Një muaj heshtje për vdekjen në Serbi, për të cilën nuk dihet asgjë në Serbi
Quhej Shoib Tasal dhe ishte 21 vjeç. Ai vinte nga Afganistani.Shoib ka humbur jetën saktësisht një muaj më parë në Serbi.
Vdekja e tij është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetet sociale. Nuk dihen ende shumë detaje rreth rastit.
Organizata “No name kitchen”, e cila i ndihmon njerëzit në lëvizje, njoftoi se Shoib Tasal vdiq në kufirin me Kroacinë, pasi u godit nga një tren më 11 prill.
Aktivistët u kërkuan ndjekësve t’i ndihmojnë prindërit e Shoibit të mbledhin para për t’i mbuluar shpenzimet e transportit të trupit të tij.
“Ky është realiteti i ashpër i jetës në lëvizje dhe jetës në kufijtë evropianë, ku njerëzit kthehen me forcë dhe ilegalisht”, thuhet në përshkrimin e postimit.
Serbia ndodhet në të ashtuquajturën ‘Rrugë ballkanike’, nëpër të cilën kalojnë njerëzit në lëvizje, të ikur nga lufta dhe varfëria, me shpresën për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian.
Irina Fehr, një vullnetare e "No name kitchen", tha për Radion Evropa e Lirë se morën informacion për vdekjen e një të riu nga Afganistani nga njerëzit që po ashtu ishin në lëvizje dhe se më vonë u kontaktuan nga familja e Shoib Tasalit.
“Ne ishim në kontakt të ngushtë me ta dhe i ndihmuam që të organizonin riatdhesimin e trupit dhe mbështetja që mundëm t'u ofronim anëtarëve të familjes përfshinte kryesisht përkthimin, kontaktimin me [kompaninë që ofron] shërbimin e funeralit dhe shpërndarjen e fushatës për mbledhjen e fondeve në rrjetet tona sociale”, tha Fer.
Ndërkaq, në uebsajtin “Go found me”, është publikuar thirrja për donacione, në të cilën konfirmohet se pjesa më e madhe e mjeteve të grumbulluara do të përdoren për t’i mbuluar shpenzimet e transportimit të trupit në Afganistan, ndërsa pjesa tjetër do të dërgohet te prindërit e 21-vjeçarit.
"Së bashku mund të sigurojmë që familja e Shoibit mund t'i japë atij një lamtumirë të vërtetë dhe të gjejë ngushëllim në këto momente të vështira", thuhet në përshkrimin e fushatës.
Irina Fer shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se kthimi i trupit te prindërit në Afganistan ka qenë i suksesshëm, gjë që nuk është gjithmonë kështu, sepse asnjëherë nuk dihen shumë vdekje të emigrantëve.
Një i afërm i Shoib Tasalit, Faridullah Khorshid, i tha Radios Evropa e Lirë se Shoib fillimisht shkoi në Turqi pasi kishte mbaruar klasën e 12-të të arsimit në Afganistan, e më pas erdhi në Serbi para disa muajsh.
"Ai kishte për synim një jetë më të mirë në Evropë. Fatkeqësisht, rrugëtimi i tij nuk shkoi sipas planit dhe vdiq tragjikisht", tha Korshid, duke theksuar se vetë familja nuk ka shumë informacione për vdekjen e Shoib Tasalit.
Nuk dihet se si e humbi jetën 21-vjeçari.
“Ka histori të ndryshme për ngjarjet që çuan në vdekjen e tij dhe ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, theksoi Irina Fehr, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Brendshme, si dhe Komisariati për Refugjatët dhe Migracionin, nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për të konfirmuar dhe dhënë më shumë informacion lidhur me vdekjen e Shoib Tasalit.
Irina Fehr deklaroi se organizata “No name kitchen” nuk ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me policinë, por se sigurisht [policia] është e informuar për këtë rast.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Beogradit për Mbrojtje dhe Ndihmë të Azilkërkuesve, Radosh Gjuroviq, pranon se nëse vdekja do të ndodhte si pasojë e goditjes nga një tren, policia do të duhej të kryente një hetim.
Vdekjet e pavërejtshme në Serbi
Radosh Gjuroviq tha se Qendra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Azilkërkuesve nuk ka të dhëna për numrin e të vdekurve përgjatë kufirit dhe brenda territorit të Serbisë. Ai thekson se është e pamundur të dihet numri i saktë i tyre.
“Mendojmë se një numër i caktuar i personave që kanë ndërruar jetë nuk dihet. Ata janë raportuar si të zhdukur, ose miq, të afërm nga vendi i origjinës ose nga disa vende evropiane ku [ata të afërm] kanë shkuar, pyesin për ta por asnjëherë nuk është vërtetuar se çfarë ka ndodhur me ta”, tha Gjuroviq.
