Ish-komandanti i ushtrisë serbe: Shërbimet e sigurisë në Serbi janë shkatërruar, Kosova dje triumfoi mbi Vuçiqin
Kryetari i partisë Qendra e Serbisë (SRCE), Zdravko Ponosh, tha se përleshjet e armatosura me pasoja tragjike në Banjskë të Zveçanit kanë treguar se shërbimet e sigurisë së Serbisë janë “thyer”.
Ponosh tha për agjencinë Beta se regjimi në Beograd është befasuar nga zhvillimi i djeshëm i situatës në veri të Kosovës, transmeton Ballkani.
“Një gjë është se a kanë ditur për ekzistencën e formacionit të armatosur serb dhe a e kanë ditur se kush e ka udhëhequr atë formacion dhe çfarë qëllimesh kanë. Autoritetet në Beograd u befasuan nga veprimi i Policisë së Kosovës dhe kjo tregon se sa keq është shkatërruar Serbia në aspektin e sigurisë”, tha Ponosh.
Ai shtoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq përmendi përgjimin e ndihmësve të Kurtit si informacionin më të rëndësishëm të marrë nga agjencitë e inteligjencës serbe. “Është skandaloze”, theksoi Ponosh.
Sipas tij, lidershipi shtetëror ka mbetur i befasuar nga ngjarjet e djeshme në Banjskë, gjë që vërteton, siç tha ai, se Beogradi nuk është në gjendje të kontrollojë situatën në Kosovë.
Ai shtoi se pyetja është se për çfarë shërbejnë shërbimet serbe të sigurisë.
“Duhet të pyesim veten se për çfarë shërbejnë shërbimet e sigurisë së Serbisë. Nëse kanë ditur për vetëorganizimin e armatosur të serbëve në Kosovë dhe kanë lejuar që të rinjtë të vriten në këtë mënyrë, atëherë jemi në një problem vërtet të madh”, tha ai.
“Beogradi bën bujë herë pas here me ushtrinë afër vijës kufirit me Kosovën dhe rrit pritshmëritë e serbëve në Kosovë. Vuçiq mban fjalime të forta patriotike plot me ngarkesë nacionaliste, por në fakt serbët në Kosovë i la të vetëm. Nuk mund të presim asgjë të mirë sepse dje aktorët ndërkombëtarë u sollën shumë çuditshëm. KFOR-i heshti dhe imazhi i çështjes serbe në Kosovë u dëmtua në kurriz të interesave serbe. Në muajt e fundit, për shkak të sjelljes së paarsyeshme të Kurtit, serbët kishin avantazh diplomatik, por dje është bërë një dëm i madh. Është e mundur që dikush tani do të përdorë ngjarjet në Banjskë për të mbyllur librin për Kosovën, të cilin e pranuan edhe Vuçiq edhe Kurti në Bruksel dhe Ohër”, tha Ponosh.
Ponosh ka qenë deri në vitin 2008 komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Serbisë.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/onos.jpg): failed to open stream: No such file or directory