Mësimi fetar në shkollat e Luginës së Preshevës dhe qasja kontraverze e shoqatave
Lugina

Mësimi fetar në shkollat e Luginës së Preshevës dhe qasja kontraverze e shoqatave

07.Aug.2018 11:45
0
Se një gjarpër i gjatë do t'i mbështjellë të vdekurit sapo të kalojnë në botën tjetër është një nga mësimet që frikësojnë nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Këto dhe mësime tjera për vdekjen që u jepen nxënësve qysh në ciklin e ulët kanë bërë që disa prindër të ankohen duke kërkuar që këto njësi mësimore ku flitet për vdekjen të mos u shpjegohen fëmijëve të tyre

 Njëzëri, të gjithë përgjigjen se e kanë mësuar të deklaruarit e pranimit të fesë islame (shahadetin). Këta janë nxënësit e klasës së tretë në shkollën fillore

“ Ibrahim Kelmendi”  në Preshevë.

Por, jo të gjithë këto mësime i marrin me vullnetin e tyre. Vajza e Nexhat Boriçit, është nxënëse e kësaj shkolle.

Ajo, siç thotë vet babai i saj, është detyruar që të ndjek mësimet e edukimit fetar. 

“Në njëfarë mënyre ka qenë e imponume. Pasi ka qenë lëndë zgjedhore unë e kam zgjedhë edukatën qytetare. Por në pamundësi për shkak të pa interesimit të prindërve tjerë më është imponuar që vajza të shkoj në edukatë fetare”, ka thënë Boriçi për emisionin hulumtues “Udhëve” në RTK.

 Ai thotë se vajza e tij ende pa u rritur dhe pa e shijuar jetën, i duhet të mësoj për jetën pas vdekjes dhe për atë se si varrosen njerëzit.

Mësimi fetar që iu imponohet nxënësve

Por, vendimi për mësimin fetar nuk është marrë në mënyrë vetanake në Luginën e Preshevës. Në gjithë territorin e Serbisë, prej vitit 2001 e këtej, mësimi fetar fillon të mësohet qysh nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme.

Granit Kamberi është një mësimdhënës i edukatës fetare në Preshevë. Ai thotë se nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e pestë, të gjithë janë në mësim fetar. “Ndërsa, prej klases së pestë zgjidhet nga nxënësit nëse dëshirojnë të ndjekin lëndën e edukatës qytetare apo atë të edukatës fetare”, ka thënë Kamberi, transmeton rtklive.com.  

Drejtoresha e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, Besa Sahiti, ka thënë se përzgjedhja e lëndës bëhet që në fillim, kur fëmijët testohen nga pedagogu. “Njëra nga kriteriumet është edhe zgjedhja e lëndës së edukatës fetare apo qytetare”, shprehet drejtoresha e shkollës.

Ajo ka shpjeguar se në cilkin prej klasës së parë deri në klasën e katërt të shkollës fillore, edukatën qytetare do ta japë vet mësuesi. Ndërsa, lëndën e educates fetare, ajo thotë se ligjërojnë mësimdhënës që kanë mbaruar studimet e teologjisë.

Interesimi, siç konfirmon mësimdhënësi Kamberi është shumë i madh në lëndët fetare. “Kemi një numër shumë të madh të nxënësve që është shumë i interesuar, si në shkollën e mesme por edhe në shkolën fillore”, thotë Kamberi, njëherit edhe Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë.

E Nexhat Boriçi, thotë se nuk është as kundër religjionit e as edukatës fetare. “Mendoj që vajza ende pa u rritë dhe pa e shiju Jetën duhet me mësu për jetën pas vdekjes. Nuk ma merr mendja që vajza e kishte zgjedhë këtë me vetdëshirë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se meqë është lëndë zgjedhore, ka mundur që vajza e tij në tërësi të abstenoj nga kjo lëndë. Mirëpo, ai thotë se nuk ka dashur ta ndajë nga shoqëria.

“As unë nuk kam dashtë me shku ma tepër, pasi krejt po shkojnë në atë drejtim”, thotë Boriçi, duke thënë se ky problem minimizohet.

“Nuk është ndoshta problem i madh sepse fëmija edukatën e merr së pari në shtëpi”, shprehet Boriçi.

 Besa Sahiti, drejtoreshë e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi”, Preshevë 

E faktin se shumica e prindërve fëmijët e tyre i orientojnë tek edukimi fetar e jo tek ai qytetar, drejtoresha e shkollës “Ibrahim Kelmendi”, Besa Sahiti e justifikon me bindjen e vet prindërve. “Mendojnë se nëse fëmijët mësojnë këtë lëndë do të bëhen më të mirë, më të drejt…”, thotë ajo.  

