Informatat e rreme dhe konfuzioni gjatë pandemisë
Titulli Lab

Informatat e rreme dhe konfuzioni gjatë pandemisë

25.Jul.2020 21:46
0

Që nga muaji mars, kur u shfaq rasti i parë i një personi të prekur nga koronavirusi në Kosovë, shumë lajme të rreme u shfaqën në rrjete sociale si dhe media online.

Informacione që mohojnë ekzistencën e koronaviursit, shpikja e vaksinës si dhe së fundmi receta mjekësore që sugjerojnë terapinë që duhet përdorur njerëzit e sëmurë nga COVID-19, e që trajtohen në shtëpi, ende janë prezentë në mes të audiencës shqipfolëse.

Mentor Hoxhaj, drejtues i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se periudha e pandemisë ka prodhuar mijëra informacione të rreme dhe se largimi i tyre është proces i vështirë.

“Ajo që së voni u kuptua nga të gjithë është që nuk janë vetëm mediat prodhuesit e lajmeve. Aktualisht, çdo qytetar që ka qasje në pajisje të teknologjisë informative mund të shpërndajë, të bëjë një lajm, pastaj ai lajm të shpërndahet dhe kjo ka ndodhur edhe me lajmin e fundit sa i takon recetës mjekësore me medikamente për mjekim në kushte shtëpie në rast të infektimit me COVID-19”, thotë Hoxhaj.

 

Hoxhaj beson se problemi i keqinformimit të qytetarëve lidhet edhe me faktin se institucionet e Kosovës, duke përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kanë dështuar që të artikulojnë qartë informacionet dhe rekomandimet zyrtare mbi pandeminë.

Këto dy institucione, sipas Hoxhajt, nuk kanë arritur që të japin mesazhe të qarta qoftë edhe demantuese për lajmet e rreme që lidhen me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, këtë javë u bëri apel qytetarëve që të mos bien pre e informatave të pakonfirmuara sa i takon pandemisë.

Përmes një reagimi, MSH, apeloi të qytetarët që ata gjithmonë të konsultojnë mjekun në rast të shfaqjes të çfarëdo simptome dhe të përcjellin vetëm këshillat zyrtare të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësorë dhe institucionet kredibile e të konfirmuara.

 
 

Javën e kaluar, Policia e Kosovës arrestoi një person i cili kishte shpërndarë lajme të rreme ku thuhej se kishte vdekur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili është në vetizolim për shkak se është konfirmuar pozitiv me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Çfarë të besojmë?

Dren Gërguri, ligjërues në Fakultetin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, përmes një hulumtimi të publikuar se fundmi ka evidentuar këto pesë top lajmet e rreme që janë shpërndarë në gjuhën shqipe gjatë pandemisë:

  • Doktori amerikan trondit botën, tregon të vërtetën e koronavirusit
  • Diçka po zihet! 40 mijë forca speciale amerikane zbarkojnë në vendet e BE, përreth Ballkanit!
  • Një mjek Japonez, ja se si të kuptoni nëse jeni të prekur apo jo nga COVID-19
  • Kura për virusin C19 ose mënyra për ta eliminuar atë
  • Videoja e shoferit të autobusit: Njerëzit po vriten qëllimisht, nuk po vdesin nga koronavirusi

Të gjitha këto lajme vazhdojnë të jenë të shpërndara nëpër disa portale dhe rrjete sociale si dhe janë të qasshme në gjuhën shqipe.

 

Për t’i ikur keqinformimit, Gërguri rekomandon tre hapa nëpër të cilët qytetarët duhet ta kalojnë informacionin para se ta besojnë si të vërtetë.

“Pyetja e parë kur e lexon informacionin është se kush është burimi i informacionit dhe varësisht se kush është ai burim mund ta besosh ose jo. Nëse është vetëm në Facebook, është vetëm një rrjet social, pra nuk është një adresë e thirrur që t’i shërbejë shoqërisë me informacione që janë të shkruara nga profesionistët, gazetarët. Hapi i dytë është nëse informacioni është publikuar edhe në një media tjetër. Hapi i tretë është nëse informacioni është i bazuar në burime zyrtare”, thotë Gërguri.

Në rastin e pandemisë së koronavirusit të ri, Gërguri thotë qytetarët gjithmonë duhet besuar lajmeve që kanë referenca zyrtare nga institucionet relevante si Ministria e Shëndetësisë, Institucionet Shëndetësore si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edukimi medial si zgjidhje

Flutura Kusari, njohëse e fushës së mediave, thotë se pandemia e koronavirusit ka vënë në pah mungesën e edukimit medial të popullatës në Kosovë.

 

Sipas saj, kjo është ndër arsyet kryesore pse njerëzit bien pre e dezinformimit.

“Në momentin kur ne do të kemi politika serioze, qoftë nga Ministria e Shëndetësisë, qoftë nga autoritetet e tjera relevante rreth mënyrës se si qarkullon informacioni, si duhet të kuptohet informacioni, normalisht se do të kemi shumë më pak viktima të keqinformimit”, thotë Kusari.

Kusari thotë se institucionet nuk e kanë marrë seriozisht edukimin e publikut për këtë temë. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e mediave dhe mënyrën se si qarkullon informacioni deri në publikim.

Rrjetet sociale, hapësira kryesore për dezinformim

Mjeti kryesor për shpërndarjen e informacioneve të rrejshme rreth pandemisë së koronavirusit të ri mbetet hapësira e rrjeteve sociale si Facebook, Instagram dhe Twitter.

Këto kompani pavarësisht zotimeve se do të luftojnë përmbajtjet e rreme nga platformat e tyre, në shumë raste dështuan që ta bëjnë një gjë të tillë, thuhet në një studim të Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Digjitale me seli në Angli.

“Platformat e mediave sociale larguan më pak se një në dhjetë postime të raportuara për dezinformim në lidhje me koronavirusin”, thuhet në raportin e titulluar “Vullneti për të vepruar”.

 

Në raport thuhet se 649 postime që binin ndesh me standardet e deklaruara u raportuan në platformat e mediave sociale, por veprime për t’i larguar u morën vetëm në 61 sosh. Mbi 90 për qind e postimeve që përmbajnë dezinformata, e që janë raportuar te këto rrjete sociale, mbesin të qasshme online.

Sipas Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Digjitale, përmbajtjet e rreme që nuk janë larguar kanë pretenduar se COVID-19 nuk transmetohet përmes ajrit, se kjo sëmundje shkaktohet nga vaksinat, se teknologjia 5G helmon qelizat dhe shkakton sëmundjen COVID-19 dhe se vendosja e maskës shkakton kancerin./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/ovid-fakenws.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Shqiptarët në Preshevë me Covid-19 kanë frikë të shtrohen në spitalet e Serbisë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration