Përvjetori i Pavarësisë virtuale
Këtë të diel bëhen pesë vjet nga dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti i vitit 2008 ishte e diel. Atë ditë patëm më shumë shpallje sesa pavarësi. Madje aq shumë shpallje e aq pak pavarësi saqë shpallja e pavarësisë ishte shpallje pa pavarësi të njëmendtë. Edhe ky përvjetor tash është të dielën, si për të na konfirmuar se jemi ende duke festuar shpalljen dhe jo pavarësinë.
Shkruan: Albin Kurti;
Në ditë pushimi u shpall pavarësia. Festojmë ditën e pushimit më shumë se pavarësinë. Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe njohja që pasoi nga ShBA-të, Franca, Britania e Madhe etj. ishte hapi përpara i Kosovës. Megjithatë Deklarata e Pavarësisë e ktheu Kosovën edhe tre hapa mbrapa. U instalua misioni i EULEXit dhe cenimi i drejtpërdrejtë i vetëvendosjes së brendshme, në kuptimin që Kosova në vazhdimësi nuk do ta qeveriste veten. Festa dhe dalldia e krijuar nga shpallja u shfrytëzua për ta evituar vëmendjen nga ç’po ndodhte vërtet. E vërteta e deklaratës e shpalli veten në kontrabandimin e ngutshëm të flamurit, stemës dhe ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit.
Dy ditë më vonë strukturat ilegale të Serbisë dogjën ndërtesat e Shërbimit Policor dhe Doganave të Kosovës në Leposaviq dhe Zveçan, duke vënë kështu shenjën e re që ju shtua problemit të vjetër... Pavarësia e shpallur zgjati një ditë, vetëm të dielën, më 17 shkurt 2008. 1826 ditë të tjera u punua në minimin e saj, nga strukturat kriminale të Serbisë, nga mbikëqyrja ndërkombëtare nëpërmjet misioneve jodemokratike dhe ndërhyrjes së ambasadave, nga paaftësia dhe korrupsioni i Qeverive Thaçi 1 e 2. Në nëntor të 2008-ës na u paraqitën 6 pikat e Ban Ki Moon-it të modifikuara për Serbinë, dhe të pranuara nga BE-ja, që synonin ndarjen e Kosovës në dysh. Në to parashikohej që rreth 1/3 e territorit t’u jepej strukturave ilegale të Serbisë, që nënkuptonin kontroll të drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës.
Tani sërish çfarë po na njoftohet nga dialogu politik në Bruksel ka formën e të njëjtave shenja. Strukturat ilegale do të pranohen në Policinë e Kosovës, madje-madje dhe në FSK, të tjerët në Gjykata, paratë nga Doganat në Fondin për veriun. 6 pikat e Ban Ki Moonit janë shkrirë në 7 pikat e dokumentit të kryeministrit Thaçi, të bëra publike më 14 janar 2012 në takimin me liderët e partive politike të Kosovës para takimit të 17 janarit në Bruksel. Misioni nga BE-ja, paraqitja e re ndërkombëtare, saktësoi qëndrimin e ri në “përputhje” me zbrazëtinë e pavarësisë, neutralitetin. I ardhur në Kosovë më 9 dhjetor 2008, EULEX-i firmosi, pak më shumë se një vit më vonë, protokollin policor me Serbinë, për bashkëpunim dhe shkëmbim informatash. I njëjti mision prej 2011-ës ende sot dërgon me helikopterë doganierët për në kufijtë veriorë të Kosovës, në pikat 1 e 31. Ende neutral ndaj statusit të Kosovës, me fuqi ekzekutive në drejtësi e polici, EULEX-i legjitimoi barrikadat duke i fluturuar prej ajrit doganierët. Në korrik të 2010-ës, përkundër opinionit këshillëdhënës të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e Pavarësisë është legjitime, Kosova mbeti e kapur në të njëjtin problem.
As dy muaj më vonë Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për negociata të reja në mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësia u vendos sërish përballë shpalljes. “E shpallim Kosovën të pavarur” – nga kush? Nga pavarësimi. Vjedhja e të vetmit moment legjitimues, institut i brendshëm i pavarësimit, vullneti i shprehur popullor për kuvendin, mundësoi ndërrimin e qeverisë Thaçi 1 në Thaçi 2. Ky ndërrim u kurorëzua me fillimin e dialogut teknik në mars të vitit 2011. Përveç neutralitetit, falë dialogut teknik, BE ka për Kosovën dhe një shënim në të cilin saktësohet se “ky emërtim nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe është në pajtim me Rezolutën 1244/99 dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) rreth Deklaratës së Pavarësisë”. Fusnota, shenja e re për kërkesën e vjetër, Republikën. Intervenimi i 25 korrikut, tërheqja e turpshme e Qeverisë, djegia e sërishme e pikave doganore ndodhi në mes të këtyre bisedimeve me ç’rast u aktualizua ‘problemi’ i veriut, si temë e mëvonshme në dialog me Serbinë.
Ndryshimet e vërejtshme të pas 2008-ës janë vetëm kalimi prej UNMIK-ut në EULEX dhe prej OKB-së në BE. 4-vjetorin i shpalljes u fundos te fusnota më 24 shkurt 2012, e tash 5-vjetorin po e presim me fondin e zhvillimit për veriun. Pesë vjet më vonë e kemi të njëjtën Qeveri duke dialoguar, tanimë politikisht me Serbinë. E kemi kryeministrin që takohet rregullisht me ish-zëdhënësin e Milosheviqit dhe e kemi presidenten që takohet me ishnënkryetarin e Sheshelit. Pas degradimit teknik të pavarësisë, po na e përgatisin edhe degradimin politik e territorial të saj. Gjatë këtyre 5 viteve qeveritë e Kosovës kanë bërë akte simbolike, ndërsa Serbia ka bërë akte politike. Prandaj sot na ka mbetur vetëm simbolika./Titulli.com/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/01/albin-kurti.jpg): failed to open stream: No such file or directory