Fillojnë ditët e komedisë shqiptare- Presheva 2015
Në shtëpinë e kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë u hap festivali "Ditët e Komedisë Shqiptare "“Presheva 2015.Sipas drejtorit të shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” z. Naser Nuredini, ky edicion do të vazhdojë deri më 7 nëntor 2015.
“ Në këtë rast për gjashtë ditë rresht do të kemi mundësinë të ndjekim gjashtë shfaqje të teatrove shqiptare, të cilat marrin pjesë në këtë festival. Madhështinë e shton mikpritja dhe bujaria preshevare , atëherë këto virtyte do ti përsërisim sa herë që të jetë nevoja”, theksoi Nuredini.
Regjisorja e njohur preshevare dhe njëra nga organizatoret e këtij manifestimi, zonja Afeida Boriçi lidhur me manifestimin shprehet se ky është aktivitet në vazhdimësi.
“Sikur vitet e tjera, edhe sivjet Shtëpia e kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë në vazhdimësi organizon “Javën e Komedisë shqiptare”.
“Unë si çdo herë pres më të mirën nga të gjithë. Shpresoj të shohim regji dhe aktrim të bukur, sepse dihet që do të kemi shfaqje edhe nga Kosova dhe Maqedonia, si dhe shfaqje vendase. Shpresoj të kemi kualitet si çdo herë, sepse këto shfaqje do të garojnë për shtatë çmime”, deklaroi për Titulli.com Boriçi.
Në pyetjen e gazetarit se a do të ketë shfaqje vendore ajo tha se do të ketë shfaqje nga shtëpia e kulturës në Preshevë ku luajnë aktorët tanë me regjinë e Musa Isufit.
Shfaqjet gjatë festivalit në Preshevë
Java e Komedisë Shqiptare nis me shfaqjen “Mbledhje n’Parlament” nga Teatri i Gjilanit.
Ditët në vazhdim do t’i kemi këto shfaqje.
Teatri “Istref Begolli” Pejë, me shfaqjen “Zbritja nga mali Morgan”.
Teatri “Dodona” Prishtinë, me shfaqjen “Lojë martese”.
Teatri i dramës Kumanovë, me shfaqjen “Bouncers”.
Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” Preshevë, me shfaqjen “Jashtë bie borë”.
Teatri Kombëtar i Kosovës, me shfaqjen “Dashnori i nënës sime”.