Escobar: Tensionet në veri kanë qenë të shmangshme
Para Kurtit, paraprakisht për BBC-në është deklaruar dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.
Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.
“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.
“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.
Escobar, bashkë me të dërguarin evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më 5 dhe 6 qershor.
Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, Defender Europe 2023.
I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Një ditë më parë, Bashkimi Evropian, po ashtu, ka kërkuar nga Kosova që t’i pezullojë operacionet policore në afërsi të komunave, dhe ka kërkuar që Kosova të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat në veri.
BE-ja ka thënë se pret që edhe pjesëtarë të komunitetit serb të marrin pjesë në to.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/scobar-vucic.jpg): failed to open stream: No such file or directory