Bullgaria i kërkon Shkupit ta ndryshojë Kushtetutën për t’u anëtarësuar në BE
Kryetari i Kuvendit të Bullgarisë, Rosen Zheljaskov, ka thënë të martën gjatë një vizite në Shkup se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkim Evropian (BE) është “rruga e vetme” dhe se ajo duhet t’i miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për ta arritur këtë.
Zheljaskov u takua me me homologun e vet maqedonas, Talat Xhaferi, gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik.
“Për ne është me rëndësi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin së bashku drejt BE-së. Vitin e kaluar Kuvendi bullgar e miratoi propozimin francez. Kompromisi është për të mirën e kombeve tona. Qëndrimi ynë nuk dallon nga ai i parlamentit maqedonas”, tha Zheljaskov.
Maqedonisë së Veriut i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën për ta përfshirë pakicën bullgare në preambulës e saj, si popull shtetformues, nëse dëshiron t’i vazhdojë bisedimet për anëtarësim në BE.
Ky ndryshim parashihet me atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve të saj me Bullgarinë.
Për miratimin e tyre nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin maqedonas, të cilat për momentin nuk i kanë partitë në pushtet, pasi opozita maqedonase dhe ajo shqiptare kanë ngulur këmbë se nuk do t’i mbështesin.
Xhaferi tha se shumica po bënë gjithçka për të siguruar mbështetjen e deputetëve “meqë integrimit në BE ka rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut”.
Në takimin e sotëm me Xhaferin, Zheljaskov tha se bisedoi edhe për zbatimin e marrëveshjes së vitti 2019 për fqinjësi të mirë dhe uljen e tensioneve mes dy vendeve.
“Duhet ta ndërtojmë besimin, duhet ta kundërshtojmë gjuhën e urrejtjes dhe garanci për këtë është respektimi i të drejtave të bashkësisë etnike bullgare”, shtoi Zheljaskov.
Derisa kryetari i Kuvendit bullgar përcolli në Shkup mesazhe për nxitjen e dialogut, zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, nga Sofja i dërgoi Shkupit një sërë kritikash të ashpra për siç ka thënë “mungesë të vullnetit për bashkëpunim dhe përmbushjen e kritereve për vazhdimin e integrimit evropian”.
“Politikanët në Shkup nuk tregojnë as dëshirë e as konsensus për bashkëpunim. Maqedonia e Veriut nuk tregon asnjë shenjë për të ndaluar gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë”, tha Jotova gjatë një fjalimi në Universitetin e Sofjes.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/osen%20Zheljaskov.jpg): failed to open stream: No such file or directory