Akademik Nexhat Daci, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave
Shërbimi profesional i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) njofton se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Evropës (ASAE), me seli në Salzburg të Austrisë, ka konfirmuar këto ditë zgjedhjen në radhët e saj të akademik Nexhat Dacit.
Në adresë të Akademisë dhe të prof. Dacit, ekspert i njohur në fushën e shkencave kimike, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka ardhur letra zyrtare me të cilën njoftohen se është zgjedhur anëtar i rregullt i kësaj Akademie në mbledhjen e Komitetit të Nominimit, të mbajtur në nëntor të këtij viti.
“Inaugurimi solemn i Akademik Nexhat Dacit do të bëhet në Asamblenë e përgjithshme, që do të mbahet më 8 mars 2015, në Salzburg. Me këtë dëshmohen edhe një herë meritat që u bëhen shkencëtarëve nga Kosova në suaza ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut, transmeton Titulli.
Anëtarë të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë anëtarët e saj Rexhep Ismajli, Hivzi Islami, Edi Shukriu dhe anët. i jashtëm Muhamedin Kullashi. Anëtari i parë i kësaj Akademie ishte i ndjeri akad. Gazmend Zajmi, njofton Shërbimi profesional i ASHAK-ut. /Titulli.com/