Forumi Ekonomik Botërorë: Pse po e mbivlerësojmë vdekshmërinë e Covid-19?
Epidemiologjia e shëndetit publik është shkenca e numërimit, për të parandaluar sëmundjet dhe promovuar shëndetin. Ne numërojmë numrin e rasteve të reja të një sëmundjeje të veçantë; kjo është incidenca. Më pas llogarisim se sa është përhapur një sëmundje në një popullatë; kjo është prevalenca.
Kur bëhet fjalë për COVID-19, numërimi është një sfidë. Përkundër të gjitha artikujve dhe raportimeve në lajme, ne dimë shumë pak për incidencën ose përhapjen e kësaj sëmundje të re. Dhe siç ndodh gjithmonë: injoranca ngjall frikë. Në qytetin tim të lindjes, në Nju Jork dhe gjetkë, një frikë ka pushtuar mendjen e pothuaj cilitdo: shkalla e vdekjeve këtu duket se është dukshëm më e lartë se normat e raportuara gjetkë.
A është vërtet kështu? Duke përdorur të dhënat e pacientëve nga Kina, zyrtarët e shëndetit publik fillimisht vlerësuan se 80% e rasteve të COVID-19 janë ose asimptomatike, ose kanë sëmundje me shenja të buta. Duke pasur parasysh që shtretërit spitalorë, punonjësit e shëndetit dhe pajisjet e testtimeve kanë mungesa, vetëm njerëzit me simptomatikë këshillohen të shkojnë në spital. Për shkak të mungesës së testimit të mjaftueshëm, duke përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara, në shumë vende vetëm pacientët në spital llogariten si raste. Personat që nuk ndjehen të sëmurë seriozisht qëndrojnë në shtëpi, shërohen pa zhurmë, dhe nuk llogariten kurrë. Kjo ka rëndësi sepse ato nuk figurojnë në asnjë prej statistikave zyrtare.
Merrni për shembull një njujorkeze të moshuar e cila është i sëmurë, por në gjendje të butë. Ajo telefonon mjekun e vet të familjes, i cili bën një diagnozë klinike të COVID-19 bazuar në simptomat e saj, por jo një test. Për shkak se ajo nuk është shumë e sëmurë, këshillohet të qëndrojë në shtëpi. Nuk ka asnjë mekanizëm që mjeku i saj ta raportojë diagnozën e zonjës, pranë autoriteteve shëndetësore, kështu që nëse ajo përmirësohet, nuk llogaritet kurrë. Vetëm nëse sëmuret mjaftueshëm sa për t’u pranuar në spital, ajo llogaritet si një rast COVID-19. Nëse vdes, ajo do të llogaritet si një vdekje nga COVID-19.
Duke qenë se shumë prej nesh po përjetojnë “shkollimin” në shtëpi këto ditë, kjo duket një kohë e mirë për të bërë një rifreskim matematikor. Pasi të përcaktohet numri i infeksioneve, ky bëhet emëruesi në llogaritjen e shëndetit publik. Numri i vdekjeve është numëruesi ynë.
Numëruesi (numri i vdekjeve) pjesëtuar me emëruesin (numri i personave të infektuar) x 100 = shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni.
Ne e dimë se virusi përhapet shumë shpejt pasi futet te një popullatë. Kjo do të thotë që shumë prej nesh janë ose kanë qenë infektuar tashmë nga virusi – pavarësisht nëse kemi simptoma.
MEgjithëkëtë, në vend që të na numërojnë të gjithë në emërues, në shumë vende përfshirë SHBA, numërohen vetëm njerëzit që janë aq të sëmurë, sa për të shkuar në spital. Njerëzit e sëmurë aq sa t’u duhet të shkojnë në spital, ka më shumë të ngjarë të kenë nevojë për kujdes kritik, dhe pacientët në gjendje kritike kanë më shumë të ngjarë të vdesin, sesa pacientët me simptoma të buta. Kjo do të thotë që shkalla e fatalitetit duket më e lartë se sa është në të vërtetë.
Më tej, edhe kur testojmë, në varësi të llojit të testit që përdorim, ne mund të numërojmë vetëm njerëz që janë të infektuar aktualisht, jo ata që e kanë pasur virusin dhe aktualisht janë imunë. Kjo përsëri do të çojë në një nënvlerësim të emëruesit.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që emëruesi (numri i infeksioneve) është më i vogël se sa duhet të jetë, kështu që numëruesi (numri i vdekjeve) ka më shumë “forcë”. Në këtë rast, rezultati është që niveli i vdekjeve (numëruesi i pjesëtuar me emëruesin) i raportuar është më i lartë, se sa duhet të jetë. Me fjalë të tjera, duke mos llogaritur njerëzit që nuk kanë nevojë për kujdes spitalor, ne jemi duke projektuar me tepri përqindjen e personave të infektuar që vdesin nga COVID-19. Eshtë një mesazh i rrezikshëm që po shkakton frikë, e gjitha e shkaktuar nga një emërues i rremë.
Në ditët e ardhshme, niveli i vdekjeve do të duket më keq, veçanërisht pasi spitalet mbushen gjithnjë e më shumë, dhe ne racionalizojmë kujdesin intensiv. Do të duket sikur një përqindje më e lartë e personave të infektuar me COVID po vdes, sesa po ndodh në të vërtetë. Në dallim nga sëmundjet e tjera, nuk ka as testime të mjaftueshme as të përshtatshme, duke e bërë të pamundur të vlerësojmë se sa prej nesh kanë qenë infektuar tashmë, dhe kështu nuk rrezikojnë të infektohen më. Shumica dërrmuese prej nesh do të infektohen, mbijetojnë dhe as nuk do e dijmë, nëse e kemi bartur virusin ose kemi qenë ngjitës, kështu që pa dashje do të infektojmë miqtë dhe anëtarët e familjes.
Të dhënat nga e gjithë SHBA dhe nga vendet e tjera në lidhje me vdekjet sipas moshës, patologjive të tjera, ilaçeve që merren në kohën e vdekjes dhe faktorë të tjerë, përfundimisht mund të na ndihmojnë të kuptojmë se si sillet COVID-19, si në një popullsi, ashtu edhe në planin individual. Ndërkohë, ne duhet të përshtasim vlerësimin zyrtar të raseve në nivel popullsie, ose të paktën, të ndërtojmë sisteme më të mira për shkëmbimin e të dhënave dhe raportimit.
Do të vijë një moment, kur ne do të kthehemi të rindërtojmë rutinat tona të përditshme, duke i shtuar fokusit tonë, edhe krizën e shëndetit mendor të shkaktuar nga disa javë frikë, izolim dhe ankth. Një pjesë e madhe e të cilave mund të ishte shmangur nga një përcaktim i saktë dhe i qartë i emëruesit.
Shkruar nga Nina Schwalbe- World Economic Forum
Përkthyer nga botal
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ina-schwalbe-.jpg): failed to open stream: No such file or directory