Kallas: Do të punoj që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet
Rajoni dhe Politika

Kallas: Do të punoj që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet

12.Nov.2024 16:00
0

Kandidatja për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë të martën në një seancë dëgjimore se do të angazhohet për të forcuar sigurinë e bllokut evropian, dhe do të bashkëpunojë me fqinjët që ndajnë vlera të përbashkëta, si dhe kanë aspirata për anëtarësim në bllokun evropian.

Seanca dëgjimore është duke u zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili duhet ta konfirmojë Kallasin për pozitën e nominuar.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, është caktuar nga shefja e BE-së, Ursula von der Leyen dhe vendet anëtare të bllokut, për të udhëhequr politikën e jashtme në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Në legjislaturën e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Josep Borrell.

 

Kallas ka thënë të martën se zgjerimi i BE-së e forcon vetë bllokun, por edhe vendet që synojnë anëtarësimin.

Sipas Kallasit, forca tërheqëse e BE-së i frymëzon shtetet nga Ballkani Perëndimor e deri tek Evropa Lindore për reforma dhe për angazhim drejt integrimit në BE.

“Së bashku me Komisionaren për Zgjerim, do të punoj me vullnet që ta bëjmë zgjerimin realitet“, ka thënë ajo duke shtuar se “problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë probleme tona nesër“.

Vendet e Ballkanit Perëndimor - përveç Kosovës - si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

 

Kaja Kallas ka thënë se siguria e BE-së është e lidhur ngushtë me NATO-n dhe që do të angazhohet për të vazhduar bashkëpunimin transatlantik.

Vetëm një pyetje për Ballkanin

Në fund të seancës, ajo është pyetur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, një çështje me të cilën do të merret gjatë mandatit si kryediplomate e BE-së.

Ajo nuk e ka përmendur dialogun as në fjalimin hyrës, as atë mbyllës, dhe as nuk ka pasur pyetje nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Vetëm në fund të debatit, pyetja e fundit ishte ajo e deputetes nga Kroacia, Zheljana Zovko, e cila pyeti për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për të ruajtur paqen në Bosnje-Hercegovinë dhe në fqinjësinë juglindore të BE-së. Atëherë, Kallas e ka përmendur edhe dialogun.

“Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm dhe shumë afër kufijve tanë. Kemi dy shtigje që punojmë atje, i pari është zgjerimi ku duhet të punojmë me Komisionaren për Zgjerim. Siç thashë më herët, ne me të vërtetë duhet të kemi një tregim suksesi në pesë vitet e ardhshme, sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë rajonit. Unë gjithmonë përmendi si shembull se zgjerimi është një makinë e konvergjencës. Vendi im kishte bruto-prodhim vendor, 35 për qind të mesatares së BE-së, ndërsa tash është mbi 90 për qind. Pra, jep rezultat si një makinë e konvergjencës”, ka thënë ajo.

“Shtegu i dytë është dialogu Beograd-Prishtinë, ku të gjithë paraardhësit e mi kanë investuar shumë kohë për të sjellë stabilitet në rajon”, ka shtuar ajo.

Kallas ka paralajmëruar se në pjesën e parë të mandatit të saj do të shkojë në rajon dhe do të bisedojë me ato vende për të parë se çfarë mund të bëhet.

Kallas ka thënë se zgjerimin nuk duhet parë si një lojë ku humb ose fiton, ku duhet të gjithë të jenë brenda apo jashtë, por duhet punuar me parimin e meritave individuale për të parë se çka mund të bëhet.

Më së shumti pyetje për Ukrainën

Sipas saj, sfidat kryesore për BE-në dhe aleatët lidhen me qasjen e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, vende, të cilat, sipas saj, janë duke e sfiduar rendin botëror.

Ajo e ka konsideruar me prioritet vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, dhe fitoren e Kievit e ka konsideruar të domosdoshme për Evropën.

Kallas ka thënë se nuk ka kthim mbrapa në rrugën e Ukrainës drejt BE-së, dhe që blloku duhet të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën aq sa të jetë e nevojshme.

Sipas saj, “Rusia akoma nuk e ka humbur asnjë luftë kolonizuese, dhe ka ardhur koha që ta humbë këtë në Ukrainë, dhe vetëm pasi të humbë Rusia, do të çlirohet dhe do të ecë përpara”.

Kallas ka thënë se “nëse agresioni jep fryte në një vend, atëherë kjo është ftesë për agresion në një vend tjetër, prandaj agresioni i Rusisë në Ukrainë duhet të dështojë”.

Shumë deputetë, kryesisht nga e majta ekstreme, dhe nga e djathta ekstreme, kanë qortuar kandidaten Kallas se ajo “mbështet luftën, e cila po e dëmton Evropën”.

Por, ajo është përgjigjur se në asnjë rast nuk mbështet luftën, është për paqe, por duhet të dihet se Rusia është ajo që e ka nxitur luftën.

“Ukrainasit po vdesin çdo ditë, ata më shumë se kushdo tjetër e duan paqen. Por, paqja nuk mund të bëhet duke e lejuar agresorin të marrë atë që do”, ka thënë Kallas.

Mes tjerash, Kallas i ka hedhur poshtë pohimet se BE-ja ka pasoja për shkak të mosfurnizimit me gaz nga Rusia.

Sipas saj, prej kur ka nisur agresioni i Rusisë në Ukrainë, BE-ja ka rritur dukshëm pavarësinë e saj nga Rusia, kur është fjala për furnizim me naftë dhe gaz.

Kallas ka bërë thirrje që sanksionet ndaj Rusisë të zbatohen në mënyrë më strikte, dhe të ndërmerren masa edhe ndaj atyre që ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

 

Të martën do të përfundojë seanca dëgjimore për 26 anëtarë të Komisionit Evropian.

Shefja e BE-së, Von der Leyen veçse është konfirmuar.

Përgjatë ditës do të dëgjohen dëshmitë e katër kandidatëve që janë të propozuar për nënkryetarë ekzekutivë të Komisionit Evropian.

Deri më tash 20 kandidatë kanë përfunduar seancat dëgjimore dhe të gjithë, përpos kandidatit nga Hungaria, Oliver Varhelyi, kanë marrë mbështetjen.

Më vonë gjatë ditës, komisioni përkatës pritet të vendosë edhe për Varhelyin.

Nëse të gjithë kandidatët marrin mbështetjen e komisioneve parlamentare, atëherë më 24 ose 25 nëntor, Parlamenti Evropian duhet ta konfirmojë Komisionin e ri Evropian.

Në atë rast, Komisioni do të nisë mandatin më 1 dhjetor të këtij viti.

copy(/home/titulli/public_html/images/image/tellis.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Vuçiq: Biseda me Trump ishte një sukses i madh për Serbinë
Analizë Demografike e Luginës së Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration