Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave
Komisioni Evropian ka paraqitur një pako me propozime për të ruajtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për menaxhimin më efikas të imigrimit ilegal. Në këtë paketë mes tjerash Komisioni Evropian ka propozuar edhe forcimin e mekanizmave të pezullimit të liberalizimit të vizave për ato vende, qytetarët e të cilave mund të hyjnë në BE pa viza.
Mekanizmat e pezullimit të liberalizimit të vizave tashmë ekzistojnë sipas rregullores së vitit 2018.
Me propozimin e ri të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave do të mund të pezullohet edhe për shkak të mos përshtatjes së regjimit të vizave të atyre vendeve me regjimin e vizave të BE-së për shtetasit e tretë.
Komisioni Evropian ka përmendur rajonin e Ballkanit Perëndimor si shembull, i cili dëshmon se një vend mund të bëhet pikë transiti për imigrantët ilegalë drejt BE-së për shkak se mund të hyjnë pa viza në një vend fqinj.
Burimet e Komisionit Evropian në mënyrë të veçantë kanë përmendur Serbinë, e cila ua kishte hequr vizat shtetasve të vendeve si Kuba, Tunizia, Burundi, dhe disa vendeve të tjera për të hyrë në Serbi. Kjo kishte ndikuar që një numër i shtetasve të këtyre vendeve të hynin në Serbi pa viza e pastaj të kalonin në Bashkimin Evropian.
Vetëm pas insistimit të Bashkimit Evropian, Serbia kishte nisur të përshtatë regjimin e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Kërkesa për përshtatje me regjimin e vizave të BE-së Komisioni ka pasur edhe për vendet tjera të rajonit të Ballkanit.
Serbia, në fillim të vitit 2022, ka pasur liberalizim vizash për 22 shtete, të cilat nuk kanë pasur liberalizim për lëvizje në BE. Ky numër tash është zvogëluar në 12, por Komisioni kërkon nga Serbia që të vazhdojë të shënojë përparim në këtë drejtim.
Më së shumti progres në përshtatjen me politikën e vizave të BE-së ka shënuar Maqedonia e Veriut, ndërsa më shumë progres kërkohet nga Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.
Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor gëzojnë liberalizimin e vizave nga ana e BE-së. Edhe për Kosovën BE-ja ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave dhe ai do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.
“Kur këto vende partnere të Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave me atë të BE-së, kjo ka pasur ndikim në zvogëlimin e numrit të imigrantëve ilegalë në BE përmes kësaj rruge”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar edhe raportin e gjashtë të monitorimit të mekanizmave për pezullimin e liberalizimit të vizave për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Raporti konkludon se të gjitha këto shtete duhet të bëjnë hapa të mëtejmë për t’u përshtatur me politikën e vizave të BE-së dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar aplikimet e pabazuara për azil. Përpjekje shtesë duhet të bëhen edhe për të parandaluar imigrimin ilegal, si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në raportin e KE-së.
Sipas mekanizmave aktualë për pezullimin e vizave, ky proces mund të niset vetëm në disa raste specifike, si për shembull rritja e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të imigrantëve ilegalë apo rrezikut për sigurinë kombëtare.
Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:
1. Në rast të rritjes së konsiderueshme - mbi 50% - të migrimit të parregullt.
2. Në rast të rritjes së konsiderueshme - mbi 50% - të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian të mërkurën, arsye për pezullimin e liberalizimit të jetë “mospërshtatja e mjaftueshme me regjimin e vizave të BE-së, kërcënimet hibride dhe ekzistimi i dhënies së shtetësisë për investime”.
Komisionarja e BE-së për çështje të brendshme, Ylva Johanson, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ndalet praktika e shitjes së pasaportave nga vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave.
“Ka shtete që gëzojnë liberalizimin e vizave e që ua shesin shtetësinë personave të ndryshëm, shpesh me dosje kriminale, me emra të ndryshuar, e pastaj ata mund të hyjnë në BE pa viza”, ka thënë ajo.
Me këtë ajo ka arsyetuar propozimet që vendet, të cilat do ta shesin në këtë mënyrë shtetësinë e tyre, të përballen me mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave nga ana e BE-së.
Ai ka theksuar se në këtë pikë shumë shtete të BE-së nuk kanë pasur sukses t’i dëbojnë personat, për të cilët është lëshuar vendimi përkatës i autoriteteve për të lëshuar territorin e BE-së. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që në rrugët e qyteteve evropiane të ketë njerëz me qëndrim ilegal që janë përfshirë në akte të krimit dhe terrorizmit.
“Edhe kryesi i sulmit terrorist në Bruksel, edhe ai në Francë, kanë qenë duke qëndruar ilegalisht, edhe pse kanë pasur urdhër ta lëshojnë territorin e këtyre vendeve”, ka thënë Schinas.
Ai ka shtuar se asnjë politikë e menaxhimit të migrimit nuk do të jetë e suksesshme pa pasur sukses në riatdhesimin e personave që nuk mund të qëndrojnë në territorin e BE-së./REL/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/omisioni-evropian.jpg): failed to open stream: No such file or directory