Ambasadori amerikan në Beograd s’ka dilema për Asociacionin në Kosovë: Formimi i tij, çështje kohe
Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë më nuk është çështje se a do të bëhet, por se kur do të bëhet.
Në një intervistë për “Euronewsin” në Serbi, Hill ka thënë se aktualisht problemi kryesor me Kosovën është çështja e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, por sipas tij, çështja fundamentale që duhet të zgjidhet është Asociacioni.
“Ky është problemi tani (ndalimi i dinarit). Megjithatë, ajo që është ngushëlluese është se të gjithë e kuptojnë se ky problem duhet të zgjidhet. Negociatori amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndroi në Kosovë dhe përçoi mesazhe të ashpra e të qarta për lidershipin kosovar. Duhet të zgjidhen më shumë probleme dhe ndalimi i dinarit është më i freskëti e ndoshta më i vështiri. Megjithatë, çështja fundamentale që duhet të zgjidhet dhe për të cilën është rënë dakord në të kaluarën, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Me themelimin e tij, të gjitha problemet tjera, si strukturat paralele ose përdorimi i dinarit, duhet të zgjidhen. Është vetëm çështje kohe, dhe jo nëse do të bëhet. Logjika është e qartë, palët janë pajtuar dhe kjo është ajo që BE-ja dëshiron dhe ajo që do të arrihet”, ka thënë ai.
Për problemet në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Hilli ka thënë se ka “probleme serioze, që duhet të adresohen”.
Në takimin e fundit të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e emisarëve evropianë, në shtator, kryeministri i Kosovës ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante një draftstatut të propozuar nga BE-ja për Asociacionin, krahas Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Megjithatë, kjo ishte refuzuar nga Serbia. Pas kësaj ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, dhe nga autoritetet kosovare u tha se dialogu më nuk mund të konsiderohet i njëjtë.