Bujanoc: Borxhlia i keq ta lyp borxhin natën e Bajramit!
Jemi në fund të muajit të shenjtë të agjërimit, në prag të festës së dashur të Fitër Bajramit. Temperaturat e larta të korrikut, që na kanë shoqëruar gati përgjatë gjithë muajit të agjërimit dhe disa nga veprimet të shpifura, të kësaj periudhe e bëjnë Bujanocin, një vend shumë specifik e karakteristik.
Premtimet se të paktën gjatë muajit të agjërimit do të pushojnë shpifjet, dallaveret, marifetllëqet, gjobitjet, haraçi dhe kërbaçi, dolën më shumë se premtime elektorale.
Rrugëve të qytetit të Bujanocit, nuk kaluan ditë e të mos kapnin sytë njerëz me uniforma ngjyrë blu, hiri, të verdhë, të kaltër, me jelekë e salltanate nga institucionet tona, që kanë për themelues pushtetin si: distribucioni, komunalia, inspekcioni komunal e disa private si TV - Kabllori etj, të cilët në shenjë të taksës së papaguar shkyçin nga ajri dhe nga toka rrymë e ujë, për t’i mbushur arkat e atyre, që na këshillojnë se si të punojmë drejtë dhe pa gabime.
Faturat e fryra të rrymës dhe ujit si dhe taksat e tjera të organeve lokale dhe shtetërore, kanë shtrënguar rripat e qytetarëve, të cilët më shumë japin se sa marrin nga të mirat e këtij shteti.
Ekspeditat ndëshkuese të këtyre njerëzve të uniformuar, për të grumbulluar borxhet e qytetarëve dhe shkrimet e shtypit të verdh serbë se në Komunën e Bujanocit, po vidhet rrymë e ujë pa hesap, kanë bërë që ky vit të jetë më i rëndë se “Viti i mbrapshtë i Kadaresë!”
Por, kur t’ia shtojmë këtyre aksioneve të tagrambledhësve edhe kushtet e vështira ekonomike të qytetarëve me pa të ardhura mujore dhe temperaturat e larta të korrikut, nga bie të konkludojmë se kjo kohë në të cilën jem nuk është aspak më e lehtë se ajo e periudhës së regjimit totalitar.
Kjo kohë e pa kohë, nxori në sipërfaqe dhe legjitimoi njerëz të korruptuar, servilë e puthadorë, të cilët me të ngjitur shkallëve të pushtetit u bënë të pushtetshëm dhe nuk e ndalin dorën kamxhikut ndaj qytetarëve, të cilëve pa dijen dhe dashjen e tyre ua vodhën votat, për të qeverisur me ta. Pastaj me të njëjtën dinakëri ua shkyçin ujin dhe rrymën, për t’i kushtëzuar me votën në të ardhmen. Gjithashtu përmes disa mediumeve fantome u japin hapësirë vetëm atyre njerëzve dhe ngjarjeve, që u shkon për shtati destabilizimit të vendit.
E keqja nuk ka skaj!
Kjo klasë udhëheqëse e cila prodhon vetëm injoracë, urrejtje dhe hakmarrje, ka krijuar një imazh të keq për vendin dhe po mbyllë dita ditës perspektivat e përparimit të saj.
Krenaria e idiotësisë së personave me kompetencë, të cilët dikur nuk janë dukur për së gjallë, ka deziorientuar, përçarë dhe shkapërderdhur korpusin intelektual të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë.
Favorizimi i kësaj klase udhëheqëse, qoftë me organet komunale, qoftë me ato qendrore, po prodhon situate të palakmushme për ardhmërinë e vendit dhe integrimet evropiane.
Këto veprime të njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët vetëdijshëm apo pa vetëdije po krijojnë ekstremizëm primitiv, po ia zgjasin jetën forcave të rendit, qoftë përgjatë zonës kufitare, qoftë në zonat rurale e urbane, me frikën e inskenuar nga kinse tregtia ilegale me armë, drogë dhe qenie njerëzore, si dhe nga elementet e tjera të ekstremizmit radikal, nacionalizmit dhe terrorizmit!
Krenaria e idiotësisë, nuk do të pushojë me kaq, ajo do të mundohet edhe në të ardhmen me ngre krye, për deri sa intelektualët e mirëfilltë dhe ata që ia duan të mirën këtij populli të shumëvuajtur, të bëhen tok, për t’i dhënë fund epokës së injorancës, paditurisë dhe snobizmit.
Shoqëria Civile “Perspektiva” Bujanoc