Kurti: S’mund të ketë normalizim me Serbinë pa siguri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, derisa shtoi se “Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të ketë normalizim pa pasur siguri”.
Kurti gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, është pyetur nga “KosovaPress”, nëse do të ketë takim mes tij dhe Vuçiçit gjatë muajit dhjetor në Bruksel, për çka tha se nuk është në dijeni nëse do të ketë një të tillë.
Kurti është pyetur edhe për paralajmërimin e Lajçakut lidhur me marrëveshjen për energjinë, ku tha se të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër gati dy vjet më parë.
Kryeministri Kurti është pyetur edhe për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke thënë se ajo pjesë e ka gjithmonë mbështetjen e Kosovës.
Ai së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë shpalosur projektet të cilat janë realizuar dhe ato të cilat do të përfundojnë për vitin 2024.
Kurti dhe Hyseni vizituan punimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”, si dhe inauguruan parkun “Banja”.