Dy planet për dialogun Kosovë-Serbi, sipas Lubonjës
Publicisti Fatos Lubonja ka paraqitur dy plane sipas të cilave ai e sheh se po ec procesi i dialogut Kosovë-Serbi.
Njërin plan e paraqet si nacionalist e tjetrin si evropianist.
Lubonja në Interaktiv të KTV-së ka thënë se mosmarrëveshjet mes të dyja shteteve po vazhdojnë për shkak të mungesës së evoluimit të brendshëm për zgjidhje, veçanërisht te Serbia, e cila thotë se mund të ishte protagoniste e zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi.
“Është një situatë që flet për një krizë që tregon një sëmundje që është aty, që herë acarohet e herë qetësohet, por gjithmonë e sëmurë është situata. Kjo situatë vjen sepse në dy krahët, veçanërisht Serbia që mund të ishte më protagoniste në një zgjidhje, nuk ka një evoluim të brendshëm sa i përket asaj që ta zgjidhim këtë duke lehtësuar pavarësimin dhe duke ndërtuar një raport sa më normal. Përkundrazi, të dy krahët punojnë nëpërmjet ndërkombëtarëve me një plan A që e kam quajtur unë, dhe një plan B prapa”.
Plani A i Lubonjës parasheh se hyrja në Bashkimin Evropian do të zgjidhte mosmarrëveshjet. Lubonja ka shpjeguar se bashkimi në familjen evropiane ku kufijtë më nuk do të kishin rëndësi, mund të jetë një mundësi zgjidhjeje.
“Plani A është plani që duket, ai që merr parasysh ata që janë aktorë kryesorë në këtë lojë, është Perëndimi, NATO, por edhe lojtarë tjerë më sekondarë, që ndikuan që Kosova të fitojë këtë pavarësi të cunguar. Është një plan për ta që është i ndërtuar mbi idenë se një futje në Evropë do të jetë një zgjidhje e kësaj sëmundje. Kjo na bën më të afërt, kufijtë nuk kanë rëndësi, minoritetet janë ura lidhëse e jo pretekst për luftë, të gjitha janë në diskursin evropian por janë edhe të rrezikuara në përgjithësi”.
Kurse, sipas planit B të Lubonjës, mund të ndiqen qëllimet e kamotshme që të dyja shtetet i kanë pasur prej kohësh.
“Plani B është plani që të realizojmë qëllimet tona, Serbia që një ditë Kosovën ta integrojë përsëri, dhe shqiptarët kanë projektet e tyre, ndoshta një ditë bashkohen me Shqipërinë. Jemi mes dy këtyre projekteve, nacionalist dhe evropianist, dhe lundrohet mes të dyjave pa një siguri për të ardhmen”.
Lubonja ka theksuar se Evropa ka dështuar në zgjidhjen e konflikteve dhe se politikanët evropianë kanë parim interesat ekonomike.
“Pa dyshim, bëhet fjalë për pothuajse dështim të Evropës ashtu siç e kemi idealizuar. Besoj se kjo është një nga arsyet që lidhet me sistemin si u konceptua kjo Evropë dhe si çfarë ka dalë. Mendoj që Evropa u konceptua pas Luftës së Dytë Botërore për të zgjidhur problemet e konfliktit për të mos pasur më konflikte, të bashkohen interesat ekonomike. Vizioni duhet të shkonte më përtej, por egoizmat nacionale kanë mbetur dhe ka dështuar Evropa e solidariteti. Gjithë lëvizjet që i quajnë populiste, nacionaliste, ose i fusin exit prapa Brexit, kanë një shpjegim të sëmundjes së kësaj Evrope. Është një Evropë ku interesat ekonomike janë kryesore dhe politikanët janë kthyer në menaxherë të interesave ekonomike dhe jo vizionarët”./koha/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/s-srb-.jpg): failed to open stream: No such file or directory