Vështrime
Një punë për Shaqën!
Shaqir Qamilin, nga Lugina, askush nuk e njeh me emrin e tij të vërtetë. Të gjithë e thërrasin Shaqa, bile edhe fëmijët e tij, gruaja, madje edhe nëna dhe gjithë mëhalla e rajoni. Babanë, nuk e dëgjon as të flas e as ta thirrë, sepse atë e humbi sa ishte në luftën e Kosovës. Nuk pat mundësi të vijë, as në varrimin e tij. Ngallëpi Shaqa, nuk lyp ndonjë filozofi shpjeguese. Është shkurtesa e emrit Shaqir, ose dy germat e para të emrit dhe dy germat e para të mbiemrit: Shaqir Qamili.
Shkruan: Drilon Hyseni;
Shaqa, është një burrë i imtë, thatanik e mustaqezi! Flet pak, e cigaren, edhe kur e thotë ndonjë fjalë, nuk e heq nga buzët e tij të thara nga ajri e freskët dhe tymi i vlazhgët i duhanit.
Në luftën e Kosovës, në UÇK, veç si Shaqë, atë e njihnin edhe me nofkën Pushka. Tërë ditën merrej me të si të ishte ndonjë lodër. Kur ndonjëherë dëgjohej ndonjë krismë pa urdhrin e komandantëve, thonin: krisi Pushka e Shaqës.
Pushka
Me këtë nofkën e Pushkës, Shaqën e njohën edhe në Luftën e UÇPMB-së në Luginën e Preshevës dhe në UÇK të Maqedonisë.
Luftërat mbaruan. Shaqa e dorëzoi pushkën dhe nofkën e vari në kujtesën e njerëzve që e njohën dhe e duan. Kur e dorëzoi pushkën, ofshani tri herë, e tha se ishte i mërzitshëm sa kur i vdiq, baba, e spati mundësi të marrë pjesë në varrim dhe në organizimin e të pamës.
Shprehia e mbajtjes së pushkës në dorë, Shaqës, i ka lënë një ves, të cilën e çmall me një çekan, me të cilin del të shitet te tregu i njerëzve për ndonjë punë.
Shaqës i pëlqen kur niset për punë me kësmet, të pijë kafen e mëngjesit në kafeterinë e tij të preferuar “Lezeti”. Aty veç kafes, shkëmben disa llafe me shokë, të cilët rrallë e lënë ta fus dorën në xhep, për të paguar, ngase ia dinë hallin.
Shaqa nuk ka ndonjë vend pune me kontratë, apo nënkontratë komunale a shtetërore. Ai, kurrë se ka varur interesin se një ditë do të punësohet si shokët e tij, për të marrë pagë nga shteti, për të pasur sigurim social dhe stazh të rregulluar jetësor. Është mësuar Shaqa, me dy duart e tij, të siguroj kafshatën për pesë kalamajtë dhe shoqen shtëpiake, pa asnjë të punësuar në shtëpi.
Me dy duart e tij të çelikta i ushqen, veshmbathë e shkollon, gjashtë fëmijët e tij, të cilët të gjithë i njohin si për nga pamja ashtu edhe për nga sjellja e urtësia.
Politika
Me të mbaruar lufta, gjërat filluan të rrjedhin ndryshe. Popullata shqiptare e Luginës, fitoj përfaqësinë e saj në kuvendet komunale në Preshevë, respektivisht në Bujanoc. Fatin e jetës publike, e mori në dorë skena politike shqiptare.
Shokët e tij të idealit, ishin shpartalluar. Disa nga ta ishin vrarë, disa ishin burgosur, e disa ishin shpërngulur nga vendlindja, meqenëse akuzoheshin për terrorizëm. Por, kishte edhe nga ata që iu futën politikës.
Shaqa, mbeti askund, me çekan në krah. Ai ka aplikuar për statusin e veteranit të UÇK-së dhe mban në shtëpi disa mirënjohje të UÇPMB-së dhe UÇK-së të Maqedonisë.
Jeta ekzistenciale për Shaqën, morri të keqen me të madhe. Se kishte menduar se do të ndodhte kështu. Ideali i tij, i premtonte tjetër gjë. Ai qe i gatshëm, të vdiste për atë ideal, mirëpo idealin e tij, tanimë e kishin marrë në dorë elitë tjetër, dhe atij tashmë i kanosej rreziku.
Rastësisht, e takuam në majin e lulëkuqeve të Luginës, po në të njëjtin vend, te “Lezeti”. Atë mund ta gjesh vetëm në mëngjes, ngase nuk dihet ku e zë dita, e ku nata.
Shpresa
E zumë Shaqën tek pinte kafe e tymoste duhan. U ulëm pranë tij dhe a e dini çka na tha: Shokë, shpesh mendoj ta shes njërën veshkë për ta shpëtuar tjetrën, ngase mund t’i humbas të dyja nga bodrumet e lagështa e me plot myk. Kështu me veshkën e shitur mund t’i zvogëloj borxhet dhe t’ua lehtësoj pak hallet e familjes, që presin nga unë bukën e gojës”.
I përjetova tri luftëra në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, po e bëjë edhe një në Siri, e le të dalë ku të dalë.
Vetëm se fëmijët e dëshmorëve, familjarët e dëshmorëve, po marrin nga pak ndihma, pak po lirohen nga taksat dhe kontributet e shkollimit dhe shëndetësisë.
“Më mirë të kisha qenë dëshmorë e fëmijët e mijë të fitojnë diçka se sa të jem dëshmorë i gjallë e fëmijët e mijë të heqin keq. “
Mbetëm pa gojë e mend kur e pamë dhe e dëgjuam të fliste kaq gjatë Shaqa, duke e njohur si fjalëpaktë. Kësaj radhe ne i folëm pak e shkurt Shaqës: “Ruaje durimin burrë! Do të bëhet mirë”, dhe qeshëm së bashku.....
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.comcopy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/06/bujanoci.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!