Djathtisti serb me sy kah Vagneri në rast të një “konflikti në Kosovë”
Rajoni dhe Politika

Djathtisti serb me sy kah Vagneri në rast të një “konflikti në Kosovë”

08.Dec.2022 08:14
0

Disa javë pas një ndeje të organizuar në vendlindjen e presidentit rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, për një grup famëkeq paraushtarak rus – që ka lidhje të ngushta me Kremlinin – ultranacionalisti serb, Damjan Knezheviq, shijoi një vizitë që bëri në selinë e re të këtij grupi.

Në një video të postuar më 27 nëntor, Knezheviq dhe një koleg nga grupi i tij, Patrulla e Popullit, u panë në Qendrën Vagner, së bashku me vizitorët e tjerë, duke vizituar sallat e takimeve dhe zyrat e tjera të kësaj qendre.

“Shumë nga miqtë e mi do të jenë krenarë që pata nderin të vizitoj Qendrën Vagner”, tha Knezheviq në videon e realizuar në Rusi. “Kjo qendër dhe kjo organizatë janë jashtëzakonisht të njohura në Serbi”.

Ai ndoshta mbivlerësoi familjaritetin e serbëve me Vagnerin (shpesh njihet edhe me emrin Wagner), që po bëhet një mjet gjithnjë e më i dukshëm i projeksionit të Kremlinit për fuqinë jashtë vendit. Ky grup drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, ish-truproje, që njihet nga disa edhe si “kuzhinieri i Putinit”.

Megjithatë, ai ndoshta nuk është krejtësisht gabim.

*Video nga arkivi: Themeluesi i Vagnerit rekruton të burgosurit rusë

 

Ekspertët perëndimorë vazhdimisht kanë paralajmëruar për potencialin që kanë aleatët e ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi për të shkaktuar përçarje. Ky potencial është shfaqur në protestat e organizuara në ditët e para të pushtimit të Ukrainës dhe që janë vënë më në pah nga deklaratat e disa liderëve serbë mbi luftën dhe refuzimin e Qeverisë serbe që t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore.

Për rusët, vizita e Knezheviqit, së bashku me themeluesin e Qendrës ruso-serbe Orlovi, u duk se synonte që të kundërshtonte perceptimet se Rusia është izoluar, pasi nëntë muaj më parë nisi pushtimin e Ukrainës. Në pushtimin e fqinjit të saj, ajo llogarit në mbështetjen edhe të mercenarëve të Vagnerit dhe në raste më të rralla edhe në luftëtarët serbë dhe luftëtarë të tjerë të huaj.

Për Knezheviqin, kjo vizitë ishte një shans për të takuar dhe për të lënë përshtypje para “miqve nga Rusia”, duke promovuar lidhjet kulturore dhe politike. Këto lidhje kanë trimëruar politikat serbe që aktualisht po testojnë durimin e Perëndimit, për shkak të refuzimit që t’iu bashkohen Perëndimit në sanksionet kundër Rusisë si dhe kundërshtimit të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Refuzimi për të sanksionuar Rusinë po vë në rrezik rrugën e Beogradit drejt Bashkimit Evropian.

Por, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, në të cilën tha se me “kënaqësi kam pranuar” ftesën e Vagnerit, Knezheviq po ashtu pranoi se shpresonte që vizita e tij do të mund të garantonte “mbështetje” ruse për mosmarrëveshjet me Kosovën, që datojnë me dekada.

“Ne duhet të sigurojmë sa më shumë bashkëpunim dhe ndihmë nga Federata Ruse dhe ushtria ruse, në rast të një konflikti në Kosovë”, tha Knezheviq.

Në Qendrën Vagner u shfaq një flamur me ngjyrat e Rusisë dhe Serbisë, ku shkruhej: “Donbasi është Rusi, Kosova është Serbi”. Damjan Knezheviq, është i tretë nga ana e djathtë në këtë fotografi, dhe është afër Aleksandar Lisov nga Qendra ruso-serbe, Orlovin.
Në Qendrën Vagner u shfaq një flamur me ngjyrat e Rusisë dhe Serbisë, ku shkruhej: “Donbasi është Rusi, Kosova është Serbi”. Damjan Knezheviq, është i tretë nga ana e djathtë në këtë fotografi, dhe është afër Aleksandar Lisov nga Qendra ruso-serbe, Orlovin.

Kosova është administruar nga Kombet e Bashkuar për një dekadë pas luftës së përgjakshme në fund të viteve ’90, që çoi në bombardimet e NATO-s ndaj Beogradit dhe caqeve të tjera serbe. Udhëheqësit e Kosovës, kryesisht etnikë shqiptarë, shpallën pavarësinë më 2008, një vendim që është njohur nga më shumë se 100 shtete të botës, por që Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, refuzojnë që ta pranojnë.

