Vështrime
Përuruesit e vetëvrasjes!
Botërisht urrehet vetëvrasja! Fetarisht ndalohet mbytja dhe vrasja e vetës. Pavarësisht kësaj, kjo dukuri gjithnjë e më tepër po merr dhenë. Sterra e kësaj tragjedie është shumëdimensionale.
Shkruan: Iljasa Salihu
Duke dashur t’i japin fund jetës së pafundme, ata ndoshta me pavetëdijën e tyre, ngjasojnë atë që dëshiron ta shuaj etjen duke pirë ujë të njelmët në detin e kripur. Ata mendojnë se përmes vetëvrasjes do t’i ikin shumë përgjigjeve e borxheve të ndryshme, por vallë si nuk ndalen vetëm pak të mendojnë se si mund t’i ikin ose shmangen pyetjeve dhe borxhit në botën tjetër për të bëmat në këtë botë të përkohshme?
Po si të mendojnë ata kaq thellë kur vetë fakti i ikjes së një përgjegjësie për të menduar kështu, i shpie në vendime të këtilla fatale. Jo rastësisht thuhet se nëse nuk e beson Krijuesin dhe nuk e adhuron si të vetëm Atë, atëherë pas kësaj boshatisjeje është e njëjtë çmenduria me mençurinë, si dhe çdo veprim i tyre nuk gjykohet në saje të çmendurisë a mençurisë, por në saje të asaj se ai ishte jobesimtar!
Ndaj, edhe pse dijetarët islam nuk pohojnë se i vetëvrari është pabesimtar, përpos nëse ai ka thënë se vetëvrasja nuk është mëkat i madh, sërish një veprim i këtillë vë në pikëpyetje të theksuar “shëndetin e besimit”! Faktorët janë të shumtë dhe pasojat tashmë janë të njohura për gjithsecilin.
Si shkaqe më të theksuara të vetëvrasjes paraqitet dashuria dhe papunësia, pse jo edhe pasuria e tepërme. Kjo është ajo që e thonë ekonomistët dhe sociologët. Ndërsa teologët thonë se shkaku parësor i vetëvrasjes është mungesa e besimit në Zot, gjë që kjo është shumë e vërtetë, duke mos i hedhur poshtë edhe pohimet e sipërpërmendura në cilësinë e nën faktorëve.
Meqë jemi shqiptar, thumbin e shqetësimit tonë, do ta përqendrojmë në anarkinë tonë që ka filluar me lebeti të troket nëpër dyert tona, të cilët më herët goditeshin prej duarve të policëve, të cilët merrnin zvarrë bijtë tanë më të mirë për në stacionet e ftohta policore.
Në kohën e kaluar, ndonjë luftëtar shqiptar, ishte vetëvrarë vetëm në beteja të luftës, duke qenë i vetëm dhe i rrethuar prej gurrës së kundërshtarëve (armiqve) të tij. Ndërsa tani, duket të jetë beteja e dashurisë dhe ajo ekonomike më e fortë se ajo e luftës! Edhe më herët kishte pasur dashuri, por jo të llojit që tradhtitë mëtohen të mbulohen me dhurata të shtrenjta kushtuar të dashurve a bashkëshorteve dhe me muzikë mbytëse. Ndërsa sa i përket kushteve ekonomike, atëkohë ishin shumë më të vështira dhe kësisoj fare nuk kishte vetëvrasje nëpër mjediset tona!
Përskaj kësaj dukurie në rritje, shtresa intelektuale, sidomos ajo e letërisë, aq shumë e bën të dashur dhe emocionale dashurinë ndërmjet familjeve me ndasi dhe me ndonjë armiqësi të thellë, sa lirisht sot mund t’i fajësosh këta se ngjeshur përuruan vetëvrasjen me motive për dashuri, mbase sot vetëvrasje përpos dashurisë, deri diku edhe të pasurisë vështirë se gjenden ndonjë lloj a motiv tjetër.
