BBC përshkruan tërmetin në Gaziantep, më të madh në histori të Turqisë
Më shumë se 209 kilometra në perëndim, në Adana, Nilüfer Aslan ishte e bindur se ajo dhe familja e saj do të vdisnin kur tërmeti lëkundi banesën e tyre në katin e pestë. “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time. Ne u lëkundëm për afër një minutë”, tha ajo.
(BBC) - Ishte ora 04:17 me orën lokale kur Erdemi po flinte në shtëpinë e tij në Gaziantep, në jug të Turqisë, kur u trondit në gjumë nga një prej tërmeteve më të mëdha në histori të Turqisë.
“Kurrë nuk kam ndier diçka të tillë në 40 vjetët që kam jetuar”, tha ai. “U lëkundëm të paktën tri herë shumë fort, si një foshnje në krevat”.
Njerëzit shkuan te makinat e tyre për t'u shpëtuar ndërtesave të dëmtuara. “Unë imagjinoj se asnjë person i vetëm në Gaziantep nuk është në shtëpitë e tyre tani”, tha Erdem.
Në vend të kësaj, ajo nxori infuzionin nga krahu i saj dhe nisi të ndihmonte pacientët e tjerë që të dilnin nga ndërtesa.
“Unë kam bërë një operacion në veshkë dje dhe tani jam jashtë në shi dhe këmbët e mia janë lagur. Jo vetëm unë, disa pacientë shumë të moshuar janë jashtë pa asnjë xhaketë apo këpucë”.
Më shumë se 209 kilometra në perëndim, në Adana, Nilüfer Aslan ishte e bindur se ajo dhe familja e saj do të vdisnin kur tërmeti lëkundi banesën e tyre në katin e pestë.
“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time. Ne u lëkundëm për afër një minutë”, tha ajo.
“[I thashë familjes sime] ‘Është tërmet, të paktën të vdesim së bashku në të njëjtin vend’... Ishte e vetmja gjë që më shkoi në mendje”.
Kur tërmeti pushoi, Aslan iku jashtë – “Nuk mund të merrja asgjë me vete, po qëndroj jashtë me pantofla” - për të parë se katër ndërtesa që rrethonin të sajën ishin shembur.
Në Diyarbakir, 482 kilometra në lindje, njerëzit nxituan të dilnin në rrugë për të ndihmuar shpëtimtarët.
“Kishte ulërima kudo”, tha një burrë 30-vjeçar për agjencinë e lajmeve Reuters. “Fillova të tërhiqja gurët me duar. Ne i nxorëm të plagosurit me shokë, por ulërimat nuk u ndalën. Më pas erdhën ekipet [e shpëtimit]”.
Diku tjetër në qytet, Muhittin Orakci tha se shtatë anëtarë të familjes së tyre janë nën rrënoja.
“Motra ime dhe tre fëmijët e saj janë atje”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP. Dhe gjithashtu burri, vjehrri dhe vjehrra e saj.
Në Siri, një numër i madh ndërtesash u shembën në Aleppo, rreth dy orë me makinë nga epiqendra. Drejtori i Shëndetësisë, Ziad Hage Taha, tha se njerëzit e plagosur po "mbërrinin grupe-grupe" pas katastrofës.
Özgül Konakçı, një 25-vjeçare që jeton në Malatya, Turqi, tha se pasgoditjet - dhe moti i ftohtë - i përkeqësuan gjërat.
“Është shumë ftohtë dhe po bie borë tani”, tha ajo për BBC Turkish. "Të gjithë janë në rrugë, njerëzit janë të hutuar. Para syve tanë, dritaret e një ndërtese u thyen nga pasgoditjet".
Ndërsa një tërmet i dytë ndodhi në orën 10:24, një operator i kamerës për kanalin turk të lajmeve A Haber mund të shihej duke vrapuar nga një ndërtesë që po shembej në Malatya, ndërsa ulërima dëgjohej në sfond.
"Ndërsa po shkonim drejt rrënojave për të [filmuar] përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit, pati dy pasgoditje të njëpasnjëshme me një zhurmë të madhe", tha në transmetim reporteri Yuksel Akalan.
"Ndërtesa që po shihni në të majtën time u rrëzua në tokë. Ka shumë pluhur. Një banor vendas po vjen dhe ai është mbuluar nga pluhuri. Një nënë po i largon fëmijët".
Ozgul Konacki, 25 vjeçe nga Malatya, foli teksa priste jashtë me familjen e saj, pasi kishte parë ndërtesat rreth tyre të shembeshin.
"Disa njerëz donin të ktheheshin në shtëpitë e tyre sepse ishte shumë ftohtë", tha ajo. “Por më pas ne ndiem pasgoditje të forta dhe ata dolën përsëri jashtë”.
Ismail Al Abdullah - një shpëtimtar nga grupi humanitar sirian, Helmetat e Bardha - ka punuar në Sarmada, afër kufirit me Turqinë, për të shpëtuar të mbijetuarit.
“Shumë ndërtesa në qytete dhe fshatra të ndryshme në veri-perëndim të Sirisë janë shembur, të shkatërruara nga ky tërmet”, tha ai.
"Ne kemi nevojë për ndihmë. Ne kemi nevojë që komuniteti ndërkombëtar të bëjë diçka, të na ndihmojë, të na mbështesë. Siria veriperëndimore është tani një zonë fatkeqësie. Ne kemi nevojë për ndihmë nga të gjithë për të shpëtuar njerëzit tanë".
Përktheu: Forca Jashari