Pas pothuajse një dekadë në pushtet si kryeministër apo si president, Aleksandar Vuçiq, ka arritur marrëveshje të rëndësishme për marrjen e armëve ruse, por ka siguruar edhe investime strategjike në sektorin serb të energjisë dhe në fusha të tjera. Përveç këtyre, ai llogarit edhe në mbështetjen diplomatike të Moskës në përpjekje për të tërhequr njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë se po përdor një ndërtesë të supozuar humanitare në qytetin serb, Nish, si qendër spiunazhi, pretendim ky që është hedhur poshtë nga Beogradi dhe Moska.

LEXONI EDHE KËTË:

Rusia si “prishëse” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Rusia s’ndalet së përgojuari Kosovën

Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas 

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur në vitin e fundit, me përplasjen e fundit për shkak të targave të makinave, që çuan në bllokada në veri të Kosovës dhe bënë që trupat ndërkombëtare të vendoseshin pranë kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, palët arritën një kompromis muajin e kaluar, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Oficerët rusë kanë vizituar bazat ushtarake serbe, që gjenden në zonat pranë kufirit, për të treguar vendosmërinë e Moskës që të ushtruar ndikimin në këtë zonë.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara së fundmi kanë rritur përpjekjet për të rinisur bisedimet për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit është një prej shteteve me ekonomi të fuqishme në Ballkanin Perëndimor dhe që nga viti 2012 është shtet kandidat për anëtarësim në BE.

Trupat e kontraktuar nga Vagneri janë akuzuar nga grupet për të drejtat e njeriut se së bashku me trupat e rregullta ruse kanë kryer krime në konfliktet në Republikën e Afrikës Qendrore, Libi dhe në Siri.

Por, mercenarët e Vagnerit po ashtu kanë luajtur një rol të madh në pushtimin rus të Ukrainës, pjesërisht falë, sipas disa analistëve ushtarakë, dështimeve të ushtrisë dhe inteligjencës ruse.

Përveç provave anekdotike se trupat e Vagnerit marrin pjesë në luftimet në Ukrainë, raportimet e besueshme kanë treguar se Prigozhin dhe përfaqësues të tjerë të Vagnerit, kanë vizituar burgjet ruse për të rekrutuar trupa për të luftuar në Ukrainë, duke u ofruar në këmbim amnisti dhe paga shumë më të larta sesa paga mesatare në Rusi.

Knezheviqit iu bashkua në vizitën në selinë e Vagnerit edhe Aleksandar Lisov, i cili drejton Qendrën ruso-serbe Orlovi, që është pas një grupi pro-luftës në rrjetin Telegram, e që quhet Z-Orlovi. Emri i kësaj llogarie, duket se është një referencë e qartë për simbolin “Z” që është parë në automjetet e blinduara ruse në javët dhe muajt e parë të pushtimit.

Gjatë kësaj vere, prokurorët serbë iniciuan një rast për kërcënimet e pretenduara nga Z-Orlovi, që kishin në shënjestër aktivistët kundër luftës në Serbi.

Patrulla e Popullit e Knezheviqit për një kohë të gjatë, gjatë aktiviteteve të profilit të lartë, ka shënjestruar emigrantët, por po ashtu ka organizuar protesta në Beograd në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Knezheviq i tha REL-it se udhëtimi i tij drejt Shën Petersburgut ishte planifikuar për shkak të ndeshjes miqësore në futboll midis Yllit të Kuq të Beogradit dhe Zenit të Shën Petersburgut, ndeshje që u zhvillua më 22 nëntor.

Në stadiumin e mbushur plot, ku u luajt kjo ndeshje, ishte vendosur një pankartë e madhe serbo-ruse.

Knezheviq i tha REL-it se “me kënaqësi pranova” ftesën e Vagnerit, por shtoi se ai kurrë nuk ka punuar me këtë kompani mercenarësh dhe nuk ishte i lidhur në asnjë mënyrë të drejtpërdrejtë me të.

“Kam shumë kontakte me njerëzit që janë në front të luftës [në Ukrainë] dhe me ata që bëjnë stërvitje, por kurrë nuk kam pasur kontakt me njerëzit nga Vagneri, edhe pse njoh disa serbë që kanë qenë atje”, tha ai.

 

Gjykata e Lartë në Beograd më 2017 dënoi një qytetar serb me një vit lirim me kusht për shkak të luftimit në kuadër të një njësie të Vagnerit. Ky ishte një rast testues se si sistemi i drejtësisë do të zbatonte ligjet që ndalojnë luftimet në luftëra të huaja.

