Osmani: Mund të ketë sfida e tensione në Ballkan
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, konsideron se është e domosdoshme marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi siç thotë ai, po ndodhin ndryshime të shpejta në gjeopolitikë, e të cilat nuk e favorizojnë Ballkanin.
Kryediplomati maqedonas në intervistën për KosovaPress, thotë se në Ballkan ende mund të ketë sfida e tensione, andaj thekson se nevojitet vëmendje e veçantë.
Ai ka folur edhe për draftstatutin për Asociacionin, ndërsa për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, tha se ka kthyer gjithçka në pikën zero.
“Situata e sigurisë në Ballkan është ende me sfida, nuk besoj që ka një kërcënim eminent për destabilizim. Kjo është në bazë të analizave që i bëmë si vende anëtare të NATO-s, edhe si kryesues i OSBE-së, dhe në bazë të gjitha informacioneve bilaterale që kemi. Do të thotë në Ballkan nuk presim ndonjë destabilizim që mund të ndodhë, mirëpo sfida e tensione mund të ketë, duhet një vëmendje e veçantë”, thotë ai.
Për çështjen e sigurisë në Ballkan dhe rrezikun potencial së fundmi ka folur edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sipas të cilit “Rusia po përgatit një luftë në Ballkan”.
Osmani thotë se deklaratat e tilla janë mesazh plus se pse duhet të mbyllen me shpejtësi temat e mëdha.
“Ne gjithmonë kemi qenë të vëmendshëm për eventualisht, zgjerim të konfliktit në Ballkan. Ballkani ka dosje të hapura, të cilat janë, në një mënyrë, potencial për eskalim dhe sigurisht se ka akterë të cilët do të kishin dashur të defokusojnë opinionin botëror me një krizë të re dhe ky është një mesazh plus se pse ne duhet të ngutemi të mbyllim temat e mëdha këtu në rajon, që të mos lejojmë tokë pjellore për të gjithë ata akterë malinjë të cilët duan ta kenë Ballkanin territor rezervë për konflikte”, thotë Osmani.
Si rrjedhojë, Osmani thotë se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë momentumin për t’i përmbyllur mosmarrëveshjet.
“Ju e dini se Maqedonia e Veriut ishe nikoqire e atij dialogu (marrëveshja e Ohrit) që flet shumë për interesin tonë që sa më shpejt të përmbyllen dallimet mes Kosovës dhe Serbisë. Pozicioni i Maqedonisë së Veriut është se ne e mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dyja vendeve, të cilat në qendër do të kenë njohjen e ndërsjellë dhe pastaj rrugëtimin euroatlantik të të gjithë rajonit. Inkurajojmë palët që të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike dhe të avancojnë procesin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjeve sepse kohërat dhe gjeopolitika po ndryshojnë dhe mendoj se këto ndryshime nuk po shkojnë në favor të rajonit”, thotë ai.
Përndryshe, thekson se çdo zvarritje do t’i dëmtonte palët në proces, por edhe gjithë rajonin.
“Unë mendoj se nuk ka alternativë [për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi]. Çdo zvarritje, mendoj se i dëmton palët në proces. Gjeopolitika po ndryshon, rendi botëror po ndryshon, agresioni rus në Ukrainë ka thyer parimet bazë të arkitekturës së sigurisë në Evropë, dhe kjo sigurisht se nuk favorizon vendet e vogla në rajon. Prandaj, duhet të shfrytëzojmë këto momente të rëndësishme gjeopolitike, interesin e SHBA-së dhe Evropës që të mbyllim temat e mëdha, për shkak se mendoj që e ardhmja nuk do të jetë e favorshme”, thekson Osmani.
I pyetur për agresionin serb në Banjskë dhe masat e vëna ndaj Kosovës, kryediplomati maqedonas thotë se ajo që ndodhi më 24 shtator kërkon reflektim të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, në mënyrë që më pas të mund të vazhdohet me dinamika të tjera.
“Unë mendoj se ajo që ndodhi në Banjskë ishte një situatë kthimi, të asaj që kishte ndodhur deri atëherë, sepse na riktheu në pikën zero. Në atë se a ka ende akterë në rajon, të cilët mendojnë për zgjidhje territoriale të çështjeve etnike. Andaj, kjo ishte një çështje reflektimi, për të cilën duhet edhe Bashkimi Evropian, edhe ne vendet në rajon, fillimisht të adresojmë akterët të cilët mund të kenë ambicie për zgjidhje territoriale të çështjeve etnike e pastaj të vazhdojmë me dinamika të tjera. Unë mendoj se është e domosdoshme të deeskalojë situata mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se koha e luftërave ka përfunduar. Ka dy alternativa, luftë ose paqe. Zona gri është shumë e rrezikshme. Prandaj, nëse vlerësojmë se luftërat në Ballkan kanë përfunduar, atëherë e vetmja alternativë që ka mbetur janë pajtimi, mbyllja e çështjeve të hapura, bashkëpunimi, progresi i të gjitha vendeve drejt Bashkimit Evropian”, thotë ai.
Sa i përket draftstatutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, nga emisarët euro-amerikanë, Osmani duke mos komentuar shumë, thotë se është çështje e Kosovës të vendosë për rregullimin e brendshëm.
“Është çështje e autoriteteve të Kosovës që të vendosin për të ardhmen e Kosovës, për rregullin e brendshëm në Kosovë. Maqedonia e Veriut mund të japë vetëm mbështetje dhe inkurajim edhe palës kosovare, por edhe asaj serbe, që të vazhdojnë angazhimin drejt mbylljes së dallimeve sepse këto po mbajnë peng zhvillimin e të dyjave shteteve por edhe gjithë rajonin”, thekson ai.
Kryediplomati maqedonas, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, tregon për KosovaPress, sfidat me të cilat po përballen aktualisht. Porse, shprehet optimist se do të mund të gjejnë një zgjidhje për vazhdimësinë e organizatës.
“Unë shpresoj se po. Edhe pse OSBE gjendet në një fazë kritike, në një moment kritik të ekzistimit të vet 50 vjet pas themelimit, na ka rënë neve mbi shpatulla që të merremi me këto çështje ekzistenciale të BE-së, na ka rënë mbi shpatulla që të merremi me këto çështje ekzistenciale të OSBE-së. Po bëjmë përpjekjet tona, shpresojmë që këto 10 ditë të mbetura para Këshillit Ministror në Shkup të gjejmë zgjidhje për çështje të cilat po ngarkojnë mbi të ardhmen e organizatës. Unë kam për detyrë të kem shpresë dhe të jem optimist për shkak se jam kryesues i organizatës dhe po humba unë shpresën, atëherë sigurisht se nuk do të ketë asnjë shans për sukses”, thotë ai derisa shton se katër liderët ekzekutivë të OSBE-së, të cilëve u skadon mandati, janë pjesë e paketës së bisedimeve me vendet participuese.
Ndryshe, Samiti i OSBE-së do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Maqedoni të Veriut, ku edhe do të vendoset se cila do të jetë e ardhmja e organizatës./KSP/