Arrestohen katër të dyshuar për planifikim të sulmit ndaj policisë dhe të trazirave në protestën në Beograd
Autoritetet serbe i kanë arrestuar katër persona të premten vonë, të cilët dyshohet se planifikonin të shkaktonin dhunë dhe trazira gjatë një proteste të thirrur për të shtunën e 10 gushtit në kryeqytet Beograd, njoftoi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
“Kjo duket qartë nga komunikimi i tyre. Personat do t’i dorëzohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme,” deklaroi Daçiq.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet: D.R. (1978), Z.C. (1989), S.V.T. (1986) dhe D.E. (1983).
Disa orë para arrestimit të tyre, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shërbimet e sigurisë ruse kanë paralajmëruar se në Serbi po përgatiten trazira masive, “që kanë për qëllim përfundimtar një grusht shtet dhe rrëzimin e udhëheqjes së zgjedhur në mënyrë të ligjshme”.
“Po, kemi marrë informacion zyrtar nga Federata Ruse, informacione të përcjella përmes kanaleve zyrtare. Kemi marrë atë informacion, po merremi me të, njerëzit e specializuar për këtë po merren me të dhe po bëjnë punën e tyre. BIA është përgjegjëse. Njerëzit që përpiqen të bëjnë diçka me forcë, nuk do t'ia dalin, sepse Serbia po ecë përpara dhe asgjë nuk do ta ndalë. Ky është mesazhi im për të gjithë, njerëzit nuk duhet të shqetësohen”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë nuk dha hollësi të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët në Serbi, të cilët refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë pavarësisht thirrjeve të Perëndimit, thonë se shërbimet ruse japin paralajmërime përpara protestave të drejtuara kundër Qeverisë, duke i quajtur ato “revolucione me ngjyra” dhe paralajmërime për “Majdanin” në Serbi – terma që janë dënuar nga zyrtarët e BE-së dhe Ukrainës.
Ka disa javë që në qytete të ndryshme të Serbisë po mbahen protesta kundër nxjerrjes së litiumit, ndërsa protesta kryesore është planifikuar për të shtunën më 10 gusht në Beograd.
Të shtunën përfundon afati që organizatorët e protestës i kanë dhënë Qeverisë së Serbisë për të miratuar një ligj për ndalimin e përhershëm të hulumtimeve gjeologjike dhe shfrytëzimit të litiumit dhe borit në Serbi.
Kjo valë e re protestash vjen pas vendimit të Qeverisë së Serbisë më 16 korrik për të vazhduar me projektin e ndërtimit të minierës së litiumit në luginën Jadar, pasi paraprakisht e kishte ndalur ndërtimin e saj në vitin 2022.
Kësaj i parapriu vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila më 11 korrik e shpalli jokushtetues vendimin e Qeverisë së Serbisë për të ndalur projektin e Rio Tintos, me vlerë 2.4 miliardë dollarë.
Qeveria e Serbisë në Beograd më 19 korrik nënshkroi një “Memorandum mbi lëndët e para kritike” me Bashkimin Evropian, i cili parashikon të gjithë zinxhirin e prodhimit – nga nxjerrja e litiumit në Jadar deri te prodhimi i baterive për automjetet elektrike./REL/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/olicia-srb.jpg): failed to open stream: No such file or directory