Ka pasur edhe raste të tjera gjyqësore që kanë rezultuar me dënime simbolike apo minimale për serbët që kanë luftuar përkrahë rusëve apo separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës. Nga 32 të dënuarit deri më tani nga gjykatat serbe, 28 të pandehur janë dënuar me dënime me kusht, ndërkaq katër të tjerë janë dënuar me arrest shtëpiak për një periudhë gjashtëmujore.

Ambasada ukrainase në Beograd i tha REL-it se nuk ishte në dijeni për ndonjë kontakt që Knezheviq mund të ketë pasur me Vagnerin, por paralajmëroi se takime të ngjashme mund të bartin rreziqe të mundshme të sigurisë për Serbinë.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ambasada ukrainase tha se “kontakte të tilla, pikë së pari duhet të jenë shqetësuese për strukturat e sigurisë së Serbisë, pasi legjislacioni i këtij shteti ndalon jo vetëm terrorizmin, por edhe mercenarët”.

 

Ambasada ukrainase po ashtu tha se legjislacioni rus ndalon formimin e grupeve të ushtrive private, prandaj i përshkroi aktivitetet e Vagnerit të barabarta me ato të një “organizate terroriste”.

Që nga viti 2014, në bazë të Kodit Penal të Serbisë, qytetarëve u ndalohet të marrin pjesë në konflikte të huaja dhe ata mund të dënohen me nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim. Dënimi prej tetë vjetësh burgim parashihet nëse këto veprime ndërmerren si pjesë një grup i të organizuar. Ndërkaq, organizimi i grupeve që marrin pjesë në luftëra të huaja është vepër penale e dënueshme me dhjetë vjet burgim.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me atë nëse kontaktet midis grupeve serbe të krahut të djathtë me grupet paramilitare ruse përbëjnë kërcënim për Serbinë.

 

Aleksandar Vulin, që deri së voni ishte në krye të Ministrisë së Brendshme – dhe tani është emëruar si drejtues i Agjencisë të Inteligjencës së Serbisë (BIA) – është në mesin e pak politikanëve nga Evropa që ka vizituar Moskën, në kohën kur trupat ruse po vazhdojnë pushtimin e Ukrainës. Gjatë asaj vizite, ai i quajti sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë si “pjesë e histerisë anti-ruse”.

“Autoritetet duhet të merren me këtë rast”, tha Darko Obradoviq, drejtor programi në Qendrën për Analiza Strategjike në Beograd. “Vagneri nuk është një shoqatë gjuetie apo shoqatë dembelësh, por është një organizatë e rrezikshme, e armatosur, që paraqet kërcënim sigurie për një shtet sovran dhe po ashtu është përshirë në shumë skandale të sigurisë, sikurse janë shkeljet e zakoneve të luftës në kontinentin afrikan dhe në Lindjen e Mesme”.

Obradoviq tha se, ndër të tjera, përpjekjet ruse të mbrojtjes kanë për qëllim radikalizmin e aleatëve potencialë të grupeve militante ruse.

“Mos harroni se militantët rusë operojnë në disa nivele dhe një nga këto nivele është indoktrinomi ideologjik”, tha ai.

Pasi për shumë vite kishte mohuar lidhjet e qarta me luftëtarët në Afrikë dhe Siri, Prigozhin së voni pranoi se ka themeluar Vagnerin më 2014, si “një fushë testuese ushtarake” në lidhje me konfliktin ushtarak që atëbotë nisi në pjesën lindore të Ukrainës.

 

Më pas, muajin e kaluar, grupi i tij, që deri më tani kishte operuar në fshehtësi, bëri një hap të madh në sytë e publikut, teksa prezantoi selinë e tij në Shën Petersburg dhe qendrën e teknologjisë, si një strukturë për teknologjinë informative dhe për biznese të tjera të reja.

Megjithatë, raportohet se ai ka thënë se aktivitetet e kësaj qendre përfshijnë gjenerimin e “ideve të reja për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Rusisë”.

Knezheviq, që ka bërë disa vizita në Rusi që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës, tha se nuk e takoi Prigozhinin gjatë vizitës së tij në Shën Petersburg dhe në “qendrën e teknologjisë ushtarake”.

“Nëse do ta kisha takuar, më besoni, nuk do ta fshihja”, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku-REl
copy(/home/titulli/public_html/images/image/agner-.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Komentatori serb s’ia përmendi emrin Xhakës, Kamberi: Tmerr, fashizëm i orkestruar
Dy shpërthime me shok bomba në Mitrovicë të Veriut
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration