Bërnabiq shpalos prioritetet e Qeverisë së re të Serbisë
Mandatarja për kryeministre të Qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë gjatë paraqitjes së programit qeverisës se, energjia përbën prioritetin kyç në qeverisjen e saj.
Sa i përket politikë së jashtme, ajo ka thënë se Ukraina “është kthyer në çështjen kryesore”.
“Në një botë të tillë, Serbia duhet të pozicionojë veten, të ruajë stabilitetin dhe të vazhdojë rritjen dhe zhvillimin, dhe kjo përbën detyrën bazike të qeverisjes së ardhshme”, ka thënë Bërnabiq.
Sipas saj, Serbia do të investojë 12 miliardë euro në politika të reja energjetike në vitet në vijim.
“Serbia do të nisë ndërtimin e një tubacioni të naftës për në Hungari, sa më shpejt që është e mundur, dhe ky do të jetë në mesin e projekteve që kanë prioritet në Qeverinë e re”, ka thënë ajo.
Serbia dhe Hungaria kanë arritur pajtueshmëri për ndërtimin e një tubacioni nafte që i mundëson Serbisë të furnizohet me “naftë më të lirë përmes tubacionit Druzhba”, kanë thënë autoritetet hungareze.
Marrëveshja për ndërtimin e tubacionit është arritur pasi Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë më 6 tetor.
Bërnabiq po ashtu ka përmendur se Serbia është duke përfunduar punimet në një projekt me Bullgarinë” që i mundëson qasje në gazin natyror të lëngshëm të Greqisë”.
Deklaratat për Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal
Bërnabiq ka thënë se Kosova, edhe 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, nuk ka vepruar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
“Ne presim që BE-ja dhe Prishtina të sigurohen për themelimin e Asociacionit, pa vonesa të mëtejme”, ka thënë ajo.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Bërnabiq ka thënë se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar për dialogun me Prishtinën.
Ajo ka theksuar se Serbia do të vazhdojë të punojë në iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe shpreson se Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina do t’i bashkohen nismës.
“Iniciativa është e hapur për Prishtinën, sepse do të sigurojë një dialog për çështjet më të rëndësishme që ndikojnë në kualitetin e jetës së njerëzve në rajon”, ka thënë ajo.
Nisma, Ballkani i Hapur, është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019.
Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj.
Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.
Bërnabiq për integrimet evropiane
Përgjatë prezantimit të saj, Bërnabiq ka thënë se Serbia, “pavarësisht të gjitha problemeve dhe mospajtimeve në çështje të rëndësishme”, do të vazhdojë të punojë drejt integrimeve evropiane.
“Bashkimi Evropian mund të kritikohet shumë, mirëpo është projekti më i rëndësishëm për paqe, dhe në aspektin strategjik destinacioni ynë i fundit është në bllok”.
Bërnabiq ka thënë se suksesi i negociatave me BE-në në të ardhmen “varet nga disa faktorë, mirëpo për të qenë krejtësisht e sinqertë, fatkeqësisht, duket se më së paku varet nga shpejtësia e reformave tona”.
Sipas saj, për Serbinë është e qartë se përparimi në rrugën drejt BE-së, varet nga përputhja me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht nëse Serbia do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, dhe sa shpejt është e mundshme arritja e një marrëveshjeje finale me Kosovën.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Përndryshe, Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, më 24 shkurt.
Serbia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 3 prill.
Rezultat përfundimtare janë bërë publike më 5 korrik, për shkak të përsëritjes së procesit zgjedhor në jug të Serbisë./REL/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/everia-serbe-bernabic.jpg): failed to open stream: No such file or directory