Amnistia nis me Gjergj Dedajn!
Zyra po i gëlqeroset, mobiliet e reja po i blihen dhe kësaj radhe po i përgatitet kreditkartela qeveritare pa limit për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme zëvendësministrit të ri të Kulturës, i cili do t’ia nisë punës javën e ardhshme.
Shkruan: Lavdim Hamidi
Gjergj Dedaj, ndonëse ka qenë më modesti në shpenzime, në krahasim me gjithë kabinetin qeveritar të kryeministrit Thaçi, prapëseprapë atij nuk i kanë mjaftuar rreth 3000 euro në muaj shpenzime me kreditkartelë gjatë udhëtimeve zyrtare, apo 33 mijë euro për një vit, prandaj është vendosur që tash e tutje ai të mos e “çajë kokën” për para, por të mendojë vetëm për promovimin e vlerave kulturore të Kosovës në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës.
Për vetëm dy ditë qëndrimi në Austri, Gjergji në vitin 2010 pati shpenzuar rreth dy mijë euro, apo më shumë se paga mujore e kryeministrit të Kosovës.Megjithatë, shpenzimet në udhëtime nuk kanë qenë asnjëherë problem për zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës.
Ish-kryeministri i AAK-së, Bajram Kosumi, kishte paguar rreth 40 mijë euro aeroplanin special për t’u kthyer nga Turqia, ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, pagoi hiç më pak se 700 dollarë një litër verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto fakte i dinte edhe ai, prandaj thoshte se duke e marrë parasysh gjithë këtë “masakër të buxhetit”, të kritikohej Gjergj Dedaj për këto shpenzime është njësoj si të kritikohej Nënë Tereza.
Në raport me keqpërdoruesit tjerë të buxhetit, të cilët u bënë milionerë brenda natës, pa i kursyer paratë e buxhetit dhe duke marrë përqindje të majme në të gjithë tenderët institucionalë, Gjergji ndoshta edhe më të drejtë paraqitet si shenjtor.
Fiks tre vjet pas vendimit për shkarkimin e Gjergj Dedajt nga kryeministri, siç u tha në atë kohë, në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit, Gjergji u ringjall si një feniks.
Ai u rikthye në Qeveri pikërisht nga i njëjti kryeministër, duke u emëruar zëvendësministër i Kulturës, i cili tash e tutje do të ketë në kompetencë promovimin e vlerave kulturore të vendit, si numër dy i Kulturës në Kosovë.
E sa për kritikat për keqpërdorim të fondeve publike, ato as që do të përmenden në të ardhmen, pasi që Ligji për Amnisti që do të miratohet sot në Kuvend, i cili do të amnistojë krime shumë më të mëdha se sa këto cikërrima financiare.
Gjitha këto veprime të zyrtarëve shtetërorë po tregojnë se korrupsioni dhe keqpërdorimet në Kosovë nuk ndëshkohen, por përkundrazi ato po shndërrohen në vlera shoqërore dhe po shpërblehen, në kundërshtim me parimet udhëheqëse të Bashkimit Evropian, ku Kosova synon të integrohet.
Asnjë shtet nuk është integruar në BE duke i shpërblyer me pozita institucionale keqpërdoruesit e parave të buxhetit, por duke i vënë para drejtësisë edhe kryeministrat. Prandaj, as të mos mendojnë se rruga drejt BE-së do të jetë e shkurtër.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com