Gecaj: Lugina e Preshevës brengë edhe e Qeverisë së Kosovës
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal të Kosovës njëhërit dhe koordinator joformal për Luginë të Preshevës në Qeverinë e Republikës së Kosovës Bajram Gecaj, zhvilloi takim me përfaqësuesit e Lëvizja "Vatra" në Fushë Kosovë, ku u paraqitën kërkesat kryesore të kësaj lëvizje.Theks të veçantë iu kushtua çështjes së pazgjidhur të Luginës së Preshevës dhe nga kjo Qeveri u kërkua që me çdo kusht të insistohet të futet në agjendën e bisedimeve në mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel çështja e pazgjidhur e Luginës së Preshevës.
Në këtë takim u diskutuan të gjitha temat e prekshme që janë në Luginë, por edhe problemet që kanë qytetarët e Luginës të zhvendosur nga viti 1999 në Kosovë, përkatësisht në Fushë Kosovë duke filluar nga pajisja me dokumente regjistrim nëpër shkolla dhe fakultete, punësim e probleme tjera.
Zëvendës ministri, Gecaj shprehu gatishmërinë e tij që të mbështesë kërkesat e mundshme të Luginës së Preshevës, por edhe të qytetarëve të saj që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kërkuar gjithnjë ndihmën dhe bashkëpunimin reciprok të të gjithë faktorëve që përbëjnë jetën politike atje dhe këtu.
Ai shprehu bindjen se problemet e Luginës së Preshevës do të zgjidhen në bashkëbisedim me Beogradin dhe Faktorin Ndërkombëtar, por dhe me ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Kërkesat ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës:
1. Përfshirja e problemit të Luginës së Preshevës në dialogun e Brukselit me Beogradin.
2. Formimi i një Zyre për Luginën e Preshevës (Drejtorie) në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
3. Formimi i Fondit Kombëtar për Luginën e Preshevës.
4. Reciprociteti mbi të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës me të drejtat individuale dhe kolektive të pakicën serbe në Republikën e Kosovës.
5. Mbështetja ekonomike, financiare dhe realizimi i projekteve të ndryshme në të gjitha segmentet e jetës në Luginë të Preshevës.
6. Aplikimi i dyshtetësisë për të gjithë qytetarët me origjinë nga Lugina e Preshevës.
7. Përfshirja e Luginës së Preshevës në zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Kosovës.
Kërkesat ndaj Komunës së Fushë Kosovës:
1) Hapja e një Zyre për Komunitetin e Luginës së Preshevës në Fushë Kosovë,
2) Krijimi i kushteve dhe ndihma për ndonjë kthim eventual të këtyre banorëve në vatrat e mëhershme, për mes ndonjë subvencionimi, apo ndihme tjetër,
3) pajisja me dokumente personale-marrja e dy shtetësisë,
4) punësimi i tyre,
5) përfshirja e tyre në skemat sociale,
6) krijimi i perspektivës për të rinjtë,
7) përfshirja e tyre në subvencionete ndryshme të Komunës,
8) zgjidhja e problemit të pronave (bartja e tyre),
9) integrimi i fëmijëve të tyre nëpër të gjitha institucionet parashkollore, shkollore dhe universitare,
10) ndarja e ndihmave, apo bursave të ndryshme për nxënësit dhe studentët e këtij Komuniteti,
11) integrimi i tyre nëpër të gjitha segmentet e jetës institucionale të Komunës së Fushë Kosovës dhe më gjerë,
12) bashkëpunimi i ndërsjellë i Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në të gjitha aspektet.
Lëvizja “Vatra”- Fushë Kosovë