Sahiti shprehet se statistikat sa i përket vijueshmërisë së mësimit fetar apo atij qytetar ndryshojnë në klasën e pestë, “Në klasën e pestë fëmijët janë më të rritur. Edhe aty donimon edukata fetare por ka më shumë nxënës që shkojnë edhe në edukatë qytetare”.

Xhemaledin Salihu është kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Preshevë. Autor i disa librave historik e kulturor për Preshevën dhe ndër të paktët intelektual në Preshevë që në vazhdimësi ka reaguar kundrejt asaj që ai e quan indoktrinim të fëmijëve përmes mësim-besimit fetar.

Ai ka bërë edhe një analizë të asaj që parashihet në planprogram dhe asaj që realisht predikohet në shkollat shqiptare në Luginën e Preshevës. 

Shkenca mbi fenë që shëndrrohet në predikim fetar

“Kam hyrë në veb faqen e Ministrisë së Arsimit të Serbisë. E kam parë që nuk quhej edukatë islame por quhej shkenca e fesë islame”, shpjegon Salihu.

Ai është shprehur se në shkolla në Preshevë dominon predikimi i edukatës islame derisa thotë se vet Ministria e Arsimit e Serbisë parasheh që në këtë lëndë të mesohet shkenca mbi fenë. Në këtë rast, ai shprehet se duhet të mësohen elementet e fesë islame në krahasim me religjionet dhe besimet tjera që ekzistojnë në botë.

Salihu shprehet se në shkollat e Preshevës, shumicën e rasteve shkencën mbi fenë e ligjërojnë hoxhallarët të cilët i takojnë shkollave të ndryshme dhe që kanë studiuar në botën dhe shtetet arabe. “Ata vijnë me një kulturë, traditë dhe mësim të fesë islame që duan ta praktikojnë në Preshevë, me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme”.  

Por, mësimdhënësi i edukimit fetar Grani Kamberi, nxënësit e të cilit qysh në klasën e parë e kanë mësuar të deklaruarit e pranimit të fesë islame, thonë se lënda fetare është lëndë informative.

“Ne vetëmse i informojmë se çka është feja islame, cfarë obligime ka...”, thotë Kamberi.

Por, është pikërisht Besa Sahiti, drejtoreshë e shkollës ku jep mësim Kamberi ajo që konfirmon se ka disa njësi mësimore ku ka pasur edhe ankesa nga prindërit.

“Ju e dini se në fe, kuran e gjitha këto që mësohet për shembull, nata e parë kur vdes njeriu, nata e varrit dhe ka pasë hoxhallarë që e ka shpjegu qysh e tregojnë në xhami dhe fëmija e ka marrë si trauma”, shprehet drejtoresha Sahiti. Reagimi i vetëm i saj këtë rast ka qenë kërkesa që të mos shpjegohen këto gjëra, edhe nëse ato parashihen në planprogram.

Xhemaledin Salihu, Kryetar i Shoqatës për Mbrotjen e Trashëgimisë Kulturore

Në anën tjetër, Xhemaledin Salihu, Kryetar i Shoqatës për Trashëgimi Kulturore në Preshevë thotë se është shumë e rëndësishme që të bëhen krahasime edhe me fetë tjera që ekzistojnë, për të parë cilësitë dhe të mirat e islamit ndaj feve tjera. “Dhe sigurisht edhe përparësitë që kanë fetë tjera ndaj asaj islame. Pra një metodë krahasuese mes feve. Unë me sa e kam përcjellë këtë mësim, në shkollat fillore dhe të mesme ligjërohet kryesisht edukata islame”.

Në të kundërtën, sipas Salihut, kjo mënyrë e mësimdhënies jashtë planprogrmeve çon drejt indoktrinimit fetar. “Kemi rastin në Tërnoc, ku ligjëruesi prej klasës së parë fillon praktikimin e namazit dhe ai merr kamerën dhe nën xhirim të kamerës i mëson që ata të thonë ‘Unë jam musliman’, me një përcjellje edhe muzikore. Unë do ta kisha pranuar sikur ai hoxhë të thoshte: ‘Unë jam shqiptar, por me përkatësi fetare muslimane’”. Atëherë, thotë ai, ruhet identiteti kombëtar por edhe ai fetar.

Mësimdhënësi “vërshon” rrjetet sociale me pamje nga edukimi fetar në shkollë

Por është pikërisht Rijad Demiri, mësimdhënës i edukimit fetar në shkollën fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërrnoc të Bujanocit ai që ka shpërndarë në rrjete sociale disa fotografi dhe incizime ku shihen nxënësit duke kryer rite fetare brenda klasëve.  

