Nga Merkeli te Kuban, cila është lidhja midis politikanëve gjermanë dhe litiumit serb?
Qeveria serbe pezulloi rregulloren për krijimin e planit për zonën ku do të nxirrej litiumi dy vite më parë, pas protestave të mëdha kundër hapjes së një miniere në Luginën e Jadarit.
Asokohe, kryeministrja Ana Brnabic, deklaroi “Ne i kemi dhënë fund marrëveshjes me kompaninë Rio Tinto në Serbi”.
Katër vite e gjysmë më vonë, duket se nuk ka pasur vërtet një fund, dhe Brnabić tani thotë se “kundërshtarët e litiumit kanë ngadalësuar gjithçka”, duke shtuar se Serbia, “duke mos eksportuar litium, por duke e përdorur atë në atdhe për prodhimin e baterive, do të pozicionohet si një lider europian për 100 vitet e ardhshme”.
Ajo kritikoi ata që janë kundër minierave të litiumit, duke pretenduar se kundërshtimi i tyre ka për qëllim “destabilizimin e Serbisë”. Vuçiç, nga ana tjetër, pretendon se ndalimi i minierave të litiumit në Serbi, ishte “një lëvizje manipuluese nga shërbimet e inteligjencës perëndimore, për të ndaluar zhvillimin tonë”.
Nga fundi në kthesë
Debati për litiumin serb, i cili deri tani ka qenë një pikë përplasjeje midis atyre që argumentojnë se miniera do të shkatërronte në mënyrë të pakthyeshme natyrën, dhe atyre që besojnë se do të ishte një nxitje e rëndësishme për ekonominë serbe, ka marrë një dimension të rëndësishëm gjeopolitik. Diskutimi për litiumin serb u rindez pas miratimit të Aktit Europian të Lëndëve të Para Kritike (CRMA), i cili përmend edhe litiumin nga Serbia.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe nënkryetari i Komisionit Europian Maroš Šefčovich, nënshkruan një zotim për të krijuar një bashkëpunim strategjik midis Serbisë dhe BE-së në lidhje me aktin CRMA.
Nga një intervistë e dhënë për mediat serbe nga Tilman Kuban, një deputet gjerman nga Partia Bashkimi Kristian Demokrat (CDU/CSU), u bë e qartë se kjo nuk është vetëm një çështje ekonomiko-ekologjike, sidomos pasi deputeti gjerman u takua edhe me Vuçiçin dhe Ana Brnabic.
Midis temave të shumta të përmendura, nga futbolli, te Kina dhe Rusia, ky politikan relativisht i panjohur në Serbi, tha edhe këtë:
“Para së gjithash, mund ta kuptoj plotësisht nga perspektiva e Serbisë, se gjithçka në këtë projekt duhet të verifikohet dhe të përmbushet, por në fund, e shoh si një mundësi të madhe për Serbinë, që t’i dërgojë një mesazh mbështetjeje Europës.
Ky është mesazhi kyç në këtë projekt dhe ne do të jemi shumë të lumtur nëse do të ketë bashkëpunim me kompani gjermane që do të investojnë këtu, jo vetëm duke përdorur lëndë të parë, por edhe duke prodhuar bateri”, tha deputeti Kuban.
Vetëm një javë më vonë, Vuçiç i bëri thirrje Gjermanisë që të vepronte si gjykatëse për çështjen e minierave të litiumit në Serbi, pavarësisht se ka pasur shkencëtarë, individë dhe institucione të shumta serbe, nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave (SANU), deri te Universiteti i Beogradit, të cilët kanë shprehur tashmë mendimet e tyre për këtë çështje.
Nga Merkeli te Kuban: Roli i Gjermanisë në debatin e litiumit në Serbi
Pse Gjermania po shfaqet tani si një lojtar i rëndësishëm në çështjen e litiumit? Petar Ćurcic, hulumtues në Institutin për Studime Europiane, thotë se nuk duhet të harrojmë se Gjermania ka shfaqur interes për shfrytëzimin e litiumit në Serbi, që kur u ngrit për herë të parë kjo çështje disa vite më parë.
Në këtë kontekst, fjalët e ish-kancelares gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së saj të lamtumirës në Serbi në shtator 2021, janë shumë domethënëse.
E pyetur nëse Gjermania ishte e interesuar për litiumin serb, duke qenë se edhe SHBA-ja dhe Kina po shfaqnin interes të madh, ajo u përgjigj: “Kur e gjithë bota është e interesuar, jemi të interesuar edhe ne. Ne kemi investime të rëndësishme në industrinë e automobilave të Serbisë dhe e dimë se çfarë do të thotë litiumi për zhvillimin e baterive dhe lëvizshmërinë në të ardhmen.
Serbia ka diçka me vlerë reale. Sigurisht që ka shqetësime nëse shfrytëzimi do të kryhet në përputhje me standardet ekologjike. BE-ja ka standarde të mira të qëndrueshmërisë”. Pra, çështja e standardeve ekologjike ishte ngritur tashmë nga ish-kancelarja, tha Ćurcic.
Vitet e fundit, marrëdhënia midis qeverisë serbe dhe Gjermanisë nuk ka qenë aq e mirë sa marrëdhënia e Vuçiçit me Partinë CDU të Angela Merkelit. Vizita e Tilman Kuban dhe deklaratat e tij mund të shihen në këtë këndvështrim.
Megjithëse Kuban nuk është një politikan veçanërisht i njohur, mesazhi i tij mund të ketë peshë, veçanërisht pasi partia e tij CDU ka një shans të mirë për t’u rikthyer në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë se tani ka vlerësimet më të larta në Gjermani.
Petar Ćurčić shpjegon se Kuban përfaqëson një fraksion brenda partisë CDU, por ai gjithashtu mbështeti kryeministrin bavarez Markus Söder, si kandidat për kancelar në zgjedhjet e vitit 2021./Monitor/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/io-Tinto-Serbi-litium.jpg): failed to open stream: No such file or directory