Për Bujanocin, shpëtimi në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Në vendet e zhvilluara ndërmarrjet e vogla dhe ato familjare përbëjnë 70 për qind të ekonomisë, ndërsa në Serbi vetëm dhjetë për qind. Megjithatë, kur nuk ka punë në ndërmarrjet shoqërore dhe as në firmat e financuara buxhetore, ndërmarrjet e mesme dhe të vogla mbeten shpresa e vetme.
Në Bujanoc kësisoj ndërmarrjet, me ndihmën e subvencioneve të ndara nga Qeveria e Serbisë dhe komunat, po përpiqen të rrisin prodhimin dhe të “luftojnë” papunësinë e madhe në këtë rajon.
Mirëpo, edhe përskaj këtij angazhimi, papunësia mbetet sfida kryesore e pushteteve në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Si pasojë e mos angazhimit, shumë familje shqiptare nga ky rajon vazhdojnë të lëshojnë vendin, duke kërkuar azil në shtetet perëndimore, ndërsa ato që jetojnë në këto komuna, ditë e më shumë i shtohen listave me raste sociale.
Sipas të dhënave të Odës Ekonomike në Bujanoc, prej 216 ndërmarrjeve, tetë janë të mesme, dy të mëdha, ndërsa tjerat janë të vogla, të cilat merren me veprimtari të ndryshme, raporton Titulli.
Në Bujanoc, 16 ndërmarrje shoqërore presin privatizimin. Punë nuk ka as në sektorin ku financohet nga buxheti, për atë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla janë shpresa e vetme.
Ndërmarrësit të cilët nga shteti, përmes Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë fituar subvencione për blerjen e pajisjeve, kanë zgjeruar prodhimtarin dhe kanë pranuar punëtorë të rinj, nuk e kanë të siguruar vendin e punës edhe pas përfundimit të mjeteve subvencionuese.
Punësimi në institucione publike në këto komuna, për banorët të cilët kanë kualifikim paraprak, sipas qytetarëve është minimal, pasi ai në këtë rajon në masë të madhe ndikohet nga politika. /Titulli.com/