Siç sqaroi ai më tej, ka mundësi që numri i viktimave të jetë shumë më i madh dhe që nuk do të mund të përcaktohet asnjëherë.
“Danubi, Drina, Tiza – këta janë lumenj të mëdhenj, në të cilët njerëzit mund të mbyten kur tentojnë të kalojnë kufirin dhe raste të tilla kanë ndodhur, kështu që ka mundësi që një numër i njerëzve të mos jenë identifikuar kurrë”, u shpreh Gjuroviq.
Mirëpo, përveç mbytjes në lumenj, shkak i vdekjes mund të jetë edhe goditja nga rryma, hipotermia apo ndonjë aksident trafiku.
“Ata kanë vuajtur edhe gjatë transportit, duke qëndruar në kamionë të mbyllur, në cisterna gjithashtu – në të njëjtën mënyrë kur njerëzit s’kanë mjaftueshëm ajër dhe lëndohen”, tha Gjuroviq.
Milica Shvabiq nga organizata joqeveritare “Klikaktiv”, tha se në rastet e vdekjes ekziston një procedurë zyrtare që duhet ndjekur, por që nuk respektohet në praktikë.
“Sipas procedurës zyrtare, me gjetjen e kufomës, ajo duhet të transferohet në morgun e spitalit më të afërt, ku do të bëhet autopsia dhe nëse personi nuk ka dokumente identifikimi me vete, do të merret materiali i ADN-së për analiza dhe për krahasime më vonë”, theksoi Shvabiq.
Më pas i ndjeri varroset si person i panjohur, me një numër të caktuar.
“Megjithatë, në verën e vitit 2020, ne morëm informacione jozyrtare përmes telefonit, se shumë shpesh, kur shohin se bëhet fjalë për migrantë apo refugjatë – dhe këtë e përcaktojnë vetëm në bazë të pamjes fizike dhe ngjyrës së lëkurës – nuk e dërgojnë trupin fare për autopsi, nuk e marrin materialin e ADN-së, vetëm e dërgojnë direkt në varreza dhe bëhet varrimi”, tha Shvabiq.
Komisariati për Refugjatët dhe Migracionin nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa migrantë kanë vdekur zyrtarisht në territorin e Serbisë që nga fillimi i krizës më 2015.
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga tetori i vitit 2021, rreth 70 refugjatë dhe migrantë janë vrarë ose kanë vdekur në Serbi që nga viti 2015.
Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare të reja, aktivistët nga rajoni kanë krijuar një bazë të dhënash “4D”, në të cilën dokumentojnë vdekjet e emigrantëve në të ashtuquajturën 'Rrugë ballkanike'.
Në vitin 2020, “Klikaktiv” u përfshi në menaxhimin e kësaj baze të dhënash. Milica Shvabiq, nga kjo organizatë, tha se të dhënat më së shpeshti mblidhen nga mediat, e që nuk paraqet numrin e vërtetë të viktimave.
“Ne i incizuam lajmet që ishin në media, por edhe atë që mësuam gjatë punës në terren nga refugjatët e tjerë, rastet e vdekjeve që ata na raportuan dhe rastet me të cilat punuam”, thekson Shvabiq.
Mbi 80 vdekje në Serbi janë regjistruar në bazën e të dhënave "4D" deri në janar të vitit 2022.
Kur është fjala për të dhënat në nivel botëror, sipas informacioneve të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, numri i viktimave dhe të zhdukurve që nga viti 2014 është mbi 55 mijë.
Zmbrapsja e migrantëve nuk i ndal përpjekjet për t’i kaluar kufijtë
Praktikat e kthimit të njerëzve (kthimi në vendin nga kanë hyrë) nga vendet që përshkojnë 'Rrugën ballkanike' të refugjatëve janë shpesh shumë të dhunshme, thekson Radosh Gjuroviq.
“Duke qenë se në asnjë mënyrë nuk janë në gjendje të kthehen në vendin prej nga kanë ardhur, disa mijëra kilometra larg, shpesh të shtyrë me dhunë, këta njerëz në fakt rrezikojnë gjithnjë e më shumë me shpresën se do të kenë sukses në një moment ta kalojnë kufirin e Serbisë dhe ta vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, shpjegoi Gjuroviq.
Ai nënvizoi se dhuna nuk i pengon njerëzit të ecin përpara, por për shkak të saj[dhunës], emigrantët po rrezikojnë gjithnjë e më shumë dhe po gjejnë mënyra edhe më të rrezikshme për ta kaluar kufirin, duke vënë shpesh në rrezik jetën e tyre.