi, Lindita Dushku, Qerim Bajrami, Fatos Rushiti, Ali Qerimi, Rrahman Iseni dhe Kreshnik Sopaj.

Pas orës letrare, juria në përbërje: Bejtush Memeti, Nexhat Rexha dhe Mumin Zeqiri, ndau çmimet “Fadil Bekteshi”. Si poezi më të suksesshme u vlerësuan: për vendin e parë poezia “11 Marsi ‘81” e autorit nga Gjilani Sabit Rrustemi, për vendin e dytë poezia “Pa adresë” e autores nga Tetova Zejnepe Alili-Rexhepi, ndërsa për vendin e tretë u ndanë dy çmime, edhe atë për poezinë “Drita e kujtesës” e autorit nga Kumanova Burhanedin Xhemaili, dhe për poezinë “Kartë pa adresë” e poetes nga Pogradeci Rozea Kreste. Fituesve iu ndanë mirënjohje dhe një vlerë e caktuar monetare.

Të gjitha poezitë e lexuara në këtë mbrëmje poetike, do të botohen në numrin e radhës të revistës “Doruntina”, organ i Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut”.

Për ilustrimin muzikor të mbrëmjes poetike, u kujdes violinistja kumanovare me perspektivë, Funda Aliu, duke performuar nuanca të shkëlqyera të muzikës klasike.

Ndërsa, në ditën e dytë të manifestimit, poetët mysafirë vizituan varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të kombit në Sopot, Vaksincë, Sllupçan, Orizare dhe Hotël.

Më pas, në Komunën e Kumanovës, u mbajt tribunë letrare me temë: “Letërsia shqipe në epokën e internetit, mes vlerës, kiçit dhe popullaritetit”, ku morën pjesë aktive shumë poetë, shkrimtarë e dashamirë të artit e kulturës shqiptare. /Titulli.com/

Medvegja ka investuar rreth 100 mijë euro në kulte fetare
Policia e Austrisë do të vendoset në kufirin e Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration