Edhe një kamp refugjatësh në Preshevë
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, gjatë qëndrimit të dielën në Preshevë ka thënë se për shkak të krizës së ditëve të fundit në kufirin greqi-maqedoni, në fshatin Miratoc të Komunës së Preshevës po ngritet edhe një kamp i madh për pranimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme.Gashiq, me rastin e vizitës në kampin e Miratocës i ka thënë gazetarëve se në këtë moment, në këtë vend dhe në Qendrën e pranimit në Preshevë janë rreth 5.000 refugjatë.
Ai ka shtuar se një numër i madh i njerëzve në 24 orët e fundit ka hyrë në Serbi dhe se pritet një intenzitet i ngjashëm edhe në një apo dy ditët e ardhshme, transmeton Titulli.com.
Sipas fjalëve të ministrit, gjatë ditës në kampin e sapo hapur në Miratoc do të mbërrijë edhe ekipi i mjekëve nga Spitali Ushtarak i Nishit, derisa do të sillet edhe energjia elektrike në mënyrë që emigrantët të pajisen me vërtetim që ka si qëllim kërkimin e azilit në Serbi.
Ky vërtetim, refugjatëve i jep të drejtë në qëndrim legal në Serbi për 72 orët e ardhshme, gjatë së cilave ata duhet të kërkojnë azil apo ta lëshojnë territorin e Serbisë.
Në fushat afër fshatit kufitar Miratoc janë vendosur nëntë tenda të mëdha si dhe tenda të vogla të cilat refugjatët i kanë sjellë me vete. Kampi po sigurohet nga policia dhe pjesëtarët e Xhandarmërisë me automjete luftarake. /Titulli.com/