43 mijë paga mujore nga Beogradi për serbët në Kosovë, Lugina asnjë cent nga Shqipëria e Kosova!
Ministri serb i Punës Aleksandar Vulin po vazhdon të sillet sikur të ishte ministër serb për Kosovën, post ky që e mbante më herët në Qeverinë e Beogradit.
Ai sot në B92, ka thënë se Serbia vazhdon të përkujdeset e të ndihmojë serbët në Kosovë.
“Për këtë qëllim Serbia çdo muaj paguan 43 mijë rroga nga buxheti i saj për njerëzit që punojnë në Kosovë”, ka thënë ai dhe ka shtuar se shteti serb brengoset edhe për serbët që nga Kosova ishin ikur bashkë me ushtrinë e policinë e të cilët ai i quan “të shpërngulur interno”.
“Këta njerëz nuk janë harruar”, ka thënë ai.
Vulin nuk ka treguar se cilat kategori pune i paguan i Serbia për serbët në Kosovë, ndërsa nuk dihet nëse këta persona marrin pagë edhe nga buxheti i Kosovës.
Për dallim nga serbët e Kosovës, shqiptarët e Luginës që janë në juridiksionin e Serbisë, ata pak të punësuar në administratë dhe organe shtetërore që kanë pagën e siguruar nga buxheti i Republikës së Serbisë, asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur që të kenë pagë edhe nga shteti amë Shqipëria, apo edhe Kosova, transmeton Titulli.com.
Spektri politik shqiptarë i Luginës së Preshevës shumë herë ka përsëritur kërkesën për reciprocitet me të drejtat që serbët po i gëzojnë në Kosovë.
Këtë e ka kërkuar edhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, që shqiptarët nga jugu i Serbisë të kenë të drejta të barabarta me ato që i kanë serbët në Kosovë, mirëpo deri më sot konkretisht në terren nuk vërehet përmirësim i situatës. /Titulli.com/