Vështrime
Albanafobia e Berishës dhe islamofobia e Erdoganit
Fatos Lubonja shkruan në numrin e djeshëm të “Panoramës” se “albanofobia” e Berishës nuk është shpjeguar ashtu siç do të duhej nga shtypi apo nga analistë të ndryshëm. Ai vëren se një thellim mbi këtë argument do të duhej që të kryhej në mënyrë që të merrte jetë ajo që gjëllin nëpër tryezat informale të të huajve në Tiranë, të cilët, prapa këtij termi, shohin një lloj kërcënimi të Berishës ndaj Perëndimit që nuk po e qas në BE Shqipërinë që drejtohet nga qeveria e Berishës.
Shkruan: Ilir Yzeiri;
Po e citoj të plotë këtë paragraf: “Sipas kësaj hipoteze, deklaratat e Berishës u drejtohen pikërisht ndërkombëtarëve, jo shqiptarëve. Shkurt, i lodhur apo i zhgënjyer me ndërkombëtarët që ia refuzojnë statusin – që do të thotë ta pranojnë kështu siç është – ai ka zgjedhur t’i shantazhojë ata: ju nuk doni të më pranoni në Evropë, atëherë unë kaloj në planin B dhe ju krijoj probleme më të mëdha nga ç’mund ta mendoni. Pra, sipas kësaj hipoteze, termin “albanofobia” ai e ka përdorur jo thjesht për të përshkruar frikën e vendeve fqinje ndaj shqiptarëve, por edhe frikën e Evropës për të pranuar shqiptarët në gjirin e saj. Është një hipotezë që, në njëfarë mënyre, është edhe pasqyrë e frikërave evropiane.
Nëse do t’i besojmë kësaj hipoteze, nuk mund të mos të shkojë në mendje se ai ka dashur, në njëfarë mënyre, të imitojë Kryeministrin turk Erdogan, i cili, i lodhur edhe ai me pritjen e pranimit të Turqisë, ka ca kohë që flet për “islamofobi” dhe kërkim alternativash të reja ndaj asaj evropiane. Unë dua të shtoj se edhe Hashim Thaçi, para disa kohësh, e kërcënoi Evropën pak a shumë me të njëjtën gjuhë si Berisha pse burokratët e Evropës, sipas tij, nuk po hapnin ende dritën jeshile për heqjen e vizave. Unë mendoj se analiza e Lubonjës është e drejtë dhe nëse i shton asaj edhe qëndrimin e Thaçit, të duket se je përballë një situate si ajo në të cilën ndodhet Turqia.
Shqipëria dhe Kosova, sipas opinionit evropian, nuk po i përmbushin standardet për t’u përafruar me BE-në. Shkaqet mund të jenë disa, por më të dukshmet janë korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira. Përgjegjës kryesorë për këtë situatë janë dy persona: Berisha në Tiranë dhe Thaçi në Kosovë. Ndërkaq, miku i tyre më i madh dhe modeli që ata kanë zgjedhur që të imitojnë është kryeministri turk Erdogan. Mirëpo ky kryeministër po akuzohet deri edhe për lojë me “Al Kaedën”. Gazeta “La Republica” boton para disa ditësh një shënim redaksional me titull “Se la Turchia gioca con AlQaeda” në të cilin zbulohen disa anë jo të qarta, madje të errëta të politikës turke dhe të rolit që po luan ajo pas asaj që quhet “Pranvera arabe”. Kjo anë jo e qartë, thuhet në këtë analizë, u shfaq së fundi në një incident politik më shumë se diplomatik.
Ambasadori i Ankarasë në Çad kritikoi luftën e Francës kundër “Al Kaedës” në Mali, duke thënë në esencë se nuk është e vërtetë që është terrorizëm gjithë ajo që perëndimorëve ju duket si e tillë. Sipas “Ansa”-s, ambasadori Ahmet Kavas, një profesor i teologjisë islamike, i afërt me ministrin e Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, pas ndërhyrjes ushtarake të Francës në Mali ka shkruar në “Twitter” se “‘Al Kaeda’ është e ndryshme nga terrorizmi”. Turqia, thuhet në këtë shkrim, ka shprehur pakënaqësinë ndaj SHBA-së pse këto të fundit kanë futur në listën e zezë të terrorizmit “Frontin al-Nusra”, grupin integralist të afërt me “Al Kaedën” që sot është në linjën e parë të luftës kundër regjimit të Asadit në Siri.
Kavas iu kundërvihet operacioneve të udhëhequra nga Franca dhe shkruan: Fjala terror është franceze dhe nuk mund të jetë vepër e myslimanëve. Pas kësaj ambasadori, shkruan “Ansa”, nuk është thërritur, por nuk ka postuar më në “Twitter”. Ndërsa vetë ministri i Jashtëm turk Davutoglu ka thënë: “Xhihadi nuk shenjon terrorizëm: bashkëshoqërimi i dy koncepteve ka ardhur prej neologjizmës së bërë nga SHBA dhe lobit pro-izraelit”. Gazeta “Hyrriet” boton një shkrim të analistit turk Semih Idiz që thotë se duke u përpjekur të luajë me zjarrin, Turqia do të digjet vetë. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe Sali Berisha me Hashim Thaçin.
Madje ky i fundit ka nisur që edhe tekstet e historisë t’i redaktojë me Ministrinë e Jashtme turke. Ndaj albanofobia e Berishës nuk është lajthitje e një të marri, por është llogaritur mirë në zyrat e Erdoganit. Berisha dhe Thaçi po i bëjnë presion Evropës dhe po e trembin atë duke i treguar rrugën për në Anadoll. Por a do të përfundojmë të gjithë në Anadoll apo në Evropë./Titulli.com/copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/03/iliryzeiri.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!