Vështrime
Jo përkohësisht, por përjetësisht!
Kur dikujt provojmë t’i tregojmë sesi është kjo puna e marrëdhënieve tona me serbët e Kosovës, atyre që kanë pranuar institucionet e Republikës së Kosovës por edhe atyre (sidomos përtej lumit Ibër) që s’duan t’ia dinë për këtë shtet që tashmë është realitet i përjetshëm, e kemi të vështirë të mos i kujtojmë imazhet e së kaluarës: nga inskenimet e tmerrshme për “dhunimet” që shqiptarët gjoja u bënin atyre (i kujtohet dikujt ende Gjorgje Martinoviqi?!), vërshimi në Fushë- Kosovë tek Milosheviqi në kohën e Vllasit e Kolgecit, heqja e autonomisë dhe ndihma që i dhanë regjimit të Beogradit në shtypjen dhe shkeljen brutale të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës për dhjetë vite me radhë.
Shkruan: Beqë Cufaj;
Pa lënë anash këtu as refugjatët, bashkëkombasit e tyre nga Kraina e Kroacisë a fushëbetejat e Bosnjë e Hercegovinës, të cilët në vitet 90 zbrisnin në Kosovë: për të ndërtuar një ekzistencë të re me qëllimin e ndërrimit të strukturës së popullsisë në këtë nënqiell.
Pa harruar miliona e miliona euro-t që u merrnin shqiptarëve të Kosovës për të “ndërmjetësuar” në marrje pasaportesh, lirime të burgosurish nga kazamatet serbe, rrahje e përndjekje, përgjime e torturime të shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë me radhë. Kulmi i krejt kësaj u arrit në vitet 1998-99 kur shumica absolute e serbëve të Kosovës jo vetëm që nuk provuan të ndalonin paramilitarët dhe forcat e “rregullta” të Milosheviqit të përndiqnin, përdhunonin e vrisnin shqiptarët e Kosovës, por ata u prinin atyre në marshimin drejt fushave të vdekjes në Dukagjin e Drenicë, Gjakovë e Pejë!
Kur në qershor të vitit 1999 heroi i tyre Milosheviqi nënshkroi kapitullimin në Kumanovë, botës iu servuan imazhet e përndjekjes së këtyre serbëve të Kosovës nga vendlindja e tyre. Fakt është që ka pasur hakmarrje dhe vrasje të civilëve serbë: por edhe sot e kësaj dite, secili shqiptar i vetëdijshëm i Kosovës e di që krejt ato akte o ishin për arsye pronësore apo motive plaçkitjeje o kishin të bënin me një iracionalitet i cili edhe ashtu nuk kishte të bënte me hakmarrje masive të shqiptarëve as me koordinim për politikë spastrimi të Kosovës nga serbët.
Në këtë mes nuk kemi si të mos e përmendim politikën perverze të KB-së dhe konkretisht UNMIK-ut me numrat: kur na flisnin sesi nga vendi kanë shkuar 200.000 serbë, kurse sot, në Republikën e Kosovës, bashkë me veriun e dimë që vazhdojnë të jetojnë 150.000 serbë.
Sidoqoftë, fakti sesi shqiptarët, elitat e tyre intelektuale dhe politike bashkë me opinionin e gjerë e kuptuan dëmin që mund të shkaktohej nga një politikë e tillë, edhe bëri që serbët e Kosovës shpejt, shumë më shpejt sesa në rajone tjera të ish-Jugosllavisë të jenë pjesë e institucioneve dhe jetës publike të Kosovës.
Dhe ja ku jemi: ka mbetur vetëm xhepi i madh i Republikës, të padëgjueshmit, serbët e veriut, rreth 40.000, prej tyre që të ndërsyer e koordinuar nga dikur opozita dhe sot pozita e Nikoliqit e Daçiqit që na kthejnë tek kohërat e rënda, kur nuk zgjedhin mjete as arsye për të pranuar realitetin dhe rregullat e lojës demokratike- në bashkëjetesë dhe paqe. Dhe pozicionimi i tyre, nga sot, me datën 10 dhjetor të vitit 2012, do të fillojë të luhatet. Sepse me Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufijve, të cilën e kanë zor të mos e pranojnë, sepse para dhe urdhëdhënësit e tyre më nuk janë Tadiqi as Koshtunica, por shefat e tyre Nikoliqi, Daçiqi e Vuçiqi e kanë pranuar, ata duhet të bëjnë një hap të madh prapa: duhet ta pranojnë që Kosova dhe Serbia kanë një kufi që paraqet ndarje të qartë mes dy shteteve dhe republikave.
Ec e mos i kujto kohërat e vjetra kur ata mblidhen dhe deklarojnë që “përkohësisht” e pranojnë këtë marrëveshje. E shprehja në fjalë atyre as që do t’u binte ndërmend të formulohej ashtu. Ua kanë shkruar dhe mësuar shefat e tyre në Beograd. Që ta kenë si karrem për kapitullin tjetër, atë të vështirin të negociatave të vitit që vjen: bisedimet për menaxhimin dhe administrimin e pjesës veriore të vendit nën ambrellën e Prishtinës dhe Republikës së Kosovës.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër është që situata e tashme e lënë gjysmëpezull me marrëveshje e negociata dhe karremin e serbëve të veriut u shërben Nikoliqit e Daçiqit që të kenë hapësirë më të madhe për ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në. Me apo pa këtë datë: prej sot serbët e veriut do të fillojnë ta kuptojnë që, jo përkohësisht por përjetësisht: do jenë pjesë e Republikës së Kosovës!
(Opinioni është marrë nga mediumet tjera)copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/12/beqe-cufaj.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!