Romeo dhe Xhuljeta është një tragjedi e publikuar në vitin 1597 nga William Shekspiri (William Shakespeare). Ajo tregon historinë e dy të dashuruarit, fiset e të cilëve ishin armiq të përbetuar.
Romeo shpejton për në Veronë tek varri i gruas së tij, për ta shikuar për herë të fundit, merr një helm dhe vdes në krahun e saj. Në të njëjtin moment, Xhuljeta zgjohet nga gjumi i saj, gjumë që ngjasonte me vdekjen, shikon se çfarë ka ndodhur, merr kamën e Romeos dhe e vret poashtu veten nga dëshpërimi.
Në këtë rast nuk duhet anashkaluar edhe rolin e Ibrahim Tatlisesit, i cili ndikoi që shumë vajza të hidhen nga Ura e Bosforit në ujërat e ftohta të Bosforit, mbase edhe prej disa pendave të mbushura më shumë me moçale se sa me ujë në vendet tona!
Nëse jemi të sinqertë në brengosjen e përshkallëzimit të kësaj dukurie shkatërruese, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, atëherë t’i heqim qafe faktorët dhe nënfaktorët që e trashën këtë dukuri, siç ishte rasti me tragjedinë (ndoshta të sajuar) të Romeo dhe Xhulijetës, Ibrahim Tatlisesit dhe i disa përkthyesve shqiptare të cilët u bën milioner duke i kënduar këngët e Ibrahim në gjuhën shqipe.
Të ngritet vetëdija e besimit në Zotin Një, të pranohet e vërteta se Ai është që jep jetë dhe poashtu është Ai që merr jetë. Një ditë gjithsesi do të vdesim, ndaj përse të ngutemi duke e vulosur ndoshta edhe dënimin e përjetshëm në botën e pambarimtë?
Gjatë këtyre ditëve po flitet shumë nëpër media të shkruara për një Romeo e Zhulieta nga Podgorica. Këta të dashuruar, duke qenë se ishin me përkatësi të ndryshme fetare, prej familjeve të të dashuruarve shiheshin me syrin e urrejtjes dhe pamundësisë për të qenë bashkë ky çift i dashuruar tmerrësisht. Në pamundësi të durimit, këta hidhen në ujërat e ftohta të Cemit. Edhe pse këta ishin hedhur duke pasur për qëllim dhënien lamtumirë kësaj bote dhe shpëtimin e dashurisë së tyre, ata sërish shpëtuan!
Sërish gjetja e shpëtimit kërkohet aty ku edhe të gjithë shpëtimtarët e botës nuk do të mund të shpëtonin! Shpëtimi i dashurisë kërkohen në ngulfatjen e të dashuruarve.
Vallë si mund të kemi dashuri pa të dashuruar? Mund të kemi dashuri me kufoma të shëmtuara? Mund të flijohemi vetëm për një porosi kushtuar brezave të rinj, duke i dhënë fund kësaj jete me vetëdëshirë, duke qenë se padëshirën dhe pavullnetin tonë erdhëm në këtë botë? Përgjigja është me një JO të madhe!
Tragjedia nuk ekziston vetëm në tragjedinë e vetëvrasjes për hir të “dashirsë së ndaluar”! Ajo qëndron edhe në kokat tona gjoja të ndritura, të cilët për hir të bërjes “letërsi melankolike” zbukuruan të shëmtuarën, përfituan nën emrin e të përvuajturve dhe zbukuruan arkivolin vetëm sa për të rrezatuar pak bukuri në xhenazen e shëmtuar!
Madje disa koka të këtilla në kohën kur Bekim Femiu i dha fund jetës së kësaj bote përmes vetëvrasjes, thanë se vetëvrasja është cilësi e njerëzve të mëdhenj. Çfarë dokrra, por sidoqoftë me pasoja të mëdha!
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.comcopy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/06/vetëvrasja.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!