Hapet fuqishëm fushata në Preshevë: Mustafa premton investitor nga Dubai, Mehmeti akuzon për lokalizëm!
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia për Veprim Demokratik (PVD) kanë hapur në Preshevë fushatën parazgjedhore dhe kanë prezantuar kandidatët për këshilltarë komunal për zgjedhjet e 24 prillit, raporton Titulli.com.PVD për dallim nga PDSH, përveç fushatës për zgjedhje lokale, ka bërë hapjen e fushatës edhe për zgjedhjet parlamentare.
Në tubimin hapës të PDSH-së, bartësi i listës së kësaj partie, Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës, premtoi se të gjitha shkollat e komunës së Preshevës do ta kenë lidhjen e internetit dhe librat elektronik, që siç u shpreh ai, Serbia nuk mund t’i ndal kopjet elektronike.
Mustafa në lidhje me zhvillimin ekonomik premtoi se në zonën industriale do të investojnë një milion euro, dhe me përfundimin e kësaj zone do të ketë investime nga të gjitha anët pasi, siç u shpreh ai, në kohën e fundit ka të interesuar edhe investitorë nga Dubai, shkruan Titulli.com.
Nënkryetari i PDSH-së, Shukri Ymeri, tha se “me bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare vazhdojmë t’i tregojmë faktorëve relevant vendorë dhe ndërkombëtarë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë në raport me shqiptarët”.
Në anën tjtër, në hapjen e fushatës parazgjedhore të PVD-së, bartësja e listës së kësaj partie në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, Ardita Sinani, tha se kjo parti i ofron qytetarëve shpëtim, siç u shpreh ajo, nga keqqeverisja aktuale, nga monopoli, tenderomania dhe nepotizmi, transmeton Titulli.com.
Kandidati i parë në listën e PVD-së për zgjedhje lokale, Xhelal Mehmeti, tha në tubimin hapës se “PVD do të ndal zbrazjen dhe do t’i kthejë perspektivën Preshevës. Në subjektin tonë nuk ka lokalizëm, lokalizëm tek ata, që qytetin e bën fshat, ndërsa Zhunicën dojnë ta bëjnë qytet”.
Në tubimet parazgjedhore u paraqitën me fjalime edhe kandidati i parë në listën për deputet republikan, Fatmir Hasani, si dhe kryetari i PVD-së, Riza Halimi./Titulli.com/