Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin
Rajoni dhe Politika

Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

06.Jun.2023 07:36
0

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ata po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës - Zvecan, Leposaviq dhe Zubtin Potok. Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale - të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

"Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira", tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave "legjitimë" dhe që përfaqësojnë qytetarët.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

"Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi", tha Escobar.

 

Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në "fillim të misionit të tyre", që do të zgjasë dy ditë.

"Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende", tha Lajçaku.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeminisrit të Kosovës, thuhet se kryeministri Kurti shprehu “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Kurti Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.

Kurti, sipas njoftimit, tha se vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit Kurti.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe më 6 qershor.

 

Zgjedhjet përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira qysh më 26 maj.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Kosova, tash e dhjetë vjet, refuzon ta themelojë Asociacionin me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

 

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/urti-lajcka-escobar.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Vuçiq i ankohet deputetit gjerman për Kurtin
A është e krijuar nga njeriu apo nga AI? Evropa kërkon identifikim për këtë ndërsa lufton dezinformimin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration