E kërkuara nga Interpoli, Leme Xhema, kërkon votën në Fushë Kosovë
Ish-drejtoresha e PTK-së, e kërkuara nga Interpoli dhe e dënuar në mungesë për shpërdorim të detyrës zyrtare, Leme Xhema, pritet të vizitojë nesër Fushë Kosovën për të kërkuar votën e banorëve të Medvegjës, të cilët aktualisht jetojnë në Fushë Kosovë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 13 shtator në Medvegjë, ku ajo është kandidate për këshilltare komunale.Koalicioni PVD - UDSH për Medvegjën, njofton se nesër (më 6 shtator) në orën 12:00, do të mbajë tubim promovues zgjedhor në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, për zgjedhjet lokale në Komunën e Medvegjës.
Në listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë të këtij koalicioni është edhe Leme Xhema, e kërkuara nga Interpoli dhe e dënuara në mungesë për shpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Telegrafi.
Në njoftimin e lëshuar nga Shtabi Zgjedhor i koalicionit PVD – UDSH, e në të cilin janë: Rexhep Abazi Leme Xhema, Hamdi Halimi, Fadil Selmani, Llukman Halili dhe Ajet Duli, u bëhet ftesë qytetarëve të Fushë Kosovës që të marrin pjesë në tubimin promovues, ku do të shpaloset programi zgjedhor i këtij koalicioni për zgjedhjet lokale në komunën e Medvegjës, që do të mbahen më 13 shtator.
Leme Xhema ishte drejtoreshë shumëvjeçare e PTK-së. Ajo më 2011 u dënua me tre vjet heqje lirie nën akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe hyrjes në kontratë të dëmshme. /Titulli.com/