Kamionëve dhe autobusëve nga Kosova u pamundësohet lëvizja në Serbi
Rajoni dhe Politika

Kamionëve dhe autobusëve nga Kosova u pamundësohet lëvizja në Serbi

20.Jun.2023 07:05
0

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur në mbrëmjen e së hënës se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet Jarinjë dhe Merdare.

Sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pikëkalimi në Bërnjak është bllokuar plotësisht.

Bllokadat besohet se janë shkaktuar si pasojë e protestave që janë duke u mbajtur në territorin serb.

Sipas ministrisë, as kalimi i veturave nuk është i sigurt. 

Në disa grupe në rrjetin social, Telegram, serbët kanë thënë se rrugët janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovs, prej javës së kaluar.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, më 14 qershor, për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

Vendimi është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.

 

Këto zhvillime pasojnë tensionet në veri të Kosovës prej 26 majit.

Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri - të banuara me shumicë serbe - kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Më 16 qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se, Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri.

 

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

copy(/home/titulli/public_html/images/image/amionet-serbi.jpg): failed to open stream: No such file or directory
“Kufiri i incidenteve” mes Kosovës dhe Serbisë i gjatë rreth 350 kilometra
Në bazën ushtarake afër Bujanocit stërvitje ushtarake NATO dhe Ssrbi “Platinum Wolf 23”
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration