Çfarë do të thotë për Serbinë njohja de facto e Kosovës?
Njohja de facto e Kosovës është ajo që pritet nga Serbia. Mesazhe të tilla iu dërguan ditëve të fundit nga disa adresa evropiane - fillimisht nga udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, e më pas edhe nga presidentja e Komisionit Evropian.
Toby Vogel, nga Këshilli joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një ashpërsim i fjalorit nga ana e Bashkimit Evropian.
“Njohja de facto nuk është thënë në mënyrë eksplicite më herët, por ka qenë gjithmonë evidente se një zgjidhje gjithëpërfshirëse në fund të dialogut [Kosovë-Serbi] do të nënkuptonte, në njëfarë mënyre, njohjen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia. Tani jemi në fazën kur kjo thuhet qartë”, thotë Vogel.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë më 30 tetor, tha se Kosova duhet ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë de facto Kosovën.
Një ditë më vonë në Beograd, ajo shpjegoi se njohja de facto e Kosovës nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë marrëveshje nuk përmendet njohja e Kosovës, por kërkohet që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që dyja palët ta respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra-tjetrës.
Për këtë marrëveshje që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan në Bruksel më 27 shkurt, ndërsa aneksi i zbatimit të saj u dakordua në Ohër më 18 mars.
Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, nga viti 2011, zhvillohen nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Analisti Toby Vogel vlerëson se qëndrimi i Brukselit është ashpërsuar edhe për faktin se Serbia tregon se Marrëveshja e Ohrit nuk është obliguese.
“Këtë e ka treguar edhe presidenti Vuçiq me deklaratat e tij. Çdo vëzhgues neutral do të konstatonte prej tyre se nuk ka Marrëveshje të Ohrit”, thotë Vogel.
Thirrja për Beogradin që ta njohë de facto Kosovën paraqet ndryshim të qëndrimit të mëparshëm, se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit fillon me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i Prishtinës.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u pajtuan me Marrëveshjen e Brukselit, më 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi në vitin 2015 se marrëveshja nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Tani thuhet se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të bëhet paralelisht - pra, edhe Prishtina, edhe Beogradi t’i kryejnë obligimet e tyre.
Ky ndryshim pason ngjarjet në Banjskë, më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
“Sa i përket Banjskës, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht i vështirë kthimi në rrjedhën e zakonshme të dialogut, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, thotë Vogel.
Çfarë thanë zyrtarët evropianë dhe amerikanë?
Para presidentes së Komisionit Evropian, pritshmëri nga Serbia për ta njohur de facto Kosovën shprehën edhe udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë - Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Georgia Meloni - përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar më 27 tetor.
Ata thanë se të dyja palët “duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre paralelisht, hap pas hapi”.
Për nevojën e zbatimit paralel të marrëveshjes foli edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Në një postim në Facebook më 30 tetor, ai tha se edhe Serbia ka shumë obligime të pakryera nga marrëveshja.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë, nuk deshi t’i komentonte mesazhet për njohje de facto, por tha se “po flasim për elemente konkrete që janë në tavolinë dhe për të cilat besojmë se janë dakord të dyja palët”.
Më 31 tetor, ai u tha gazetarëve se elementi më i madh, që është më i rëndësishmi për Serbinë, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, ai shtoi se ka edhe elemente të tjera dhe se “ato kanë të bëjnë me dëshirën e Kosovës për ndërkombëtarizim më të madh”.
Çka është njohja de facto?
Vesna Rakiq Vodinelliq, profesoreshë e së Drejtës në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka një përkufizim të përgjithshëm të njohjes de facto, që do të ishte i zbatueshëm për të gjitha rastet.
Ajo tha se, në këtë rast, presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se kjo është përmbushje e Marrëveshjes së Ohrit.
“Kjo nuk do të thotë se Serbia e pranon se Kosova është shtet i pavarur, por duket se në Evropë konsiderohet se njohja de facto e përcaktuar në këtë mënyrë, është e mjaftueshme”, thotë Rakiq Vodinelliq.
Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, thotë se është e rëndësishme ajo që specifikohet në marrëveshje - se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe se nuk do të bëjë fushatë kundër njohjes së Kosovës.
Ai kujton se Serbia votoi kundër pranimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill, pas Marrëveshjes së Ohrit.
“Ajo që është bërë më e qartë, është se padurimi ndaj Serbisë po rritet në Perëndim dhe se hapësira e presidentit Vuçiq për manovrim është ngushtuar me të vërtetë”, thotë Vogel.
Vuçiq: Harrojeni njohjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë vazhdimisht se Beogradi është i gatshëm t’i përmbushë gjërat që “nuk nënkuptojnë njohjen de facto apo de jure të Kosovës” si dhe “anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja”.
Gjatë adresimit të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, ai tha se nuk e ka të vështirë të thotë para saj se njohja e Kosovës nuk është çështje e Serbisë.
“Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato obligime”, porse “Serbia nuk mund ta bëjë atë që është kundër Kushtetutës së saj”, tha Vuçiq.
Në Kushtetutën e Serbisë, Kosova përkufizohet si pjesë e këtij vendi.
Por, thotë Vogel, nëse jeni dakord me një marrëveshje ndërkombëtare që është në kundërshtim me Kushtetutën tuaj, dhe për çfarëdo arsyeje besoni se duhet ta pranoni një marrëveshje e tillë, atëherë duhet të gjeni edhe një mënyrë për ta ndryshuar Kushtetutën.
Sipas tij, nuk është e mundur të pajtohesh me një marrëveshje dhe, në të njëjtën kohë, ta refuzosh zbatimin e saj.
“Unë e kuptoj që është e papërshtatshme politikisht. Por, ideja që ju nuk pajtoheni me diçka, sepse është kundër Kushtetutës, nuk funksionon. Sepse, në atë rast, kemi humbur 12 vjet në një dialog që nuk të çon askund”, thotë Vogel.
Ai kujton se qëllimi përfundimtar i dialogut është normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Tani, nëse e quani normalizim, për ta bërë të pranueshëm për audiencën serbe, ose nëse e quani njohje de facto... kjo është semantikë”, thotë Vogel.
Marrëveshja e Ohrit, e cila u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian, nuk u nënshkrua.
“Marrëveshjet ndërkombëtare funksionojnë edhe kur nuk nënshkruhen. Ato mund të arrihen verbalisht. E dëgjuam [shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep] Borrel të thotë se edhe Vuçiq, edhe Kurti janë pajtuar për përmbajtjen e asaj marrëveshjeje”, thotë ajo.
Borrell deklaroi më 27 shkurt, pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, se të dyja palët e kanë pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Zgjedhjet në Serbi - shtyrje e re?
Në Serbi, ndërkohë, u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për në mes të dhjetorit.
Sipas analistit Vogel, ato paraqesin vonesa të mëtejshme në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Vogel, megjithatë, beson se Perëndimi nuk dëshiron të bëjë shumë presion mbi Vuçiqin, sepse “nuk do që të rrezikojë një kolaps të plotë të dialogut”.
“Dhe, nuk do të habitesha nëse tani do të kishte një qëndrim se ai duhet të lejohet të merret me fushatën parazgjedhore dhe, pas zgjedhjeve, ta ketë një mandat të fuqishëm, për t’u pajtuar me marrëveshjen e normalizimit me Kosovën”, thotë Vogel, por shton:
“Nëse ai do të donte të pajtohej me zbatimin - gjë që nuk pretendoj se është politikisht e lehtë para publikut vendas - ai mund ta kishte bërë tashmë”.
Zyrtarë evropianë dhe amerikanë këmbëngulin se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më parë./REL/