“Ato të cilat i kam postu unë në facebook, kanë qenë disa aktivitete që janë zhvilluar në orën e mësimit fetar, siç ka qenë për shembull mësimi për format e namazit”, e konfirmon mësimdhënësi Demiri.

Ai këtë e arsyeton me faktin se secila njësi mësimore pos anës teorike e ka edhe atë praktike. Sa I përket mbulimit të kokës nga femrat ai ka thënë se kjo është një nga rregullat për të falur namazin. “Një prej tyre është edhe mbulimi i trupit me të cilin edhe shihen në fotografi. Sikur lëndët tjera që kanë mjetet konkretizuese edhe mësimi fetar ka këto mjete. Kur ka qenë për shembull forma e faljes së namazit, atëherë ajo është bërë kur është mësuar forma e faljes së namazit”, thotë Demiri.

Bajram Salihu, është drejtor i shkollës “Muharrem Kadriu” në Tërnoc të Bujanocit. Ai ka thënë se kanë reaguar në shkollë lidhur me publikimin e matrialeve nga ana e arsimtarit Demiri.

“Kemi reagu edhe për këtë”, ka thënë ai, transmeton rtklive.com.  

I pyetur nëse duhet të lejohet mësimi i poezive dhe këngëve arabe në shkollë ai ka thënë se askush nuk guxon të dalë nga buletini arsimor. Kështu, hulumtimi i emisionit “Udhëve” në RTK ka gjetur se mbikëqyrja e procesit mësimor, sidomos për lëndët fetare është një pikë e dobët.

“Nuk besoj që ka ndonjë mbikqyrje sepse edhe me këta inspektorët e arsimit në komunën e Preshevës, sikur në politikë, po ndërrohen shumë shpesh dhe nuk ka ndonjë mbikëqyrje adekuate për mësimdhënien e kësaj lënde”, shprehet Xhemaledin Salihu.

RTK ka kontaktuar edhe me inspektorin e arsimit në Preshevë, Kujtim Sadriun. Meqë sapo e kishte marrë pozitën, Sadriu nuk ka pranuar të deklarohet rreth kësaj çështjeje. 

E në mungesë të kontrollit, shkrimtari Bilall Maliqi, thotë se nxënësve u shpjegohen gjëra që ndërlidhen me vdekjen, natën e varrit dhe histori të ngjashme që ngjallin edhe frikë tek nxënësit.

“Unë kam dëgju për shembull se kur kanë shpjeguar se pas vdekjes një gjarpër i madh do t’iu mbështjellë. Ajo krijon frikë te nxënësit. As gjumin e qetë nuk e bën në shtëpi dhe kalon në trauma”, shprehet Maliqi.

Ai thotë po ashtu se po krijohet huti tek nxënësit në lidhje me figurat kombëtare. “Po iu flitet që Skënderbeu nuk është musliman dhe nuk duhet të trajtohet si shqiptar. Pastaj Nënë Tereza që e njeh bota si nënë humaniste. Dhe ajo që më ka rënë në sy, në klasë praktikohet namazi. Kjo për mua nuk është e arsyeshme sepse pjesën praktike mund ta praktikojnë në xhami”, ka thënë Maliqi.

 Në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, përveç mësim besimit islam, nxënësit serbë mësojnë edhe atë ortodoks. Tek klasat ku mësojnë serbët dhe romët që në Preshevë janë komunitete pakicë, qoftë edhe për një nxënës mundësohet përzgjedhja e lëndës.

Kjo është konfirmuar nga Nadërsa Sadiku, drejtor i Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë. Ai ka thënë se në paralelen e vitit të parë në gjimnaz me shumë mundi kanë arritur që të ruajnë një klasë me vetëm dy nxënës.

Njëri nga ta i përket komunitetit rom derisa tjetri atij serb. “Nxënësi serb shkon në edukatë fetare ortodokse kurse nxënësi rom tek edukata qytetare”, ka thënë Sadiku.

Emisioni hulumtues Udhëve në RTK ka parashtruar kërkesë për të marrë prononcim nga Ministria e Arsimit të Serbisë në lidhje me procesin e mbikëqyrjes së mësim-besimit fetar në Luginë të Preshevës.  Por, në këtë institucion nuk kanë preferuar t’i përgjigjen kërkesës së RTK-së.

Realizuar nga: Alban Selimi-RTKLIVE

albanselimi@rtklive.com

Shefat Isufi fiton duelin e 30-të, e përdhosi 3 herë gjeorgjianin në Hungari
Ardian Haliti zyrtarisht në klubin zviceran në Winterthur
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration