Diskutim i zbehtë me qytetarët, komuna e Bujanocit mbi 1 miliardë buxhet për 2018 (video)
Për propozim buxhetin e komunës së Bujanocit për vitin 2018 është organizuar diskutim publik me qytetarë, sektorin joqeveritar, shoqëritë kulturore, mediat dhe diskutim me përfituesit e subvencioneve të bujqësisë në komunën e Bujanocit.Këto diskutime, kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i ka filluar me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe medias me të cilët ka propozuar një buxhet prej 8 milion dinarë edhe atë 5 milion për financimin e projekteve të medias dhe 3 milion për organizatat joqeveritare.
Përfaqësuesit e mediave vlerësuan se propozimi i tillë është i pa mjaftueshëm për zhvillimin e medias ndërsa u dha një propozim konkret që përmes programit të subvencioneve që jepen për bizneset e vogla të mundësohet edhe mediave tu jepen mbështetje në mjete teknike të punës ndërsa kryetari komunës u zotua se do të gjejë mundësinë ligjore për këtë propozim.
Nevzad Lutfiu, nga organizata Shpresa propozoi që me buxhetin e organizatave joqeveritare të stimulohen ato organizata që punojnë gjatë tërë vitit e jo ato sezonale.
Diskutimi publik lidhur me propozim buxhetin me qytetarë është organizuar në objektin e fakultetit ekonomik në Bujanoc por nuk kishte qytetarë të interesuar përpos 20 vetave.
Shaip Kamberi së bashku me shefin e financave të komunës së Bujanocit prezantoi propozim buxhetin duke thënë se buxheti i vitit 2018 shënon një ngritje rekorde në krahasim me vitet e kaluara dhe është me vlerën prej 1.164.500.000,00 dinarë.
Galip Beqiri në cilësinë e qytetarit duke folur për organizimin e diskutimit të buxhetit u shpreh i zhgënjyer nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në diskutim.
“Jam i zhgënjyer nga pjesëmarrja e qytetarëve në numër shumë të vogël për një temë kaq me rëndësi për qytetarin e komunës së Bujancoit ai propozoi që zyra për të rinj të ketë më shumë mjete financiare që të zhvilloj më shumë aktivitete me të rinjtë tanë”, theksoi Beqiri.
Gjatë diskutimit publik me qytetarë nuk pati propozime konkrete objektive ndërsa përfaqësuesit e administratës komunale dhanë sqarime për buxhetin në fushat të cilat do të shpenzohet buxheti i planifikuar nga të hyrat vetanake dhe ato nga ministritë përkatëse.
Sipas propozim buxhetit për vitin 2018 në programin për urbanizëm dhe planifikim hapësinorë janë paparaparë 15.960.000 dinarë (1.37 %), për shërbimet komunale 56.950.000 dinarë (4.89%), për zhvillimin ekonomik lokal 35.000.000 (3.01%), për zhvillimin e turizmit 8.000.000 (0.69%), zhvillim të bujqësisë 22.400.000 (1.92%), mbrojtjen e mjedisit jetësorë 40.880.00 (3.51%), organizimi i trafikut dhe infrastrukturës rrugore 178.309.00 (15.31%), arsimi parashkollorë 108.246.00 (9.30%), shkollimi fillorë 270.881.700 (23,26%), shkollimi i mesëm 42.867.700 (3.68%), mbrojtja sociale dhe fëmijëve 20.900.00 (1.79%), mbrojtja shëndetësore 19.250.000 (1.65%), zhvillimi i kulturës 52.745.100 (4.53%), zhvillimi i sportit dhe rinisë 31.696.700 (2.72%), vetadministrimi lokal 222.250.200 (19.09 %) dhe sistemi politik i vetadministrimit lokal 38.163.600 (3.28%).
Debati për buxhetin ka vazhduar edhe në seancën e 8 të kuvendit komunal në Bujanoc dhe nga këshilltarët opozitar propozim buxheti u vlerësua se ka mangësi dhe është buxhet i asfaltit.
Nagip Arifi, kryetar i Partisë Demokratike dhe këshilltar opozita tha se buxheti duhet të jetë programor por edhe mungojnë kërkesat e bashkësive lokale ndërsa prioritet janë caktuar nga vet përfaqësuesit e qeverisjes lokale.
Ndërsa kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi duke arsyetua buxhetin tha se këshilli komunal është propozues i buxhetit dhe nuk mundet bashkësia lokale të dal mbi komunën.
Shefi i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në kuvendin komunal, Hajredin Hyda tha se është një projekt buxhet tipik klientelist i ngjyrosur me asfalt ku fillon me asfalt dhe të gjitha faqet janë asfalt.
Më gjithë diskutimet rreth propozim buxhetit për vitin 2018 u miratua nga 24 këshilltarë të kuvendit komunal prej 41 sa ka gjithsejtë.
Zëvendës kryetari i kuvendit komunal, Bastri Veseli tha se për herë të parë këshilltarët e kuvendit komunal të Bujanocit votuan një buxheti i cili kalon vlerën mbi 1 miliard dinarë dhe ky është edhe një sukses i komunës së Bujanocit.
Gjatë vitit 2017 komuna e Bujanocit kishte një buxhet prej 969.680.000 dinarë i cili është realizuar deri në 97 %./Titutulli.com/
Buxhetin e miratuar në detaje mundë ta shkarkoni në linkun: Buxheti i komunës së Bujanocit për vitin 2018