Vështrime
(Marrë)veshja (jo)ideale – “Të gjithë kemi fituar”...
Marrëveshja e Brukselit, i dha fund bisedimeve Prishtinë-Beograd, pas 10 raundesh e 6 muaj përpjekjesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve të hasmëruara prej shekujsh. Marrëveshja 15 pikëshe, ka vë në qarkullim zërat vendorë dhe ndërkombëtarë për rolin dhe rëndësinë e saj, duke nxjerr në sipërfaqe edhe problemet, të cilat mund të dalin prej saj.
Shkruan: Drilon Hyseni
Kjo marrëveshje, që në start, ka futur në telashe nënshkruesit e saj, kryeministrat Thaçi dhe Daçiq, të cilët për t’i ikur akuzave dhe kërcënimeve të qarqeve të ndryshme, japin deklarata shpesh të pamatura, të pakontrolluara dhe megalomane, të cilat jo vetëm se komprementojnë atë që kanë firmosur, por edhe sjellin turbulenca në opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.
Asociacioni (bashkësia) e komunave serbe në Kosovë, sipas kësaj Marrëveshjeje, do të ketë: Kryetarin, Nënkryetarin, Këshillin dhe të drejtën, për të zgjedhur komandantin e policisë rajonale dhe komandantët lokal të katër komunave në veri dhe në jug, pra kudo që serbët përbëjnë shumicën.
Këto elemente kryesore të kësaj Marrëveshje, të cilat në Bruksel e kanë marrë legjitimitetin e dy shteteve Kosovë-Serbi dhe BE-së, nuk mund t’i pengojnë serbët e veriut të Kosovës, që nesër ta shpallin Autonominë.
Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Serbisë me këtë Marrëveshje, duhet të korrigjohen, për ndryshe nuk u sjellin shteteve të tyre sovranitetin e duhur, pavarësisht nga opinionet e steriotipet e zyrtarëve të tyre, se “Kushtetutat”, janë të paprekshme nga këto procese.
Serbia, prej kohësh, me Kushtetutë të saj e ka paraparë rajonizimin, si formën më të përshtatshme për funksionimit të shtetit.
Shqiptarët e Preshevës dhe Bujanocit, bëjnë pjesë në Rrethin e Pçinjës, ndërsa ata të Medvegjës në Rrethin e Jablanicës. Spektri politik shqiptar kërkon, krejt në frymën e kushtetutës serbe, të formoj një rreth me karakteristika të veçanta rajonale prej tri komunash, për ta ruajtur dhe afirmuar identitetin e saj kombëtar.
Beogradi, nuk lejon diçka të tillë për shqiptarët e Luginës, ndërsa për serbët e Kosovës, të drejta maksimale, deri te ato ekzekutive.
Rajoni i Luginës së Preshevës edhe më tej është i stërngarkuar me forca të shumta policoro-ushtarake, të cilat paraqesin kërcënim permanent për paqen në rajon, ndërsa Daçiq, thekson se ka kërkuar me Marrëveshje, që “çizmja shqiptare të mos shkelë në Veri të Kosovës, që policinë dhe drejtësinë ta bëjnë serbët…”.
Serbia me Marrëveshjen e Brukselit, ka legjitimuar strukturat paralele, duke i radhitur në njësitë komanduese të parapara me këtë dokument ndërkombëtar, ka inkurajuar bashkësinë ndërkombëtare për ta fituar datën e fillimit të bisedimeve për tu anëtarësuar në BE, ka amortizuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës për më shumë të drejta etj. Ndërsa Kosova me këtë Marrëveshje, ka hequr fusnotën nga Parlamenti Evropian, për njohje të reja, dhe procese të tjera integruese euroatlantike, si dhe ka shuar iluzionet e bashkëkombësve të vetë në Luginë të Preshevës, për bashkim kombëtar.
Pavarësisht nga kjo Marrëveshje, klasa politike shqiptare e Luginës së Preshevës, nuk duhet hequr dorë nga synimi për realizimin e verdiktit të popullit, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, “për një Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”.
Kjo është rruga më e drejtë dhe më e qëndrueshme e realizimit të aspiratave shekullore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për të cilën rrugë u flijuan djemtë dhe vashat më të mira të kombit tonë.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/04/marreveshja.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!